
Ndonëse, Ministria e Shëndetësisë është duke bërë thirrje vazhdimisht që mos të pranojmë mysafir në shtëpi për shkak të pandemisë, COVID-19, Rrahim Pacolli, ish-sekretari i Aleancës Kosova e Re (AKR), para dy ditësh ka pas disa mysafir në shtëpinë e tij.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Pacolli ka postuar një fotografi me Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, në foto shihen edhe këshilltari politik i Veselit, Adri Nurellari dhe këshilltari i tij, Valmir Klaiqi, shkruan Gazeta Insajderi.
Në mbishkrim të kësaj foto, Pacolli ka shkruar se i kanë respektuar të gjitha masat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
“Sot gjatë ditës kisha kënaqësinë ta kam musafir në shtëpinë time kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli. Duke respektuar rregullat e OBSH-së për të qëndruar në distancë, diskituam për mënyrat e tejkalimit të kësaj sfide. Miqt e mi, mbani distancën dhe kujdesuni për veten dhe të afërmit dhe mbani pastërtinë”, ka shkruar Pacolli.
Mirëpo, ende asnjë palë nuk kanë sqaruar publikisht se cila ka qenë arsyeja e këtij takimi.
Ministria e Shëndetësisë vazhdimisht është duke bërë apel tek qytetarët që mos të pranojnë mysafir në shtëpinë e tyre, po ashtu edhe të afërm.
“Personat e moshuar dhe fëmijët të ndahen nga anëtarët tjerë të familjes, nëse ka mundësi secili të bëjë gjumin në shtratin e vet dhe të shfrytëzojë banjo personale, mos pranoni vizita nga të afërmit dhe miqtë në shtëpi”, kishte thënë gjatë një konference ministri Arben Vitia.