Këtë javë nis “filtrimi” i veteranëve

0
730

Brenda kësaj jave do të fillojë verifikimi i listave për të gjithë guerilët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Deri në shkurt të vitit 2013, do të dihet saktësisht se kush ka qenë ushtar i UÇK-së, kush ka rënë dëshmor dhe kush i ka lënë gjurmët nëpër betejat e luftës. Verifikimi i listave nis të enjten, më 15 nëntor, ndërsa të gjitha kategoritë e luftës mund të aplikojnë për njohjen zyrtare të statusit të tyre, në çdo komunë, ku janë zyrat e shoqatave të dala nga lufta. Pas aplikimit secili duhet të kërkojë vërtetimin e këtyre të dhënave, nga zinxhiri komandues, duke filluar nga komandanti i skuadrës, deri te komandanti i Zonës Operative, apo deri te Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

Qeveria e Kosovës në janar të këtij viti e formoi një komision për të vërtetuar se kush ka qenë dhe kush jo, ish-gueril i UÇK-së. Në krye të komisionit fillimisht u vendos ish-komandanti i gueriles, Azem Syla, mirëpo pas disa muajsh, ai dha dorëheqje, ndërsa punën e tij e vazhdoi ish- komandanti tjetër i UÇK-së, gjenerali Agim Çeku.

Në fund të luftës në Kosovë, është raportuar për 20.000 anëtarë të UÇK-së, ndërsa 13 vjet më vonë, kjo shifër u dyfishua në 40.000 mijë.

“Komisioni vazhdimisht do t’i marrë aplikacionet, do t’i shqyrtojë, do të vërtetojë saktësinë e të dhënave, dhe do ta njohë me nënshkrimin e vet statusin, dhe pas kësaj do t’i gëzojnë të gjitha benefitet e parapara me ligjin, që është aprovuar në Kuvend. Koha e dorëzimit të aplikacionit do të jetë nga 15 nëntori 2012 deri më 28 shkurt 2013”, ka thënë Çeku një javë më parë.

Ai ka thënë se ky do të jetë një rast i mirë për të vërtetuar saktësinë e numrit të guerilëve të UÇK-së. “Komisioni nuk është këtu për të zvogëluar, cunguar apo mohuar kontributin e dhënë në UÇK, por që t’iu njihet ai kontribut përmes statusit, në mënyrë që sa më shpejt t’i gëzojnë këto beneficione”, ka thënë gjeneral Çeku.

Kreu i OVL-UÇK-së, Muharrem Xhemjali ka thënë se komisioni për verifikimin e statusit të veteranëve të luftës, ka për qellim të gjejë numrin e saktë të anëtarëve të UÇK-së dhe të verifikojë identitetin e atyre që luftuan dhe vdiqën për UÇK-në gjatë luftës kundër forcave të sigurisë serbe në vitin 1998 dhe 1999.

Ai ka thënë se do të shpërndahen të gjitha aplikacionet nëpër zyrat e veteranëve, invalidëve dhe të familjeve të dëshmorëve, në mënyrë që të bëhet evidencimi, e më pas verifikimi i çdo anëtari të UÇK-së që ka qenë në luftë, ka mbetur invalid apo ka rënë dëshmor i kombit.

“Njëherë ne jemi të interesuar të bëhet verifikimin dhe evidencimi i të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e UÇK-së dhe të dihet numri i saktë se sa kanë qenë, pastaj është duke u krijuar një komision për amendamentimin e ligjit që i ka përjashtuar më herët veteranët prej benificioneve dhe çështjeve të tjera. Pastaj si të bëhet verifikimi, komisioni ka për detyrë për ta bëjë amandamentimin e ligjit”, ka thënë Xhemajli.

Nga ana tjetër, kryetari i Këshillit për mbrojtjen e të drejtave të luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi ka thënë se edhe kësaj radhe do të ketë dallavere në verifikimin e pjesëtarëve të UCK-së, mirëpo, sipas tij, ato do të jenë më të vogla.

Qeriqit nuk i ka mbetur hatri që nuk janë pjesë e këtij komisioni ndonëse, sipas tij, ka qenë iniciative e kryeministrit që edhe ata të jenë pjesë e këtij komisioni, madje me dy përfaqësues. “Po të ishim ne në këtë komision do të përfundohej puna më shpejt sepse do të bënim presion. Mirëpo, është e rëndësishme që të përfundojë ky proces që në të ardhmen qeveria të mos këtë pretekst që s’ka verifikim, prandaj s’ka as mjete për veteranët”, ka thënë Qeriqi.

Ndonëse, Qeriqi pati paralajmëruar se tetori do të jetë i nxehtë në oborrin e Qeverisë, një gjë e tillë nuk ndodhi. Kjo nuk është bërë se “puna e këtij komisioni ka bërë që ne të mos dalim në rrugë”. “Sa herë që ne kemi paralajmëruar diçka, qeveria ka marrë hapa që të duket se po punon diçka. Ky hap i qeverisë është i mirë, për faktin që nuk do të ketë më arsye që të mos ndajë mjete për veteranët e të mos miratojë ligjin për veteranët”, ka thënë Qeriqi, duke shtyrë afatin e durimit deri në pranverë.

Një çështje që është ngritur dhe që ka shqetësuar ish-guerilët e UÇK-së, janë benifitet e veteranëve. Sipas kreut të veteranëve, Muharrem Xhemajli, kjo është çështje është diskutuar në kuadër të procesit të pensionit. “Megjithatë, do të mbetet të shihet në të ardhmen se si do të rregullohet kjo. Realisht ne jemi ithtar të asaj që të bëhet një përkrahje institucionale, në formë të pensioneve, ose në forma të tjera, ndaj atyre pjesëtarëve që nuk janë në marrëdhënie pune. Ndërsa të pensionohen të gjithë pjesëtarët, kjo çështje nuk është zbatuar as në vendet e tjera”, ka thënë Xhemjali.

 

Nga Fadil Sertolli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu