KFOR-i lutët të bjer bore dhe të mbaj acar

0
813

Trupat e NATO-s në Kosovë nuk e kanë ndërmend që të nguten për heqjen e barrikadave nga rrugët në veri të vendit. Misioni i KFOR-it tashmë ka planin se si do t’i largojë barrikadat. Stina e dimrit, kur pritet që edhe të ftohet koha dhe të bien temperaturat, shihet si opsioni më i mirë kur KFOR-i do të mund t’i largojë sa më lehtë barrikadat dhe pa shkaktuar ndonjë viktimë të mundshme.

Kështu ka bërë të ditur një zyrtar i lartë ndërkombëtar që merret me çështje të sigurisë në Kosovë, në kushte anonimiteti, i cili ka sqaruar për gazetën se KFOR-i do të sigurojë lirinë e lëvizjes për të gjithë pavarësisht sa kohë merr arritja e këtij objektivi.

“KFOR-i ka fuqinë për shkatërrimin e barrikadave, por nuk e ka ndërmend t’i largojë ato me forcë pasi që ata kanë plane të tjera, të cilat janë të bindur se do t’i realizojnë me sukses”, ka thënë ky zyrtar.

Njëra nga taktikat e këtij misioni ushtarak, sipas këtij zyrtari, është që të pritet kalimi i kohës gjatë së cilës serbët që aktualisht po qëndrojnë pranë barrikadave, të lodhen nga kjo situatë.

“Nëse duam t’i largojmë barrikadat, KFOR-i ka të gjitha kapacitetet për të bërë një gjë të tillë, por aktualisht po presim që qytetarët e rëndomtë të veriut të lodhen tej mase prej udhëheqësve të grupeve që po i vendosin barrikadat dhe po i detyrojnë të rrinë aty”, ka sqaruar ky zyrtar ndërkombëtar.

Sipas tij, afrimi i stinës së dimrit, kur temperaturat janë më të ftohta, do të pamundësojë qëndrimin e serbëve pranë barrikadave.

Por, ky zyrtar ndërkombëtar me kushte anonimiteti sqaron se qytetarët serbë mund të lodhen edhe nga situata e pafavorshme ekonomike.

“Kamionët që dikur ndoshta janë shfrytëzuar për të punuar, tash qëndrojnë tek barrikadat”, thotë më tej ky zyrtar.

I njëjti ka sqaruar se KFOR-i deri më tani ka bërë largimin e disa barrikadave që të shpiejnë për në pikën kufitare 31 në Bërrnjak, por dy barrikada vazhdojnë të qëndrojnë, ajo në Zupq dhe barrikada në Jegenicë.

“Pika kufitare 31 është plotësisht funksionale në të dyja anët, mirëpo rruga që të shpie nga jugu për në këtë pikë kufitare vazhdon të jetë e bllokuar, pasi që aty vazhdojnë të qëndrojnë barrikadat dhe serbët duke ruajtur ato”, sqaron më tej ai.

Prania e grave e fëmijëve në mesin e turmës ua ka pamundësuar edhe më shumë aksionin ushtarëve të NATO-s.

Ndërkohë, serbët që po mbajnë peng situatën në veri të Kosovës që pas 25 korrikut, edhe të martën kanë vazhduar me vënien e kushteve në drejtim të KFOR-it dhe të EULEX-it.

Pas një mbledhjeje që kanë mbajtur të martën në Zveçan, kryetarët ilegalë të katër komunave veriore i kanë propozuar sërish KFOR-it dhe EULEX-it qarkullimin e lirshëm të tyre, por me kusht që të mos bartin doganierë dhe policë kufitarë të Kosovës në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak.

Krerët e komunave paralele kanë njoftuar se të hënën mbrëma i kanë dërguar letër komandantit të KFOR-it Erhard Drews, të cilin e kanë ftuar në bisedime të reja për të ardhur deri tek heqja e barrikadave dhe një gjë e tillë, sipas tyre, të bëhet në mënyrën më të mirë të mundshme.

Por, ky takim është mbajtur në tension, pasi që, siç raportojnë mediat serbe, aty nuk ka marrë pjesë kryetari paralel i Leposaviqit, Branko Niniq. Ky i fundit vjen nga partia e Boris Tadiqit, ndërsa nuk ka marrë pjesë në mbledhje me arsyetimin se kryetarët tjerë nuk po mbajnë takim zyrtar, por partiak.

Duke e vlerësuar Kosovën si problem shtetëror dhe jo vetëm lokal, kryetari paralel i Zveçanit, Dragisha Milloviq, ka thënë para medieve se me përfaqësues të EULEX-it në Kosovë duhet të bisedojnë edhe zyrtarët e shtetit të Serbisë.

Me zyrtarë të shtetit të Serbisë duke përfshirë edhe presidentin Boris Tadiq, kryetarët paralelë të veriut kanë mbajtur të dielën e kaluar takim, nga i cili ka dalë ideja që të lejohet qarkullimi i KFOR-it dhe EULEX-it, me kusht që ata me vete të mos bartin doganierë dhe policë të Kosovës.

Por, EULEX të martën edhe një herë ka bërë thirrje që barrikadat të hiqen dhe të sigurohet liria e lëvizjes për të gjithë, në mënyrë që t’i hapet rrugë sundimit të ligjit edhe në atë pjesë të Kosovës.

“Liria e lëvizjes duhet të mundësohet sa më shpejt që të jetë e mundur, me largimin e barrikadave nga rrugët, çfarë do të ishte në dobi të banorëve lokalë dhe pranisë ndërkombëtare si KFOR-i, EULEX-i dhe organizatat e tjera ndërkombëtare”, ka thënë zëdhënësja e EULEX-it, Irina Gudeleviq, duke bërë thirrje për heqjen e barrikadave.

Përfaqësues të EULEX-it, ata të KFOR-it, OSCE-së, UNMIK-ut dhe ata nga komunat paralele të veriut, pritet që të mërkurën të zhvillojnë një takim në Zveçan të veriut.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu