Koalicioni PDK-AAK në janar

0
700

(E plotësuar) Koalicioni në mes forcave politike të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, PDK-së dhe AAK-së pritet të zyrtarizohet në janar të 2013-s. Mundësia për bashkëqeverisje në mes partisë së kryeministrit aktual, Hashim Thaçit, dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës të Ramush Haradinajt veçse është çështje e përfunduar, porse ka mbetur që dy liderët partiakë të ulën dhe të merren vesh për ndarjen e “kulaçit” në qeveri.

Ndonëse ditëve të fundit janë shtuar zërat për ndryshime në koalicion qeverisës, burime ndërkombëtare kanë konfirmuar të martën për gazetën “Zëri” se zyrtarizimi i “martesës” në mes partive të krahut të luftës po i numëron ditët.

“Çështja e koalicionit PDK-AAK do të zyrtarizohet menjëherë në janar”, ka thënë një zyrtar i lartë ndërkombëtar në kushte anonimiteti.

Edhe pse zyrtarët e lartë të partisë së kryeministrit Hashim Thaçi janë më të rezervuar në deklarimet e tyre rreth ndryshimeve në qeveri, në anën tjetër partia e Haradinajt shprehet në favor të lidhjes së koalicionit me PDK-në.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i cili është edhe nënkryetar i PDK-së e ka gjuajtur “topin” te dy liderët e dy forcave politike, sipas të cilit gjithçka do të sqarohet në bisedimet ndërmjet tyre.

“Qeveria dhe kryeministri Thaçi po funksion në kuptimin normal demokratik. Natyrisht se qeveria dhe kryeministri kanë raporte të relaksuara dhe pozitive me tërë skenën politike, përfshirë edhe AAK-në. Do t’i shohim mundësitë më të mira për qeverinë, institucionet, por edhe për partitë respektive”, ka thënë i dyti i PDK-së.

Mirëpo, më transparente në këtë drejtim duket AAK-ja e Haradinajt. Ky i fundit me t’u kthyer nga Tribunali i Hagës, i cili u shpall i pafajshëm për krime të lufte, tha se e ka ndërmend të hyjë në Qeveri.

“Edhe kryetari e ka konfirmuar se AAK është e interesuar në marrjen e përgjegjësive në qeverisje, por momentalisht jemi duke punuar në planin ideor, i cili ende s’ka përfunduar, por që është në zhvillim e sipër. Në momentin që do të ketë diçka konkrete rreth koalicionit qeverisës, ne do të jemi shumë transparentë dhe do ta bëjmë publike për opinionin”, ka thënë për gazetën këshilltari i parë i Haradinajt, Avni Arifi.

Nga ana tjetër, njohësit e rrethanave politike nuk kanë mundur të parashikojnë kohën se kur do të zyrtarizohet koalicioni i partive të dala nga lufta e UÇK-së, por Nexhmedin Spahiu ka ironizuar duke thënë se “kemi të bëjmë me lojtarë politikë, të cilët nëse nuk janë aq të aftë për ta drejtuar shtetin në mënyrë të duhur, janë shumë të aftë për të bërë prapaskena politike dhe t’ia hedhin njëri-tjetrit në lojërat që zhvillohen rreth pushtetit”.

Mirëpo, jo të gjithë e “përqafojnë” idenë e koalicionit në mes PDK-së dhe AAK-së. Vetë nënkryetari i partisë së kryeministrit Hashim Thaçi, Rrustem Mustafa, është shprehur kundër një koalicioni të tillë.

“Ka përqafim në mes të PDK-së dhe AAK-së. Ky përqafim po shihet. Në politikë mund të ndodhin gjëra të cilat edhe parashihen. Por, nuk ia dëshiroj vendit tim një koalicion të tillë dhe nuk besoj në funksionimin e mirë të tij”, ka Mustafa për mediat kosovare.

Megjithatë, deputeti nga PDK-ja, Bekim Haxhiu, i cili njihet në opinion si “Kamishi” personalisht është ithtar i bashkëqeverisjes më partinë e Haradinajt. “Kosova në këto procese nëpër të cilat po kalon, ka nevojë për afrim të partive, me qëllim të tejkalimit të sfidave të përbashkëta. Personalisht mendoj se në këtë fazë ka nevojë për një koalicion më të gjerë”, ka thënë Haxhiu.

Edhe njëri nga ish-zyrtarët e SHIK-ut, i cili nuk ka parapëlqyer që t’i përmendet emri, i ka konfirmuar gazetës se konsultat për bashkëqeverisje në mes PDK-së dhe AAK-së janë duke vazhduar dhe shumë shpejtë pritet zyrtarizimi i lidhjes së “kurorës”.

E krejt në këtë situatë partia që udhëhiqet nga Behgjet Pacolli, që është edhe partner i koalicionit ka shprehur gatishmërinë që të tërhiqet nga koalicioni qeverisës nëse një gjë të tillë e kërkon PDK-ja. Sidoqoftë, mundësia për një koalicion mes PDK-së dhe AAK-së ka kohë që përflitet në opinion, por shumëçka është sqaruar në momentin kur AAK dërgoi Blerim Shalën si koordinator politik në bisedimet me Serbinë.

Megjithatë, kryetari i grupit parlamentar për Evropën Juglindore në Bundestagun gjerman, Peter Weiss (CDU) i ka këshilluar Haradinajt mos të kthehet menjëherë në politikë.”

Mendoj se për përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës do të ishte e mençur nëse zoti Haradinaj tani nuk do të kthehej menjëherë në politikë në Kosovë. Ndoshta do të ishte më mirë të qëndronte pak mënjanë”, ka thënë Weiss, në një intervistë për Deutsche Welle.

 

Nga Lumturie Blakaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu