KLD, Spahiu: Shqiptarët po konvertohen në grekë në jug të vendit!

0
355

GJIROKASTER Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë e ka cilësuar si një cenim të sovranitetit ndryshimin masiv të kombësisë nga ana e popullsisë shqiptare në atë greke, si pasojë e joshjes nga ana e shtetit fqinj. Spahiu zhvilloi një inspektim në gjykatën e rrethit të Gjirokastrës, duke u fokusuar në rrezikun e asimilimit të kombit shqiptar nëpërmjet vendimeve të gjykatave, të cilat janë të pabazuara në ligj.

Mbi 2000 qytetarë kanë bërë ndryshimin e kombësisë me vendim gjyqësor të gjykatës së Gjirokastrës dhe të Përmetit gjatë viteve të fundit, një shifër kjo tepër shqetësuese. Konkretisht në Gjirokastër numërohen mbi 1600 persona, të cilët kanë nderuar kombësinë, si dhe 469 në rrethin e Përmetit, kërkesa të cilat janë zbatuar në pesë vitet e fundit. Çdo veprim i tillë do të sjellë një tjetër problem, i cili vijon në procesin e regjistrimit të popullsisë. Ndërsa ky fenomen rritet ndjeshëm në momentin kur pritet të realizohet regjistrimi i popullsisë. Në një intervistë për ‘GSH’-në, Spahiu dënon ashpër një tendencë të tillë. “Shifrat e ndryshimeve të kombësisë janë alarmante, pasi kjo jo vetëm është e patolerueshme, por njëkohësisht mbart të tjera probleme të forta kushtetuese. Në çdo vend të BE-së njihen regjime juridike për ndryshimin e shtetësisë, por në asnjë rast ndryshimi i kombësisë, ajo është dhe mbetet një”, – shprehet Spahiu. Numri dy i KLD-së shprehet se një zgjidhje e mundshme është që të ribëhet ndryshimi ligjor, ndërsa bën të qartë se procesi i ndryshimit të kombësisë do të monitorohet nga institucioni që ai përfaqëson.
Z.Spahiu, cili është qëllimi i inspektimit në Gjykatën e Gjirokastrës dhe cila është problematika kryesore e evidentuar?
Jam këtu të ndaj me ju një shqetësim jo pak të vogël, i cili ka lindur që prej hyrjes në fuqi të ligjit “Për gjendjen civile” nga viti 2004 e më pas. Kjo është një tendencë, e cila në vitet e fundit ka ardhur në rritje. Lënia e kombësisë është një fenomen, i cili duhet parë edhe për mënyrën se si zbatohet ky ligj. Unë jam këtu për të parë nga afër punën në këto gjykata, të cilat kanë edhe numrin më të lartë të kërkesave për ndryshimin e kombësisë. Takimi me gjyqtarët e Përmetit e Gjirokastrës më tregoi rezervat e konsiderueshme për mënyrën se si është miratuar një ligj i tillë. Shifrat e ndryshimeve të kombësisë janë alarmante, pasi kjo jo vetëm është e patolerueshme, por njëkohësisht mbart të tjera probleme të forta kushtetuese. Në çdo vend të BE-së njihen regjime juridike për ndryshimin e shtetësisë, por në asnjë rast ndryshimi i kombësisë, ajo është dhe mbetet një. Në këto kushte ne duhet t’u bashkohemi parimeve evropiane, sepse ky fenomen i çuditshëm, i ndodhur vetëm në Shqipëri, mund të them me plot bindjen se rrezikon jo vetëm procesin e regjistrimit, por edhe sovranitetin e vendit.
Çfarë rreziku paraqet ndryshimi i kombësisë?

Ajo që mund të them është fakti që kombësia nuk vetëdeklarohet, por ajo provohet me akte të gjendjes civile e komponentë të tjerë. Duke qenë në një situatë që po i njëjti ligj ka liberalizuar pa kurrfarë emrash ndryshimin e emrit, mbiemrit e fesë, atëherë mund të vihen në diskutim çështje me rendin kushtetues, me drejtësinë penale e me personat në kërkim si dhe një problem etnik. Ndryshimi i kombit mund të shkaktojë asimilime të forta deri në sovranitetin e vendit. Në këtë mënyrë mohohet gjaku dhe parimi kombëtar.
Cilat janë masat pas konstatimit edhe në këto gjykata për këtë fenomen?

Duhet të krijojmë një proces transparent, të vëmë në dispozicion gjithë listën e personave që kanë bërë ndryshimin e kombësisë, së dyti të parandalojmë këtë proces nëse kemi raste korruptive apo veprime që bien ndesh në kundërshtim me legjislacionin shqiptar. Së treti, të standartizojmë brenda parametrave të BE-së dhe në linja kushtetuese, së katërti të verifikojmë nëse ka raste të cilat mund të procedohen, por në këtë të fundit ka disa pengesa të forta ligjore, që do të thotë se afatet e parashikimit nuk mund të kontrollohen, inspektohen dhe të vihen para përgjegjësisë gjyqtarë të çështjeve para pesë vitesh apo edhe për çështjet brenda këtyre viteve nëse këto vendime janë të formës së prerë apo nuk kanë pasur ankimime, ato kanë forcën e ligjit dhe janë të pakundërshtueshme.
A është e vonuar taktika për të ndërmarrë këto veprime që kanë për qëllim parandalimin e tendencës për lënien e kombësisë?
Ky është një problem i konstatuar tashmë, herët apo vonë unë kam bindjen që një ndërhyrje ligjore kushtetuese dhe administrative, jo vetëm që s’është e vonuar, por mjaftueshëm në kohë për të riparuar dëmet nga afera korruptive apo edhe nga gabime administrative ligjore të pavullnetshme për të standardizuar brenda parimeve të BE-së, e pse jo është koha kur duhet të rishikohet ligji. Jam këtu për t’ju thënë se tashmë çdo çështje për ndryshim kombësie do të jetë e vëzhguar e do të ndiqet nga afër nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu