Kokëdhima: Shqipëria të licensojë prodhimin e kanabisit për industrinë farmaceutike

0
770

kokdhima

Deputeti i Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima gjatë mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, ku diskutohej buxhetin për Ministrinë e Bujqësisë ka propozuar që Bashkimi Evropian të subvencionojë bujqësinë shqiptare me 250 milionë dollarë në vit dhe Shqipëria të licensojë prodhimin e kanabisit për industrinë farmaceutike.

Lidhur me çështjen e kanabisit, Kokëdhima theksoi se, BE duhet të subvencionojë bujqësinë shqiptare me 200-250 milionë dollarë çdo vit për një periudhë 5-vjeçare. Në këtë kuadër, deputeti i PS-së pyeti ministrin e Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti nëse ka menduar për të paraqitur një plan tek aleatët europianë për të siguruar këtë mbështetje.

– Pyetjet –

Po shfrytëzoj mundësinë të parashtroj këtu vlerësimin dhe komplimentet e mia për punën tuaj si ministër zoti Panariti, punë të cilën e vlerësoj shumë.

Pyetja e parë: A keni menduar ju që ta ndryshoni skemën e dështuar të vaditjes përmes shoqatave të vaditjes që është aktualisht në fuqi? Kjo është një situatë që ju e njihni shumë mirë. Edhe kolegët besoj e njohin po kaq mirë. Ne duam të dimë se, me çfarë skeme funksionale do të zëvendësohet kjo situatë dështimi dhe komprometimi, për çdo projekt që sipërmarrësit mund të ngrenë në bujqësi?

Pyetja e dytë: Ju bëtë një bashkëbisedim të gjerë dhe këtu kam parasysh dikasterin tuaj dhe të gjithë institucionet në varësinë tuaj, gjatë periudhës gusht-shtator me të gjithë aplikantët për subvencione në bujqësi dhe blegtori, në jug të Shqipërisë. Në këtë bashkëbisedim dolën një sërë çështjesh të rëndësishme, që kushtëzojnë suksesin dhe zhvillimin e bujqësisë.

Katër vepra u kualifikuan si emergjenca në fushën e vaditjes: 1-Kanali vaditës ‘Thoma Filipeu’; 2- Rezervuari i Janjarit; 3-Vepra vaditëse “Kallarat Vranisht-Tërbaç”; dhe 4-Kanali vaditës i Kalasës, në Komunën e Rëzomës. Ky i fundit është rindërtuar me kredi të Bankës Botërore, por asnjëherë nuk është vënë në punë. Këto katër vepra vënë nën ujë Vurgun, bregdetin, labërinë dhe të gjithë zonën e Konispolit e Xarrës. Pa këto vepra vaditëse, çdo projekt dhe çdo ëndërr projekti që mund të ngrihet për bujqësinë në jug do të rezultojë një dështim.

Keni planifikuar ju në buxhetin e 2015 të rregulloni e vini në punë ndonjë nga këto vepra? Në se jo, a keni ndër mend që ti rregulloni në një kohë të caktuar, në një datë të caktuar, në një periudhë të caktuar? Mund ta bëni publike se kur mendoni ju ti rregulloni këto vepra?

Pyetja e tretë: Pyetjen tjetër e kam nga ‘zona’ e kanabisit. Kjo është pak e komplikuar për ta diskutuar, sepse njerëzit janë shumë të kompleksuar kur flasin për tema të tilla. Unë dua ta shoh këtë çështje në një këndvështrim tjetër nga ai që është trajtuar rëndom deri tani. Qeveria e 23 qershorit bëri një luftë të një rëndësie të madhe dhe e çliroi Shqipërinë nga imazhi shkatërrues si vendi i narkotrafikut në Europë. Kjo luftë ktheu nën kontrollin e shtetit dhe qeverisë çdo pëllëmbë të territorit të vendit, ç’armatosi e shpërbëri disa banda të armatosura dhe ktheu nëpër burgje shumë kriminelë, që nuk duhet të ishin të lirë. Por këtu dua ta shoh çështjen nga një këndvështrim tjetër. Qeveria jonë ka raportuar që ka shkatërruar 7.5 miliardë euro drogë dhe se prodhimi vjetor i kanabisit në Shqipëri ishte në një shifër shumë të lartë. Padyshim që një pjesë e këtyre të ardhurave, një shifër disafish më e madhe sesa shifra tejet modeste që parashikon buxheti ynë i vitit 2015 për subvencione e investime në bujqësi, ishte e destinuar për bujqërit që merreshin me prodhimin e kanabisit. Ndëshkimet penale nuk janë zgjidhje e vetme për të gjithë këta bujq që nuk kanë gjetur një rrugë tjetër për të nxjerrë jetesën e tyre. Zhvillimi për këto zona duhet të ishte një alternativë dhe një motivim i mirë që këta njerëz të mos ëndërrojnë më për kanabis dhe të mos na shohin ne si shkatërruesit e jetës dhe të punës së tyre.

Ka një plan real ministria juaj për të zhvilluar me përparësi zonat e hartës së djeshme të kanabisit, të cilat e kishin kanabisin të vetmen rrugë jetese?

Së dyti, kanabisi që prodhonin ilegalët e lirë në Shqipëri, padyshim që eksportohej në Europë. Por unë dua të kujtoj që në Europë, në Itali, Holandë, etj., ka shumë prodhues kanabisi apo opiumi me licenca dhe leje nga shtetet, për interesa farmaceutike, të cilët paguajnë taksa. Në shumë vende të botës së zhvilluar prodhohen bimë të tilla me leje e licenca. Në Europë tashmë njihet varianti shqiptar i kanabisit, i prodhuar nga kjo veprimtari ilegale në Shqipëri, një kanabis shqiptar që ka karakteristikat dhe vlerat e veta në treg. A keni menduar juve që ta ruani këtë vlerë dhe të liçensoni për eksport, për industrinë farmaceutike një prodhim të arsyeshëm fermerësh vendas që të paguajnë taksa dhe të zhvillojnë këtë veprimtari nën kontrollin e plotë të shtetit? A mund të rishikoni ju legjislacionin për këtë çështje?

Fshatarët që kanë kultivuar kanabis nuk janë kriminelë. Këta fshatarë janë pragmatistë. Ata nuk entuziazmohen nga planet tona afatgjata dhe afatmesme të zhvillimit të bujqësisë. Ata kanë nevojë për punë, ushqim, para, shëndet, siguri jete e ekonomike sot. Ç’mund t’ju themi ne gjithë fshatarëve të zonave bujqësore që s’kanë ujë, siç përmenda më lart? A mund t’ju themi atyre të presin disa vite të tjera derisa ne të gjejmë para për të rregulluar veprat vaditëse? Ata duhen mbështetur çdo vit me zgjidhje, përndryshe do bëhen kundërshtarët tanë. Ne gjithashtu nuk duhet të kemi hezitim të flasim hapur për problemet tona, pa pasur frikë se mund të dukemi si të asociuar me çështje të tilla të ndjeshmërisë shumë të lartë si droga. Ku shkonte droga që prodhonte Shqipëria? Në Europë, në Itali, Gjermani e gjetkë. Ne, me këtë luftë të madhe dhe me pasoja shumë të rënda social-ekonomike për vete, kemi bërë një investim të madh në luftën e këtyre vendeve ndaj trafikut të drogës. Këto vende duhet të na ndihmojnë me grante në Buxhetin e shtetit, për të investuar e subvencionuar bujqësinë me 200-250 mln dollarë në vit, të paktën për 5 vjet rresht. Kështu do mund të ndihmojmë fshatarët të jetojnë me bujqësi.

A keni menduar zoti ministër për të paraqitur një plan tek aleatët europianë për të siguruar këtë mbështetje?

/Shekulli Online/F.S./

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu