Kërcenimi i Presidentes

0
591

Presidentja Jahjaga mbajti një fjalim para deputetëve, me të cilin ndërroi radikalisht kursin politik që ka mbajtur deri më tash. Ajo tregoi se do të shkojë për vizitë në Amerikë e pasi të kthehet do t’i themelojë dy këshilla: njërin për luftën kundër korrupsionit e tjetrin për integrimet europiane. Analistët thonë se iniciativat e saj nuk kanë mbështetje kushtetuese.

Presidentja Atifete Jahjaga ka befasuar të enjten me një fjalim në Parlamentin e Kosovës, gjatë një seance e cila është organizuar me kërkesën e saj në të cilin ajo foli dhe në gjuhen serbe.

Kreu i shtetit gjatë tetë muajve në zyrë nuk ka impresionuar shumë.

Ajo që ka rënë në sy më së shumti është dëshira për fotografi, e shoqëruar me ndonjë prononcim të rrallë para mediave.

Zyrtarë të Presidencës e kishin shpjeguar shpesh këtë me faktin se posti i Presidentit është ceremonial dhe se njeriu i parë i vendit nuk duhet të përfshihet në secilin debat, edhe pse Kushtetuta aktuale e vendit siguron mjaft pushtet për këtë institucion.

Por, në fjalimin e mbajtur të enjten para kuvendarëve, Shefja e Shtetit ka tejkaluar të gjitha parashikimet.

Për dallim nga fjalimi mjaft i kritikuar që kishte mbajtur në përvjetorin e Partisë Demokratike të Kosovës, ku kishte shfaqur lëvdata për këtë subjekt politik, ajo ka ndërruar kursin duke e shpallur luftën kundër korrupsionit kauzë të saj, derisa nuk i ka fshehur ambiciet as në fushën e integrimeve europiane.

Atifete Jahjaga ka paralajmëruar formimin e dy këshillave, të cilat do t’i drejtojë ajo dhe që për detyrë e kanë koordinimin e integrimeve europiane dhe luftën kundër korrupsionit. Këtë të fundit e ka paralajmëruar në mënyrë mjaft interesante, duke thënë se korrupsionin do ta luftojë pasi të kthehet nga një vizitë në Amerikë.

“Nesër do të udhëtoj për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Atje do të takohem me Sekretaren amerikane të Shtetit, Kryeprokurorin amerikan, Drejtorin e FBI’së, gjithashtu edhe me udhëheqësit e Pentagonit. Në këto takime do t’i njoftoj ata me hapat e ndërmarrë në luftimin kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe do të kërkoj nga ta përkrahje dhe asistencë në përditësimin e veprimeve që suksesi në këtë luftë të jetë i garantuar”, ka thënë Jahjaga.

E fusha tjetër, ku ajo ka shfaqur dëshirën për të marrë primatin, është edhe integrimi i vendit në BE.

“Në janar të vitit 2012 do të mbaj takimin e parë të Këshillit Kombëtar për Integrim Europian, forum ky pranë Presidentes, që synon ndërtimin e konsensusit shoqëror dhe koordinimin për procesin e integrimit evropian të vendit. Këshilli Kombëtar për Integrim Evropian është gjithëpërfshirës, me përfaqësim të të gjitha segmenteve të shoqërisë: të institucioneve, partive politike dhe shoqërisë civile”.

Problemet e vendit me krimin e organizuar dhe korrupsionin janë shumë të mëdha dhe ato përmenden pothuaj në secilin raport ndërkombëtar dhe vendor.

Por, mënyra se si Presidentja Jahjaga e ka paralajmëruar luftën e saj kundër korrupsionit është problematike për analistin Mufail Limani.

“Me Kushtetutën e Kosovës ekzekutivi është në Qeverinë e Kosovës dhe Presidentja nuk mund të themelojë ministri paralele për integrim ose ministri paralele të drejtësisë. Ajo ka për detyrë që të zbatojë mandatin e saj, të vendosë një kontroll më direkt në gjyqësorin duke kërkuar llogari direkte nga gjyqësori dhe në atë mënyrë ta ndihmojë vendin e vet në luftën kundër korrupsionit”, ka thënë Limani për Express.

“Lufta kundër korrupsionit mund të bëhet ose me fjalime politike, me retorikë të ashpër dhe propagandë, mënyra e dytë është me rrugë ligjore. Unë pres nga Presidentja që të zgjedhë këtë rrugën e dytë, duke shfrytëzuar mekanizmat ekzistues, të marrë pjesë aktive në luftën kundër korrupsionit”, ka shtuar ai.

Analisti Limani vlerëson se prapa paraqitjes së Jahjagës fshihet edhe diçka tjetër, për të cilën Presidentja aktuale nuk ka folur asnjëherë në publik.

“Ka të bëjë edhe me imazhin e saj që të përgatitet për zgjidhjet e ardhshme presidenciale. Ajo ka të drejtë të kandidojë absolutisht, por nuk ka të drejtë ta keqpërdorë pozitën e saj. Presidentja e Republikës është pjesë e mekanizmave të pushtetit në Kosovë dhe ajo nuk mund të bëhet adresë opozitare. Nëse ka vërejtje në punën e gjyqësorit, ajo ka mekanizmat e vet ta bëjë më të fuqishëm, por jo me fjalime, me retorikë të ashpër. Atëherë ajo hyn në retorikën opozitare dhe e shumëfishon konfuzionin, që edhe ashtu është i pranishëm”.

Por, fjalimi i shkruar mirë, një pjesë të të cilit Jahjaga e ka lexuar në gjuhën serbe, ka lënë mbresa tek deputetët e shumte dhe sidomos tek Deputeti Ismet Beqiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Ismet Beqiri ka thënë më pas se Presidentja ka folur mirë.

“Paraqitja e Presidentes në fjalimin vjetor ishte një paraqitje, për mendimin tonë, mjaft e mirë. Dha disa mesazhe të qarta, mbi të gjitha pjesa që ka të bëjë me funksionalizimin apo më mirë të them me avancimin e punës së institucioneve të pavarura, nëse mund të thuhet, pjesa që ka të bëjë me ndarjen e ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit në fokusimin në luftën kundër korrupsionit si një dukuri dhe pengesë, e cila realisht duhet ta pranojmë se është pengesë në integrimet e ardhshme të Kosovës”, ka thënë Beqiri.

Për t’u realizuar ato që ka thënë Jahjaga, deputeti i AAK’së, Burim Ramadani thotë se së pari duhet të bie Qeveria aktuale.

“Çka do që tha Presidentja Jahjaga, nuk do të jetë e mundur të realizohet pa u ndërruar kjo qeveri dhe pa ardhur në krye të Qeverisë një udhëheqje tjetër, e cila ka plan të qartë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe në të njëjtën kohë vlerësojmë se puna që është bërë deri më tani, është bërë në pajtueshmëri me Kushtetutën, puna e Presidentes dhe vlerësojmë se kjo punë duhet të vazhdojë edhe më tutje”, ka thënë ai.

E impresionuar ka mbetur edhe Ministrja Mimoza Kusari-Lila.

“Shumë reale, me mesazhe të fuqishme dhe me pika aksionale, të cilat ne i kemi në programin tonë qeverisës, por edhe njëherë është e rëndësishme që edhe nga Presidentja u theksua dhe u përkrahën në masë të madhe, qofshin ato për zhvillimin ekonomik, për tërheqjen e investimeve të huaja, për luftë ndaj korrupsionit”, ka thënë Kusari-Lila.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu