Miliona euro po shkojnë në xhepat e kompanive ndërkombëtare, të cilat po i këshillojnë institucionet vendore për kryerjen e shitjeve të ndërmarrjeve të mëdha.
Rasti i fundit, ku pritet që sërish të shkojnë miliona euro, është tenderi për angazhimin e kompanive këshilluese rreth riorganizimit të gjigantit Trepça, raporton KTV.
Për t’i dhënë këshilla Agjencisë Kosovare të Privatizimit, kanë konkurruar 9 kompani ndërkombëtare. Pjesa dërmuese e kompanive konkurruese vjen nga shtetet e BE-së, por ka edhe nga rajoni dhe nga SHBA-ja.
Për Ibrahim Rexhepin, kryeredaktor i revistës “Ekonomia”, një mënyrë e tillë tregon se trendi që për të gjitha bëjnë kompanitë ndërkombëtare vazhdon të mbizotërojë, përderisa pranon se vendi ende ka mungesë ekspertësh me licencë ndërkombëtare.
Një problem të tillë e sheh edhe Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë. Një proces tjetër, që po e kryejnë kompanitë ndërkombëtare, është edhe ai për projektin e Brezovicës.
Që nga paslufta, shumë kompani ndërkombëtare kanë marrë para të majme për kryerje të proceseve të transaksionit, disa me sukses e shumë të tjera të dështuara./koha/