Katër dëshmitarët më të kërkuar në rastin “Medicus”

0
728

Prishtinë, 22 qershor  – Dëshmia, e menduar si e fundit e dhënë nëpërmjet videokonferencës nga një izraelit, nuk do ta mbyllë listën e dëshmitarëve që vijnë nga ky shtet për rastin “Medicus”. Në seancën gjyqësore të së enjtes trupi gjykues në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë i ka bërë kërkesë prokurorisë izraelite që katër emrat më të përfolur nga dëshmitarët, përkatësisht Avigad, Zamir, Moche Harel dhe doktori Zaki Shapira, të ftohen në cilësinë e dëshmitarëve në këtë rast. Prokuroria izraelite ka sugjeruar që për këtë çështje është e nevojshme të bëhet kërkesë përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës tek organet kompetente izraelite.

Dëshmitari i mbrojtur, i cili u ekzaminua nga prokurori dhe mbrojtja, ishte i biri i njërit prej marrësve të veshkave në klinikën “Medicus” në Prishtinë. Ai, ashtu si dhe babai i tij që dëshmoi gjatë të mërkurës, ka përshkruar gjendjen  e keqe shëndetësore që kishte babai dhe nevojën e tij për një transplantim të veshkës. Përderisa interesoheshin për të gjetur një mënyrë për transplantim, ata kishin rënë në kontakt me dy persona të quajtur Avigad dhe Zamir, dhe ishin takuar me një qendër tregtare në Izrael për të biseduar rreth çështjes së transplantimit. Gjatë bisedës me Avidagin dhe Zamirin, prezentë kishte qenë edhe një çift tjetër izraelit që ishin të interesuar po ashtu për operacion. Aty u ishte shpjeguar atyre për detajet, për vendin se ku do të realizohej operimi, si dhe për koston e tij. Në qershor apo korrik të vitit 2008, ai me babanë, personin e quajtur Zamir, si dhe çiftin, që quheshin, sipas tij, Leonit dhe Ela, ishin nisur për në Stamboll. Leoniti dhe babai i tij do t’i nënshtroheshin operacionit për marrjen e veshkave të reja. Aranzhuesi i udhëtimit të tyre, Zamiri, ishte, sipas dëshmitarit, një burrë rreth të gjashtëdhjetave dhe i kishte treguar se me profesion ishte ushtarak profesionist.

“Kam lexuar për të se ka shërbyer në ushtrinë izraelite në njësitin e tankeve”, ka thënë dëshmitari.

Rreth çështjes së pagesës ai shpjegoi se fillimisht babai i tij sa ishte në Izrael, një pjesë të parave ia kishte dhënë personit të quajtur Avigad. Pjesën tjetër të parave e kishte dhënë ky në Prishtinë. Totali i të gjitha pagesave me sa i kujtohej kishte arritur nga 75 deri në 80 mijë euro. Ishin nisur nga Izraeli në Stamboll e më pas në Prishtinë. Pas arritjes në klinikën “Medicus” babai i tij ishte shtrirë në dhomë, ndërsa ai dhe Zamiri kishin kryer pagesën e fundit. Dëshmitarit nuk i kujtohej saktë nëse pagesën ia kishte dorëzuar Zamirit apo së bashku me këtë të fundit ia kishin dhënë një personi të tretë. Por ai e dinte saktë se 50 deri në 60 mijë euro i kishte pasur në zarf dhe i kishte dorëzuar në klinikë. Një ditë më pas ishte operuar babai i tij dhe gjendja e tij shëndetësore kishte qenë e mirë. Ai e kishte takuar edhe doktor Yusuf Sonmez, i cili kishte realizuar operacionin e babait të tij.

“Doktori ishte distancues, mirëpo kishte një qëndrim prej profesionisti”, ka thënë dëshmitari.

Gjatë periudhës sa kishte qëndruar babai i tij në klinikë, ai kishte pasur rastin t’i shihte edhe dy dhurues veshkash, një mashkull rreth 40 vjeç për të cilin mendon se kishte qenë dhuruesi i babait të tij, si dhe një femër 20 vjeçare. Pas 6 ditësh dëshmitari së bashku me babanë dhe çiftin izraelit ishin kthyer për në Izrael.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se pas kthimit në shtetin e tyre babai i tij kishte arritur të merrte kompensim për operacionin nga kompania e sigurimeve shëndetësore “Maccabi” në Tel-Aviv.

“Nuk e di sigurt se sa para i ka marrë, mirëpo afërisht ishte 70 përqindëshi i vlerës së operacionit”, ka shtuar ai.

Nga fotografitë e 12 personave që prokurori ia ka paraqitur përmes kamerës ai nuk ka arritur ta identifikonte asnjë, si person të cilin e ka parë gjatë rrugëtimit për në Kosovë. Vetëm fotografinë e objektit të klinikës “Medicus” e kishte identifikuar.

Prokurori Xhonatan Ratel ishte interesuar të dijë nga prokurorja e shtetit izraelit, lidhur me statusin e Abigadit dhe Zamirit, të përmendur nga dëshmitarët si aranzhues të udhëtimeve të tyre, nëse ishin të arrestuar, të paraburgosur apo të mbajtur diku në Izrael. Prokurorja nuk ka dhënë përgjigje lidhur me këtë pyetje, duke thënë se një kërkesë e tillë duhet të bëhet në formë zyrtare nga Ministria e Drejtësisë.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 24 korrik gjatë së cilës priten të dëshmojnë doktorët Shkëlzen Sylaj dhe Flamur Bogaj, si dhe disa ekspertë të forenzikës.

Sa i përket dëshmisë së Dick Martyt, kryetari i trupit gjykues ka bërë të ditur se pritet që të dëshmojë më 3 shtator.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu