Kleçka: Ua lene fajin ndërkombtareve

0
972

Rasti “Kleçka” nuk është në duart tona, atë e kanë ndërkombëtarët, pasi që atyre ua mundëson ligji të merren me rastet e rënda siç janë krimet e luftës. Po ashtu edhe rastin Zharku e kanë në duar ndërkombëtarët. Nuk ka ndërhyrje të drejtpërdrejta politike në vendimet e Gjykatës Supreme, por në mënyrë të tërthortë ka ndikime politike. Kështu deklaroi kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani, gjatë konferencës së fundvitit, ku ka paraqitur punën njëvjeçare të kësaj gjykate, duke thënë se kanë pasur probleme të mëdha sa i përket numrit të lëndëve.

Kreu i Supremes, Hasani, i pyetur për rastin “Kleçka”, për të cilin është thënë disa herë se ka ndërhyrje politike, ka pohuar se këtë rast e nuk e kanë gjyqtarët vendorë, por ata ndërkombëtarë të EULEX-it, edhe pse në përbërjen e trupit gjykues zakonisht ka edhe vendorë.

“Çështja ‘Kleçka’, ju e dini se është kompetencë ekskluzive e gjyqtarëve të EULEX-it. Me ligj veprat penale të natyrës së tillë që në një kohë ishin në UNMIK tash janë në EULEX dhe atë ligj e ka aprovuar Kuvendi i Kosovës dhe nuk ka ardhur ndonjë kompetencë nga jashtë”, ka thënë ai.

Sikurse për “Kleçkën”, ashtu edhe për rastin e ish-kryetarit të Kaçanikut, Xhabir Zharku, Hasani ka thënë se ndërkombëtarët e kanë në shqyrtim atë rast. I pyetur pse nuk i janë marrë dokumentacionet Zharkut, kur dihej se ai ka pasur edhe pasaportë suedeze, Hasani ka thënë se organet e ndjekjes nuk e kanë parë të arsyeshme ta bëjnë një gjë të tillë, pasi që ai në çdo thirrje të drejtësisë i ishte përgjigjur deri në çastin e fundit.

Duke marrë parasysh se ka pasur disa raste ku është vlerësuar se kishte interferim të politikës, Hasani ka thënë se deri më tani ndërhyrjet kanë qenë të natyrës indirekte.

“Nëse kuptohet interferim, ndikim vetëm ajo që një ministër ose njeri me fuqi politike e sjell një telefon ose e thërret një gjyqtar në zyrë dhe i thotë se duhet të bësh kështu e ashtu. Nëse e konsideroni vetëm këtë ndërhyrje, unë nuk e di që ka pasur dhe jam i bindur se nuk ka pasur. Por, ndërhyrje janë edhe presionet edhe komentimet. Ju e dini se shpesh kur janë nxjerrë vendime, gjykata ju e dini se kanë thënë se është vendim politik. Të gjitha këto mund të konsiderohen në aspekte të ndryshme si ndërhyrje”, ka thënë ai.

Ai e ka përmendur rastin e kryetarit të Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemajlit, për të cilin rast ka thënë se nuk di që ndokush prej gjyqtarëve ka pasur presion prej ndokujt. Por, Hasani thotë se ndoshta do të ndodhnin edhe raste të tilla po të merreshin me rastet e rënda me të cilat po merren gjyqtarët e EULEX-it.

Ai ka kritikuar edhe procesin e reformave në sistemin gjyqësor të Kosovës, duke e quajtur atë si shumë të ngutshëm, duke krijuar në këtë mënyrë hapësirë për çalime.

“Kur është filluar procesi i reformave, nuk është menduar shumë, nuk është menduar një strategji e mirëfilltë, nuk është bërë ndonjë fizibilitet që të studiohet mirë, por është shkuar me nguti. Për mua është pak me nguti, pak me shpejtësi dhe kriteret kanë qenë pak a shumë kritere që është dhënë mundësia të ketë edhe çalime dhe defekte të tilla”, ka thënë ai.

Kurse, sa u përket të arriturave dhe problemeve që i ka pasur Gjykata Supreme e Kosovës, kreu i saj ka thënë se problem kryesor ka qenë numri i madh i çështjeve, ndërsa numri i pakët i gjyqtarëve.

Në vitin 2012, sipas Hasanit, kjo gjykatë i ka pasur të deponuara 3422 lëndë nga viti paraprak, kurse deri më 1 dhjetor të vitit 2012 kanë ardhur edhe 4212 çështje, që do të thotë se gjithsej lëndë në këtë gjykatë kanë qenë 7634 çështje të lëmenjve të ndryshme.

Mirëpo, për këtë periudhë, Hasani ka thënë se i kanë zgjidhur 4034 lëndë dhe kanë ngelur pa u kryer edhe 3398 çështje, prej të cilave 2114 lëndë do të barten në gjykatat themelore dhe në gjykatën e apelit, për shkak se që nga 1 janari do të fillohet me reforma të reja, kështu që Gjykata Supreme do të shkarkohet nga shumë çështje dhe ato do të kalojnë të gjykatat e nivelit themelor dhe të gjykata e Apelit.

Hasani ka shtuar më tej se nëse bëhet krahasimi i vitit 2011 më 2012, Gjykata Supreme i ka kryer 700 çështje më tepër sesa në vitin 2012.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu