Koalicioni i adhëshem: PDK – LDK

0
500

Ethet e zgjedhjeve tashmë kanë nisur e bashkë me to edhe matematikat për koalicionet eventuale. Partia e kryeministrit Hashim Thaçi e ka mirëpritur gatishmërinë e kryeopozitarit, Isa Mustafa, që pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të mundë ta qeverisin bashkë vendin. Madje, zyrtarët e lartë të partisë në pushtet, thonë se PDK-LDK janë subjekte që i takojnë profilit të djathtë politik dhe koalicioni në mes tyre nuk është i pamundur.

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, një ditë më parë nuk e ka përjashtuar mundësinë e koalicionit edhe me PDK-në e Hashim Thaçit pas zgjedhjeve parlamentare, edhe pse ka deklaruar se ky nuk do të ishte një opsion i mirë. Ndonëse, LDK e Mustafës ka qenë kundër çfarëdo koalicioni me PDK-në, megjithatë tashmë nuk përjashtohet një mundësi e tillë, edhe pse sipas kryeopozitarit demokracia e këtij vendi nuk mund të fuqizohet nëse do të jenë së bashku në pushtet, përderisa LDK ka theksuar ai, është duke punuar shumë për t’i fituar zgjedhjet dhe se nuk po mendojnë për humbje.

E nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, duke iu referuar deklarimit të fundit të Mustafës për mundësinë e bashkëqeverisjes në mes PDK-së e LDK-së, tha se është herët të flitet për koalicione paszgjedhore, derisa theksoi se në parim një koalicion me LDK nuk është i pamundur. “E vërteta është se LDK sikurse edhe PDK janë parti që i takojnë profilit të djathtë politik dhe në parim një koalicion me LDK nuk është i pamundur. Por, prapë po them se është shumë herët të flitet për aleanca paszgjedhore, të cilat do të përcaktohen edhe nga afërsia e programeve. Po, ajo çka dua të them është se PDK synon të hyjë e vetme në zgjedhje dhe s’kemi fije dyshimi se do të dalim subjekti i parë politik”, ka thënë Çitaku.

Ndërkaq, për analistin politik, Behxhet Shala, në kohën kur partitë politike tashmë kanë nisur fushatat parazgjedhore, është krejtësisht normale që të dalin edhe deklarime të tilla për koalicione eventuale në mes PDK-së dhe LDK-së. “Kjo është lojë, garë dhe fushatë politike, dhe në këtë drejtim është krejtësisht normale. Në politikë nuk ka dashuri, por ka interes. Nëse këto dy parti kanë interes për të qeverisur me vendin, atëherë sigurisht se edhe mund të bëhen bashkë”, ka thënë ai. Madje, sipas Shalës nëse në të ardhmen do të kishim një koalicion në mes PDK dhe LDK-së, atëherë ai tha se kjo bashkëqeverisje në mes tyre do të ishte e pranueshme për vendorët, e sidomos për ndërkombëtarët, pasi që do të garantonte një stabilitetit politik.

“Mendoj se Isa Mustafa sikurse në zgjedhjet e fundit nacionale që kundërshtoi koalicionin me PDK-në, edhe tash po e luan mirë lojën, sepse tashmë po vlerëson se kanë ndryshuar rrethanat, prandaj edhe ka dalë me një qëndrim të tillë që është krejtësisht normal dhe këtu nuk shoh asgjë të keqe. Ai njeri që hyn në politikë me një qëndrim të cilin asnjëherë nuk e ndryshon, e ka të garantuar dështimin në politikë”, ka thënë analisti Shala.

Ky i fundit megjithatë ka shfaqur mendimin e tij se koalicioni i ardhshëm qeverisës do të ndërtohet nga partia e Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt. “Pas zgjedhjeve të përgjithshme do të shohim një koalicion në mes dy partive të luftës dhe konsiderojë se në këtë drejtim ekziston madje një marrëveshje e heshtur në mes liderëve të PDK-së dhe AAK-së. Mendoj se niveli qendror do ta kemi këtë koalicion, në qoftë se në ndërkohë nuk ndodhë ndonjë zhvillim i paparashikuar. Pra, jam më se i sigurt, apo thënë 99 për qind se pas zgjedhjeve të ardhshme qendrore koalicioni i pushteti do të përbëhet PDK-AAK”, ka thënë analisti politik, Behxhet Shala.

Sidoqoftë, partia e kryeministrit Hashim Thaçi tashmë ka mandatin e dytë të qeverisjes më vendin, derisa partia e Isa Mustafës është renditur e dyta në zgjedhjet e fundit parlamentare. Pikërisht rreth mundësisë se një koalicioni në mes LDK-së dhe PDK-së, kohë më parë pati ironizuar sekretari i LDK-së, Ismet Beqiri, i cili pati deklaruar se partia e tij nuk e ka as në hartën e saj bashkëqeverisjen me partinë e Hashim Thaçit. “Siç thotë populli ‘veç mos paçim asnjë rrugëdalje’. E unë besoj që do të kemi rrugëdalje që të mos qeverisim me PDK-në. Bashkë nuk kemi asnjë arsye. Përvoja nuk është e mirë me ta dhe këtij vendi i duhet alternativa dhe LDK-ja mendoj se e ka fuqinë edhe t’i fitojë zgjedhjet”, pati thënë Beqiri.

Nga. Lumturie Blakaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu