Kim Mehmeti: Gruevski i frikësohet reagimeve të Tiranës dhe Prishtinës

0
892

Kim MehmetiPublicisti i mirënjohur nga Maqedonia, Kim Mehmeti, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se protestat e sotme i kanë dërguar sinjal partive politike shqiptare në Maqedoni – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), se nëse vazhdojnë kësaj rruge, do të mbesin vetëm me kryesitë dhe familjarët e tyre. Ndërsa Gruevskit, sipas tij, protestat ia dërgojnë sinjalin se ai nuk mundet që me arrogancën e vet të tallet dhe t’i provokoj shqiptarët.

Mehmeti ka theksuar se reagimi i Gruevskit dhe i qeverisë së tij ndaj deklaratave të Prishtinës dhe Tiranës zyrtare, të cilat kanë kërkuar që Qeveria e Maqedonisë të jetë e kujdesshme me protestuesit, tregon një frikë të tij në raport me këto dy shtete (Shqipërinë dhe Kosovën).

“Në fillim Gruevski u mundua që protestat t’i ngjyros me ngjyra fetare, por kur e pau se kjo gjë nuk po pi ujë, u përpoq që këto protesta t’i paraqes si të organizuara nga Prishtina dhe Tirana, pra nga shqiptarët e jashtëm. Kjo ndodh sepse shefi i Qeverisë së Maqedonisë çdo herë mendon se shqiptarët këtu janë të dirigjuar nga Prishtina dhe Tirana. Kjo është strategjia e asaj mendësie se shqiptarët në Maqedoni i konsideron armiq të brendshëm të cilët vazhdimisht i komandon dikush nga jashtë”, ka thënë ai për Telegrafin.

Mehmeti ka thënë se për sjelljen e të parit të ekzekutivit të Maqedonisë kanë faj shqiptarët e Maqedonisë. Sipas tij, politika shqiptare në Maqedoni me veprimet e deritanishme të saj i ka treguar Gruevskit se është inferiore në raport me pushtetin e tij.

“Fatkeqësia e tij është se ai mendon që edhe politika shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri ndjehen inferiore në raport me shtetin fqinj. Sa i përket Prishtinës, ajo nuk ‘kollitet’ si duhet në raport me Gruevskin, ndoshta për shkak të raporteve të afërta që i ka kryeministri në largim i Kosovës me partinë shqiptare në pushtet, Bashkimin Demokratike për Integrim (BDI). Ndërsa, zëri i Tiranës zyrtare vazhdon të jetë shumë i fuqishëm dhe i qartë”, ka thënë ai.

Ndryshe, edhe sot janë zhvilluar protestat në Shkup, ku qytetarët shqiptarë e kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me dënimin e gjashtë bashkëkombasve të tyre me burgim të përjetshëm në rastin e njohur si “Monstra”. /Telegrafi/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu