Kërcënohen aktivistë të Vetëvendosjes

0
775

Denoncimi nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje për keqpërdorimet e bëra nga pushteti vendor ka shkaktuar të enjten tension në disa komuna të Kosovës.

Siç bëhet e ditur në një komunikatë të Vetëvendosjes, gjatë zhvillimit të aktiviteteve “Mandati i fundit” në disa komuna ka pasur raste të presionit, fyerjeve dhe kërcënimeve serioze ndaj aktivistëve të kësaj lëvizjeje nga zyrtarët e komunave, strukturave formale e informale të pushtetit dhe nga zyrtarë të policisë.

“Duke e parë interesimin tejet të madh të qytetarëve për ta vizituar ekspozitën tonë, pushtetarët e Komunës së Drenasit organizuan disa persona për të na ndërprerë ekspozitën. Katër persona, ku njëri nga ta është vëllai i truprojës së Hashim Thaçit, Bashkim Demiçi, sulmuan në mënyrë brutale kryetarin e Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje, Petrit Bajraktarin dhe aktivistë të tjerë”, thuhet në njoftimin e lëvizjes.

Përveç kësaj, siç theksohet me tej në komunikatë, “këta persona të afërt më pushtetarët e Komunës i demoluan të gjitha fotografitë që ishin në ekspozitë”, përkundër faktit se, siç potencohet në njoftim, për ta zhvilluar ketë aktivitet qendra e Vetëvendosjes kishte njoftuar drejtorinë përkatëse në Komunë dhe kishte njoftuar policinë në kohën e duhur.

Azbi Gashi, aktivist i Vetëvendosjes në Rahovec, ka deklaruar se pas hapjes së ekspozitës në këtë komunë, e ka telefonuar një zyrtar komunal dhe ka kërkuar më këmbëngulësi që të takohet me të.

“Jam takuar me Ymret Reshitin. Ai ka kërkuar që ta ndërpresim ekspozitën, por unë kam refuzuar. Më vonë kanë ardhur edhe zyrtarë të tjerë komunalë, për të parë se çfarë foto kemi ekspozuar”, ka sqaruar ai.

Gjithnjë sipas deklaratës së tij, që transmeton Vetëvendosje, njëri ndër ta ka qenë Isak Hoti, i cili ka kërkuar me çdo kusht që të ndërpritet ekspozita, dhe ka filluar me kërcënime të tilla si: “Unë i hjeku edhe i shkyej keto foto, unë të lidhi për kerri edhe të ngrehu zhag nëpër qytet. A e din se edhe të vras, di edhe me të shti në valle…”.

“Ky ka vazhduar me fyerje e sharje banale dhe e ka mbyllur në fund me atë se “..e sheh se kush jam unë””, thuhet më tej në komunikatën e Vetëvendosjes.

Edhe në Vushtrri, teksa aktivistët e Vetëvendosjes po e zhvillonin aktivitetin “Mandati i fundit”, disa policë, sipas kësaj lëvizjeje, kanë shkuar pranë ekspozitës dhe ua kanë marrë letërnjoftimet aktivistëve, në mënyrë që ta pengojnë zhvillimin e këtij aktiviteti.

“Një patrullë e Policisë ka kërkuar letërnjoftimin e sekretarit organizativ, Sheremet Halili e më pas i kërkoi dhe shënimet e vendbanimit. Togeri i policisë, i ka thënë atij se nuk është kërkuar leje për ekspozitën. Pas përgjigjes që vërtetonte të kundërtën e pretendimit të togerit, ky i fundit i është drejtuar me këto fjalë: T’i je ai që i ke zhvendosur flamujt më 28 Nëntor? Ende s’të kemi ngritur padi për atë çështje””, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

Sipas Vetëvendosjes, presione ka pasur edhe në Dardanë, ku tre punëtorë të administratës komunale kanë shkuar në vendin ku po mbahej ekspozita dhe kanë provokuar aktivistët e qytetarët.

Njëri prej tyre, Refik Berisha (referent), sipas njoftimit, ka grisur një pano në të cilën paraqitej një projekt i ujësjellësit në fshatin Koretin, i cili ende nuk është përfunduar edhe pse ka katër vjet që mbi 300.000 euro janë dhënë për të. “Mësohet se zyrtari komunal ishte nga radhët e LDK-së”, thekson Vetëvendosje.

Ndërkaq, në Klinë, derisa aktivistët po vendosnin fotografitë e ekspozitës, ka ardhur një veturë me policë, të cilët pyesin nëse kishte leje për këtë aktivitetet.

“Pavarësisht përgjigjes së aktivistëve se është njoftuar policia dhe komuna me kohë, ata na fotografuan dhe u larguan. Pas më pak 30 minuta të njëjtën policë u rikthyen dhe fotografuan vendin nga janë vendosur fotografitë dhe u deklaruan se: ‘Nuk ban m’i vendos’ fotografitë””, thuhet në komunikatë.

Ndërkohë kërkuan të hiqet tavolina e regjistrimeve, meqë “nuk qenka e lejuar që të kryhen aktivitete politike në rrugë”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu