Koha për një patriotizëm modern

0
721

Në vijim të debatit të ngritur kohëve të fundit për rolin e patriotizmit në shoqëri, vlen të theksohen e të sqarohen disa veçori domethënëse të historisë shqiptare, që për arsye objektive e bëjnë nacionalizmin tonë ndryshe nga diskutimi që mbizotëron në nivel ndërkombëtar. Gjysmëshekulli komunist, kombinuar me dy dekadat e rrëmujshme të tranzicionit postkomunist, kanë bërë që patriotizmi shqiptar të ketë një shkëputje nga tradita e rilindësve dhe të mos evoluojë siç ka ndodhur në mënyrë të natyrshme në vende të tjera, që nuk kanë pasur fatin tonë të keq të kenë këto gropa të errëta historike. Forcat politike tradicionale të periudhës para komunizmit, si Balli Kombëtar apo Legaliteti, nuk ia dolën të reformoheshin dhe t’i përshtateshin nevojave të kohës, ngelën në forma rudimentare e romantike dhe për rrjedhojë, u nxorën nga loja politike.
Rilindësit kishin një projekt të qartë bashkimi kombëtar dhe shtet-formimi, mirëpo trajektorja që duhej ndjekur asokohe dhe mjetet që duheshin përdorur, dallojnë shumë nga trajektorja dhe mjetet që lypen sot. Kështu, për shembull, një ndër sfidat kryesore ka qenë masivizimi i vetëdijes kombëtare te një popullsi që në atë kohë ishte e organizuar në milete me bazë fetare. Prandaj evokimi i elementëve të lashtësisë dhe trashëgimisë autentike shqiptare i shërbente pikërisht këtij qëllimi. Kështu pra veprimtarë të shumtë theksuan gjuhën shqipe si shenja bashkuese mes nesh dhe dalluese ndaj të tjerëve, si dhe autoktoninë tonë në këto troje. Shtjefën Gjeçovi hodhi hapat e para në folkloristikë dhe mblodhi kanunin jo vetëm për të nxjerrë në pah trashëgiminë tonë të veçantë, por edhe për të theksuar që ne kemi edhe trashëgimi juridike ndryshe nga fqinjët. Mirëpo kjo nuk është më sfida jonë kryesore, sepse tanimë identiteti i shqiptarit nuk vihet më në dyshim si dikur. Argumentet e historisë prehistorike dhe pretendimet e origjinës sonë pellazgjike sot s’kanë peshën e mëparshme, sepse historia si shkencë ka evoluar shumë prej atëherë dhe nuk i gëlltit lehtë pretendimet e mëparshme. Për më tepër, sot më shumë peshë luajnë argumente që lidhen me historinë bashkëkohore, të drejtat e njeriut, marrëdhëniet dhe jurisprudencën ndërkombëtare, ekonominë etj., sesa me historinë e antikitetit.
Një tjetër problem që vihet re me patriotizmin tonë sot, është se ai është kryesisht reaktiv kryesisht pas ndonjë ngjarje apo elementi të fortë, që e provokon dhe që historikisht ka qenë një kërcënim i madh i copëtimit dhe pastrimit etnik. Që në gjenezën e lëvizjes sonë kombëtare, sfidat kanë qenë të tilla, që kanë kushtëzuar konsolidimin e një nacionalizmi reaktiv e difensiv, një shtrëngim i radhës përkundrejt një rreziku të përbashkët. Kur Ismail Qemali udhëtonte nëpër Europë për pavarësinë e Shqipërisë tregonte se shqiptarët banonin në afërsisht 75000 km² dhe në të paktën 55000 ishin shumicë dërrmuese. Sot shqipja flitet vetëm në gjysmën e territorit të para një shekulli dhe kjo tregon qartazi kalvarin në të cilin ka kaluar kombi ynë. E vërteta është se sot, kërcënimi që vjen nga fqinjët dashakeqe në epokën moderne manifestohet në forma më të rafinuara dhe kamufluara. Kjo mund të ndodhë nëpërmjet penetrimit dhe dominimit të tregut tonë prej kompanive greke e serbe apo nëpërmjet akteve simbolike, si varrezat apo shkollat greke në Jug dhe jo më me vrasje e djegie siç ndodhte dikur me andartët grekë në Jug e çetnikët në Veri. Pra për sfidat e reja duhen përdorur taktika të reja mbrojtje e ballafaqimi. Ushqimi i patriotizmit vetëm me urrejtjen apo rrezikun që na vjen prej të tjerëve ka bërë që patriotizmi të humbasë domethënien dhe frymëzimin e brendshëm që i takonte të kishte. Ne na duhet të kemi një patriotizëm të fortë edhe në moment paqeje e jo vetëm kur kumbon kushtrimi. Dhe këtu del një tipar tjetër i patriotizmit të shumë shqiptarëve që kanë përqafuar një lloj patriotizmi part-time. Patriotizëm që manifestohet vetëm në momente ekstreme apo në momente ekzaltimi. Flitet për patriotizëm, kur gjysma e kombit tonë në Kosovë është në flakë apo kur raporti i Dick Marty-t njollos keq imazhin e kombit tonë, mirëpo në jetën e përditshme e folura patriotike jo vetëm që zhduket krejt, por trajtohet si blasfemi. Ne na duhet patriotizmi si ideal, si një mision, si një destinacion ku duhet të arrijmë, duke punuar në mënyrë të palodhur e jo si një mjet mobilizues i përdorshëm vetëm në nevoja ekstreme.
Që patriotizmi të jetë efikas për sfidat e së ardhmes, ai nuk duhet të ushqehet vetëm duke ngritur zërin për praninë e kudondodhur të armiqve të huaj që kërcënojnë vendin. Jo se nuk janë të pranishëm, por se në rastin e Shqipërisë, është vënë re se shpesh shqiptarët janë të parët armiq dëmtues të Shqipërisë. Patriotizmi bashkëkohor nënkupton një ndjesi të theksuar mirënjohje për paraardhësit, por edhe një sens të fortë kritike për defektet e trashëguara. Sokrati dikur thoshte që “patriotizmi nuk kërkon që individi të pajtohet me gjithçka që bën vendi i tij, por promovon shtrimin e pyetjeve analitike dhe kritikave që synojnë ta bëjnë vendin sa më të përparuar që të jetë e mundur”. Ajo që duhet dalluar mirë është se vendi dhe qeveria janë dy gjëra të ndryshme dhe ndonjëherë vendi duhet mbrojtur edhe nga qeveria jote, nëse kjo e fundit nëpërkëmb interesat e vendit dhe të popullit. Madje vëmendja e tepruar te të huajt u jep më shumë mundësi abuzuesve vendas, bashkëkombësve bukëshkalë, që të shesin interesat e vendit dhe ta rrënojnë shtetin dhe kombin. Prandaj veshja kuqezi dhe mbajtja e simboleve kombëtare nuk është mjaftueshëm, të qenurit patriot i mirëfilltë nënkupton shumë më tepër. Madje shpesh ata që hiqen e shiten si patriotët më të mëdhenj me paraqitjen dhe retorikën e tyre, janë shpesh edhe tradhtarët apo nëpërkëmbësit më të mëdhenj të interesave kombëtare, dhe maskën patriotike e mbajnë pikërisht për të fshehur mungesën e patriotizmit të vërtetë.
Patriotizmi duhet të mos jetë ekskluzivisht i lidhur me të kaluarën, por të jetë më shumë një projekt i së ardhmes dhe që lidhet më shumë me projektin e bashkimit kombëtar, konsolidimin e shtetit dhe progresin e kombit tonë, sesa me kërcënimet konkrete nga fqinjët apo hatërmbetjet historike. Kjo përkthehet me përpjekjet që synojnë forcimin e lidhjes brenda kombit tonë, zhvillimin e ekonomisë, zbatimin e ligjit, funksionalitetin e institucioneve shtetërore, përmirësimin e imazhit të vendit në nivel ndërkombëtar, rritjen e rolit të Shqipërisë në arenën botërore, çuarjen përpara të shkencës, artit e kulturës shqiptare, ruajtjen dhe restaurimin e monumenteve dhe trashëgimisë sonë folklorike, forcimin e krenarisë dhe vetëdijes sonë kombëtare, si dhe përqafimin e vlerave universale si liria, demokracia, zbatimi i ligjit dhe respektimi i të drejtave të njeriut. Prandaj sot Shqipëria ka nevojë të rimëkëmbë vetëdijen kombëtare dhe të kultivojë një patriotizëm modern full-time, që të përkthehet jo në deklarata boshe patetike e romantike, por në një angazhim qytetar intensiv të çdo individi, në një mobilizim politik që të synojë çuarjen e vendit përpara, në një solidaritet dhe një përgjegjësi më të fortë qytetare dhe në një mospajtim, distancim, indinjatë dhe revoltim ndaj padrejtësive dhe abuzimeve që kryhen në vendin tonë.

 

Adri NURELLARI

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu