Katër shpata Skënderbejane në vendin tonë

0
389

 

Katër shpata që përcjellin tek ne lavdinë Skëndërbejane. Ato kanë marrë pjesë në luftërat e heroit tonë kombëtar, e ndryshe nga ai janë edhe sot “të gjalla” e mes nesh, për të rrëfyer e për të folur. Të prodhuara në Austrinë e asaj kohe, në fabrika që shquheshin për prodhimin cilësor, prej andej erdhën në Arbërinë mesjetare, bashkë me të zotët.

Këta të fundit, mercenarët, u drejtuan në tokat arbërore, për të ndihmuar kryetrimin në betejat e tij të lavdishme. Nuk dihet, se cili ishte saktësisht fati i zotëve, nëse ikën më prej Ballkan apo mbetën këtu, por shpatat zunë vend nëpër Shqipëri ku janë edhe sot. Ka qenë një gdhendje në to që ka rrëfyer origjinën e më tej historinë e rrugëtimit të gjatë të tyre. Frederik Stamati shef i Laboratorit të Arkeometrisë dhe Restaurimit ka rënë në gjurmët e tyre pas një studimi të gjatë. Stamati e ka nisur studimin e tyre nga kurioziteti, dëshira për të ditur se ç’janë këto objekte, ç’kohë i përkasin, çfarë përfaqësojnë ato. Krahas, restaurimit ai është marrë edhe me gjetjen e domethënies së shenjave në këto objekte me të cilat ka punuar, origjinës vendit të prodhimit etj. Në intervistën e mëposhtme ai zbardh studimin e tij me detaje, duke na zgjuar më tej kureshtjen për mesjetën, kohë që e kemi lënë pas me pesë shekuj…

 

Jeni marrë me restaurime dhe studime të shumta. Aktualisht, si e nisët studimin e shenjave të këtyre shpatave?

Gjatë punës që kam bërë për evidentimin e shpatave të vjetra në Shqipëri, që gjenden të ruajtura në vendin tonë nëpër muze, vura re që mes tyre ka disa shpata shumë interesante, të rralla e me vlera. Kjo sa i takon origjinës së tyre dhe prodhimit të tyre. Unë, sapo i kam përfunduar dy studime, njëri prej tyre ka të bëjë me shpatat që kanë të gdhendur “ujkun që turret”. Kur e sheh ujkun duket sikur ai po i hidhet dikujt, sikur po i turret atij. Janë gdhendur me daltë dhe janë prodhuar jashtë vendit.

Ku janë prodhuar shpata të tilla?
Ato janë prodhuar në Solingen pastaj në Passau, që kohë më parë shquhej në Evropë për prodhimin e shpatave, për shkak të materialit që përdorte për to. Këtë e tregon pikërisht “ujku që turret”, gdhendje karakteristike e shpatave që prodhoheshin atje. Çeliku që ata përdornin ishte shumë i mirë e për këtë arsye, shpata luftarake ishte shumë e mirë.

Ku janë tani këto shpata ?
Kam identifikuar në Shqipëri katër shpata të këtij lloji, pra me ujkun që turret e që janë prodhuar në Solingen e Passau. Njëra prej tyre gjendet në zonën e kalasë së Rozafës, një tjetër në muzeun e Armëve në Gjirokastër, një në muzeun Etnografik të Elbasanit dhe një tjetër në koleksionin privat të Artan Lames. Kemi edhe një të pestyë, por kjo ajo devijon pak nga këto që folëm.

Cilës kohë i takojnë këto shpata?
Ato i takojnë shekullit të XV e kjo i bën shumë interesante. Po si u futën në Shqipëri këto? Këtu është pjesa më e bukur, në kërkim të kësaj përgjigjeje kam kaluar nëpër duar një sërë dokumentesh historike. Pas kësaj kam vënë re se, Skënderbeu për betejën e Stefigradit ka marrë mercenarë nga Austria. Kasem Biçoku thotë se: “mercenarët kanë ardhur në vitin 1450 për herë të parë”. Pra, këto janë armë të përdorura nga ata mercenarë. Përveç kësaj, është një tjetër, e pesta që e kemi ne në fondin etnografik, por kjo nuk është e tyre, mund të jetë një falsifikim i bërë nga dikush tjetër për t’i dhënë vlerë shpatës, por që nuk është e Passau. Për këto studim unë jam konsultuar edhe me muzeun e Armëve në Vjenë. Aty unë e konfirmova sërish rezultatin tim dhe më tej pashë edhe shenja të tjera në Budapest. Unë mendoj se nëse bëhet një rishikim i muzeut të “Gjergj Kastriotit Skënderbeut” që është me piktura tani, të bëhet me objekte, janë katër shpata që do e kenë vendin aty.

Këto vihen re vetëm nga forma?
Po vetëm nga forma, nuk ka pasur nevojë për analiza për to.

Ndonjëra prej tyre, a ka më shumë vlerë se të tjerat?
Mbase ajo që është në Shkodër. Ka një dorezë që të shtyn në mendime… këto të tjerat kanë doreza më të thjeshta , ndërsa ajo jo. Duhet thënë se, dorezat ndërroheshin herë pas here. Ai që e ka pasur shpatën që gjendet në Shkodër, duhet të kenë qenë një njeri i rëndësishëm. Punimi, doreza janë ndryshe dhe të bëjnë të mendosh se ka qenë jo thjeshtë një mercenar. Ajo që ndodhet në fondin etnografik , mund të jetë më e hershme dhe mund të ketë qenë e kryqtarëve që kanë kaluar këtej. Një motiv i ngjashëm gjendet në një gurë pranë një zone arkeologjike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu