Klosi: Luftën e UÇK-së e shihja ndryshe nga Sali Berisha!

0
442

Ish- shefi i SHIK-ut, Fatos Klosi i është kundërpërgjigjur zëdhënëses së Qeverisë së Shqipërisë dhe ministres, Majlinda Bregu, në lidhje me akuzat për trafikim armësh dhe shkarkim të tij nga kjo detyrë.

“Për sa i takon akuzës së trafikut të armëve, që unë paskam bërë, duhet t’i kujtoj zonjës Bregu se luftën për çlirimin e Kosovës unë e kam konsideruar dhe trajtuar në mënyrë shumë të ndryshme nga ç’e trajtoi shefi i saj. Unë nuk i kam parë kurrë luftëtarët e UÇK-së si “marksistë të pandreqshëm” por i kam konsideruar si djem e vajza, që po rrezikonin jetën për një kauzë, që duhet ta përkrahnim të gjithë shqiptarët”

Ish- shefi i SHIK-ut, Fatos Klosi i është kundërpërgjigjur zëdhënëses së Qeverisë dhe ministres, Majlinda Bregu në lidhje me akuzat për trafikim armësh dhe shkarkim të tij nga kjo detyrë.

“Lufta me ushtrinë serbe në Kosovë, nuk bëhej me llastiqe dhe unë kam bërë atë që më është dukur më e mira për kombin tim, shpesh, edhe duke u përplasur me shefat e mi. Nuk e di me se merrej zonja Bregu në atë kohë, se sa për shefin saj, e di mirë”, ka thënë Klosi.

Mazhoranca reagoi dje për herë të parë në lidhje me lëvizjen e kreut të SHISH. Pse mendoni se heshti kaq gjatë?

Klosi: Mendoj se arsyeja lidhet me reagimin e menjëhershëm dhe lakonik të aleatëve tanë të mëdhenj, sipas të cilëve, lëvizja e bërë i kish befasuar, për “mënyrën dhe kohën e zgjedhur”. Prandaj përgjigja e Qeverisë duhej të ishte e kujdesshme, dhe, pas reagimeve më të qarta prej tyre. Ato reagime, mesa duket janë lënë për më vonë, prandaj Qeveria iu përgjigj vetëm reagimeve të medias dhe opozitës, se s’mund të priste më. Tani ishte koha më e përshtatshme, kur të gjithë ata, që e kundërshtuan më parë, ishin me pushime.

Në reagimin e parë, z. Bregu me cilësinë e zëdhënëses së Qeverisë, deklaroi se PS kish zgjedhur në krye të SHIK Fatos Klosin, ish- anëtarë i Kryesisë së PS. Si është e vërteta në këtë rast?

Klosi: Zonja Bregu është bërë politikane dhe ekziston si e tillë vetëm nën hijen e shefit të saj. Ajo foli me gjuhën e shefit, që për të është gjithçka, pavarësisht nëse ato që i kanë thënë të thotë, janë apo jo të vërteta. S’ka rëndësi, ashtu i duhen shefit. Unë nuk kam qenë në asnjë forum, sado të vogël të PS-së, që nga dita kur hyra në të, në qershor 1996 e gjer kur u largova, se fillova detyrën në SHIK, në gusht 1997.

Zonja Bregu në deklaratën e saj ju akuzoi se keni qenë në ndjekje nga Sigurimi sekret shqiptar, për bashkëpunim me agjenci të huaja sekrete dhe për trafikun e armëve. Jeni përgjuar për periudhën 92-97 dhe si i përgjigjeni akuzave të Z. Bregu?

Klosi: Më erdhi mirë që zonja Bregu më përmendi në deklaratën e saj, sepse më tregoi se ato që thashë tek “Zëri i Amerikës” për problemin, ishin të vërteta dhe kishin bërë efekt. Dua t’i ritheksoj zonjës Bregu, se shefi e ka futur në një hulli gënjeshtrash, që vetëm ai di t’i sajojë. Këto akuza i kam dëgjuar për herë të parë sapo isha emëruar kryetar i SHIK-ut nga goja e shefit të zonjës Bregu dhe më pas i lexova tek 55 dhe pastaj prapë i dëgjova prej shefit të saj shumë herë, edhe gjatë deklarimit të tij në Komisionin hetimor parlamentar në vitin 2002, kur tashmë, unë isha shkarkuar nga detyra. Dhe atje ai i përsëriti këto dhe plot gënjeshtra të tjera. Nga asnjë tjetër, nuk i kam dëgjuar ndonjëherë, as i kam lexuar gjëkundi në arkivat e shtetit shqiptar këto përralla bajate.

Për sa i takon akuzës së trafikut të armëve, që unë paskam bërë, duhet t’i kujtoj zonjës Bregu se luftën për çlirimin e Kosovës unë e kam konsideruar dhe trajtuar në mënyrë shumë të ndryshme nga ç’e trajtoi shefi i saj. Unë nuk i kam parë kurrë luftëtarët e UÇK-së si “marksistë të pandreqshëm” por i kam konsideruar si djem e vajza, që po rrezikonin jetën për një kauzë, që duhet ta përkrahnim të gjithë shqiptarët. Lufta me ushtrinë serbe në Kosovë, nuk bëhej me llastiqe dhe unë kam bërë atë që më është dukur më e mira për kombin tim, shpesh, edhe duke u përplasur me shefat e mi. Nuk e di me se merrej zonja Bregu në atë kohë, se sa për shefin saj, e di mirë.

Ndërkohë që ajo deklaroi se shkarkimi i juaj është bërë nga kryeministri Majko për trafiqe. Si qëndron e vërteta, kush ju shkarkoi dhe përse u shkarkuat nga kreu i SHISH ?

Klosi: Edhe kjo është një gënjeshtër. E vërteta është se mua më ka shkarkuar Z. Moisiu, me propozimin e Z. Nano, në gusht të vitit 2002, pra dhjetë vjet më parë. Edhe për Z. Moisiu duhet të ketë qenë një nga dekretet e para që firmoste, njëlloj si z. Nishani. Bile, ai as më thirri në zyrë, por ma dërgoi dekretin me postë. Unë nuk e di të vërtetën, por kam bindjen, nga shpejtësia e firmosjes së dekretit, se shkarkimi im ishte vendosur që para zgjedhjes së z. Moisiu, ishte një nga premtimet që i bëri Berishës dhe Nanos, kur e bënë president. Ishte koha e idilit të shkurtër dhe absurd, midis Berishës dhe Nanos. Armiqësia e Nanos ishte thjeshtë personale. Atij ia mbushën mendjen, servilët që kishte rrotull, se një emision në ciklin e emisioneve të “Ajsbergut” të Artur Canit, ishte sajuar dhe paguar nga unë. Nga kurioziteti e kërkova regjistrimin e emisionit dhe e pashë vetëm të nesërmen e transmetimit. Ideja që kisha kontribuar unë në atë emision, ishte një ide absurde dhe absolutisht e pavërtetë. U përpoqa t’ia sqaroj këtë gjë Nanos, por, ishte aq i zëmëruar nga emisioni dhe ideja se e kisha sajuar unë, sa nuk pranoi asnjë sqarim. Veç kësaj, pak kohë më pare, unë i kisha refuzuar idenë që kishte për t’u bërë president që në vitin 2002, por gjithsesi, lidhja ime me emisionin ishte absurditet.

Më erdhi keq atëherë që Z. Moisiu, nuk kërkoi të sqarohej kurrë pse gjithë ai inat i z. Nano më mua, megjithëse për përbërjen e Qeverisë së tij, tre ditë më parë, ma kish kërkuar opinionin.

Është folur shumë për bashkëpunëtorë të shërbimit sekret, por dhe të agjenturave të huaja në Shqipëri. Mendoni se duhen të zbardhen veç dosjeve të Sigurimit të Shtetit dhe ato të SHIK-ut të Gazidedes dhe ato të UDB dhe të shërbimeve të tjera?

Klosi: Për sa i takon hapjes së dosjeve të sigurimit unë e kam thënë shumë herë opinionin tim, nuk ka mbetur ndonjë gjë e madhe për t’u hapur. Le të përdoret eksperienca e gjermanëve, me dosjet e STAS-it. Dosjet e zbulimit dhe të kundërzbulimit janë pjesa më delikate e dosjeve, ato sigurisht që nuk duhen hapur, por, shteti gjatë emërimeve të ndryshme, mund dhe duhet ti konsultojë, për të qenë më i sigurt se, me kë ka të bëjë. Duhet patur parasysh dhe një rrethanë, në kundërzbulim, d.m.th në Shërbimin e zbulimin të agjentëve të huaj, puna mbetet, në shumicën e rasteve, në dyshime, herë më të forta e herë më pak, dhe rrallë ka përfunduar deri në dënimin e të dyshuarve. Megjithatë, shteti duhet t’i dijë dhe dyshimet, që kanë patur dhe kanë institucionet e tij, qoftë dhe Sigurimi i Shtetit, për personat, që emëron në detyra të larta.

Ka në Kuvend dhe në Qeveri bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, të SHIK-ut të Gazidedës dhe të shërbimeve të huaja?

Klosi:Kjo është një pyetje për drejtuesit e SHIK-ut dhe jo më për mua.

Z. Visha ka qenë zëvendësi i Gazidedes dhe njeri i besuar i Berishës, mendoni se do të jetë i pavarur në veprimtarinë e tij si kreu i SHISH.

Klosi: Ai ka një favor, e ka eksperiencën e punës me Berishën, e ka dhe eksperiencën e emigracionit pasonjës, kështu që mund të zgjedhë si të dojë. E këshilloj të jetë më i kujdesshëm se radhën e parë, ka kaluar shumë kohë, dhe mjaft gjëra kanë ndryshuar, tani dhe shërbimi është shumë më i monitoruar, nga ç’ishte atëherë.

Z. Visha si shtetas kanadez për 12 vite me radhë është betuar për besnikëri ndaj kurorës britanike, mes të tjerave. Mendoni se duhet zbardhur minimalisht historia e këtyre 12 viteve, pasi përfaqëson shërbimin sekret shqiptar në raport me partnerët e NATO-s dhe SHBA?

Klosi: Nuk di asgjë për faktin se është apo jo shtetas kanadez. Në ligjin që kam lënë unë, ky problem nuk është prekur pasi atëherë, kur u bë ligji, as që mund të imagjinohej, që një person, që kish qenë për shumë vjet jashtë Shqipërisë, apo më keq, që mbante një shtetësi të huaj, të hynte në SHIK, jo më të ishte drejtues i tij. Nuk më duket normale, qoftë dhe në aspektin formal moral, që një person që ka jetuar shumë vite jashtë vendit të zgjidhet në këtë detyrë. Ka Shqipëria plot djem e vajza, që nuk e kanë këtë “cen”.

Si do të jetë ndikimi i zgjedhjes së kreut të ri të SHISH në demokracinë shqiptare por dhe në zgjedhjet në Shqipëri?

Klosi: Për sa i takon demokracisë ajo është tashmë e cenuar rëndë, pavarësia e pushteteve me kohë është kthyer në një përrallë. Për sa i takon zgjedhjeve unë i trembem “eksperiencës” së drejtorit të ri dhe sidomos detyrave dhe prioriteteve, që do t’i caktojë shefi i tij. Uroj ta kem gabim dhe atëherë, unë do t’u kërkoj falje të dyve. (shqiptarja)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu