Kolegji, përplasja e fundit për Tiranën

0
723

Lufta ligjore për bashkinë e Tiranës sapo ka hyrë në fazën vendimtare. Dje Kolegji Zgjedhor ka hedhur shortin për pesë gjyqtarët, të cilët do të shqyrtojnë padinë e tretë të socialistëve. Në këtë kërkesë padi kundërshtohen në mënyrë direkt dy vendimet e KQZ-së për ndryshimin në tavolinë të rezultatit për Tiranën. Shorti ka përzgjedhur si relator gjyqtaren Dhurata Haveri, dhe katër kolegët e saj janë Shashenka Jonuzi, Marie Qirjazi, Meriban Mullaj dhe Astrit Kalaja.

Juristët e PS-së pohuan dje se kjo është çështja reale e zgjedhjeve. Dy paditë e para kanë qenë më shumë si një fazë përgatitore, ndërsa vendimi për padinë e tretë ndan përfundimisht çështjen e zgjedhjeve. Dy paditë e para janë përdorur më shumë si një formë presioni ndaj KQZ-së për të ndaluar procesin e ndryshimit të rezultatit në tavolinë, strategji e cila nuk funksionoi.

Edhe nëse do të ishte fituar padia e dytë, ajo për rivlerësimin e fletëve në kutitë e gabuara, thjesht do të ishte fituar një betejë, por jo e gjithë “lufta”. Vendimi përfundimtar varet vetëm nga padia e tretë ku Kolegji Zgjedhor do të shprehet për dy elementët thelbësorë të të gjithë çështjes: A janë të vlefshme votat e hedhura në kutinë e gabuar dhe mospërputhja e numrit të votave me numrin e njerëzve që kanë votuar më 8 maj.

Rëndësia duket edhe nga fakti se për herë të parë në këtë proces zgjedhor, padia është firmosur nga vetë kryetari i partisë, Edi Rama. Në rastet e tjera paditë janë firmosur nga Sekretari Ligjor, Fatmir Xhafa.

Në padinë e saj PS theksohet se pretendimi kryesor është cenimin e standardit kushtetues që i ka bërë KQZ-ja të drejtës për një proces të rregullt ligjor. “Ne i kemi orientuar të gjitha pretendimet tona në drejtim të shkeljeve të rënda që ka konsumuar KQZ-ja gjatë të gjithë procesit administrativ, shkelje të cilat konsistojnë kryesisht në drejtim të standardeve kushtetuese, dhe që e drejta për një proces të rregullt ligjor i lidh me parimet e sipërcituara dhe veçanërisht me kompetencën, juridiksionin dhe paanshmërinë e organit, marrjen e atributeve të organeve të tjera, procedurën ekstra ligjore të ndjekur, mos arsyetimin e vendimeve nga organi kompetent, thelbin e së drejtës së ankimit etj”,- thuhet në kërkesën e PS-së.

Në padi është shpjeguar në mënyrë të detajuar çfarë ka ndodhur pas numërimit të kutisë së fundit në Tiranë dhe vendimit të të djathtëve për të mos firmosur tabelën përmbledhëse. Për socialistët, kjo është shkelja e parë. Sipas tyre, shkeljet kanë vijuar në datën 23 maj, kur KQZ ka vendosur ndryshimin e tabelave përmbledhëse të nëntë minibashkive të Tiranës. Por kjo gjë është cilësuar si në kundërshtim me ligjin pasi vetë KQZ, shtatë ditë më parë ka miratuar procedurën e nxjerrjes së rezultatit. Procedura parashikon që rezultati për Tiranën të nxirret nga të dhënat e transmetuara nga vendet e numërimit të votave. Në rastin konkret kjo gjë nuk ka ndodhur.

Sipas socialistëve, dy vendimet e KQZ-së për ndryshimin e rezultatit janë në kundërshtim me ligjin dhe më konkretisht me nenet 116, 117, 118, 119 dhe 123 të Kodit Zgjedhor. “Mbi këtë arsyetim të KQZ që përcakton veten si organ i administrimit të Zonës Zgjedhore Bashkia Tiranë, rezulton se KQZ ka vepruar në kapërcim të kompetencave të saj dhe vendimet e marra për ndryshimin e tabelave të rezultateve për 117 QV janë të kundërligjshme. Ligji lejon KQZ-në të bëjë vetëm veprime matematikore”,- thuhet në kërkesë.

Një tjetër pretendim i socialistëve është edhe fakti se vlerësimet e bëra nga KQZ në procedurën hetimore lidhur me vlefshmërinë apo pavlefshmërinë e fletëve të votimit të kontestuara dhe në kutinë e gabuar janë në kundërshtim me përcaktimet e Kodit Zgjedhor. Fletët në kutitë e gabuar nuk janë të llojit, formës, madhësisë dhe ngjyrës të fletës së votimit që duhet të jetë në atë kuti, dhe sipas nenit 117 të Kodit Zgjedhor janë të pavlefshme. “Kontestimi që mund të behet është i pavlerë dhe s’ka asnjë rëndësi për këtë rast, pasi vetë ligji i ka cilësuar qartë të pavlefshme këto fletë të ndryshme nga ato të miratuara për të qenë në atë kuti votimi”,- thuhet në kërkesën e PS-së.

Një tjetër pikë ku duket se po mbahen fort socialistët është fakti i “misterit” të 357 fletëve të votimit. Në 117 kuti janë zbuluar 357 fletë më shumë se sa votues. “KQZ, nga hetimi dhe vlerësimi i fletëve të votimit për kryetar Bashkie në 117 kutitë ku ka ndërhyrë, ka vlerësuar 357 fletë votimi më shumë se vullnete të shprehura. Nga tabela përfundimtare nuk përputhet asnjë komponent i mësipërm, që do të thotë se tabela përfundimtare e rezultatit është një tabelë alogjike në lidhje me shifrat dhe nuk mbështetet mbi të dhëna reale.

Nëse KQZ do kishte vepruar në zbatim të nenit 123 për nxjerrjen e rezultatit përfundimtar duke u referuar tek tabelat 11 minibashkive dhe procesverbaleve të 485 grupeve të numërimit, rezultati do të ishte real”,- thuhet në kërkesë.

Skënder Gjinushi

“Populli dhe raporti i ODIHR janë të vetmet që japin drejtësi në këtë rast. Është mënyra se si kanë votuar ata. Nuk është debat, as PS, PD-je, as Rama – Basha. Ky është debat nëse ky popull lejohet ta ushtrojë votën me rregulla, apo numërohen si t’i dojë qejfi dikujt. Ky popull di ta mbrojë votën, sepse e mbrojti edhe në ’96-ën”

Damian Gjiknuri

“Vetë hetimi administrativ i KQZ-së ka mangësi, sepse ka konkluduar qe kanë gjetur rreth 395 fletë më shumë, se sa vullnete të shprehura. Të gjitha këto cenojnë vendimin për miratimin e tabelës përfundimtare. Ne kemi argumente të detajuara për t’i paraqitur në seancë, pavarësisht nëse ata janë të gatshëm për t’i dëgjuar”

Djali i Tom Ndrecës, punësim dhe gradim ‘rrufe’

* * *
Me të përfunduar Fakultetin e Drejtësisë, Alibeaj e punësoi Erion Ndrecën si specialist pranë zyrës së dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve politik. Me ardhjen e Bujar Nishanit në krye të institucionit të drejtësisë, djali i gjyqtarit Tom Ndreca u emërua inspektor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të çështjeve të Drejtësisë…

Dihet sa e vështirë është për të rinjtë në Shqipëri të gjejnë një punë sapo marrin diplomën. Por jo për të gjithë. Djali i anëtarit të Kolegjit Zgjedhor Tom Ndreca, përshembull, Erion Ndreca, është punësuar në Ministrinë e Drejtësisë sapo është diplomuar. Emërimi është firmosur në kohën kur ministër ishte Enkelejd Alibeaj.

Ndoshta është “rastësi fatlume”, por një vëzhgim i datave, bën me dije që z.Nreca është rritur në detyrë nga Ministri pasues Nishani, pikërisht pas zgjedhjeve të vitit 2009, kur Kolegji mori vendimin e famshëm të moshapjes së kutive, pavarësisht se ligji sanksiononte hapjen e tyre me kërkesë të dy anëtarëve të KQZ-së.

Djali i gjykatësit Ndreca kryente detyrën e specialistit pranë zyrës së dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve politikë. Me ardhjen e Bujar Nishanit në krye të ministrisë (Nishani u emërua në shtator 2009), Erion Ndreca është ngritur në detyrë. Ai u emërua inspektor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Çështjeve të Drejtësisë, konkretisht inspektor pranë Drejtorisë së Inspektimit të Prokurorisë. Edhe sot ai vazhdon të kryejë të njëjtën detyrë.

Siç e theksuam, ai është marrë në punë në ministri vetëm pak kohë pas përfundimit të studimeve për jurisprudencë. Vetë anëtari i Kolegjit Zgjedhor, Tom Ndreca i lindur në Mirditë ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë. Ai është diplomuar në fakultetin e Drejtësisë në Tiranë, në vitin 1979. Stazhin e ka kryer në hetuesinë e Bajram Currit.

Më pas, për dhjetë vite me radhë ka ushtruar detyrën e juristit në ish-Komitetin Ekzekutiv të Kukësit. Në vendin e lindjes punoi për tri vite fillimisht si prokuror i sektorit gjyqësor dhe më pas prokuror rrethi. Në 1994 emërohet gjyqtar i gjykatës së Apelit në Tiranë, detyrë të cilën e ushtron prej 16 vitesh.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu