Komandant Teli, heroi i UÇK që kërkohej nga Interpoli

0
2779

Dhjet vjetë pas ngjarjes tragjike të njohur si “tradhëtia e madhe e Gazi Babës” në Shkup, autoritetet shqiptare dhe ato të vendit fqinj s’kanë sqaruar ende jo vetëm rrethanat dhe motivet e kësaj masakre, por as statusin e njërit prej heronjëve më të njohur të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Komandant Teli. Shqiptarët e Kosovës, Luginës së Preshevës dhe Maqedonisë e konsiderojnë Komandant Telin si një ndër luftëtarët më të paepur që dha jetën për çlirimin e trojeve shqiptare nga ushtria sërbe dhe ajo maqedone. Ndërsa në Shqipëri emri i tij është lënë në errësirë të plotë, duke iu hequr thjeshtë një vizë e kuqe nga lista e personave më të kërkuar nga Interpoli. Po kush fshihet pas emrit të mbuluar me lavdi “Komandant Teli” dhe pse udhëheqësit e shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni dhe në shtetin amë Shqipëri përpiqen ta shmangin sa më shumë të jetë e mundur, madje ta lënë në harresë të plotë? Më 7 gusht 2007 mbushen plotë gjashtë vjetë nga ekzekutimi i Komandant Telit dhe pesë ushtarëve të tij prej forcave speciale maqedone në lagjen Çair të Shkupit. Për këtë përvjetor bashkëluftëtarët e Komandant Telit dhe banorë të trevave ku ai ka drejtuar trupat elitë të UÇK-së po përgatisin një ceremoni përkujtimore. “Çuditërisht” në vendlindje, Shqipëri, Komandant Teli është i vetmi dëshmorë i vrarë jashtë kufirit shtetëror për të cilin autoritetet nuk organizojnë asnjëlloj ceremonie, madje as që guxojnë tia përmendin emrin.
Heroi
“Vrasja e Komandant Telit dhe shokëve të tij është fitorja më e madhe e ushtrisë dhe policisë maqedonase gjatë tërë luftës së vitit 2001 midis ushtarëve të UÇK-së dhe forcave të sigurimit maqedonas”, do të shprehej pas ngjarjes ish-ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, antishqiptari Lube Boshkovski. Por një fat jo më të mirë fati do të rezervonte dhe për njeriun e cilësuar si dora e fortë e armatës maqedone ndaj luftëtarëve shqiptarë të UÇK-së, Lube Boshkovski, i cili sot ndodhet pas hekurave të burgut si një kriminel ndërkombëtar lufte. Nëse interesohesh se kush është Komandant Teli në Kosovë e Maqedoni apo në faqen e internetit të ish-luftëtarëve të UÇK-së informacioni që mëson është ky:”Lefter Bicaj (Komandant Teli) ka lindur në vitin 1969 në Poliçan(Skrapar) të Beratit në Shqipëri. I martuar, baba i dy fëmijëve, një djali dhe një vajze. Ka qenë pjestarë i dalluar i njësitit për kryerjen e detyrave speciale “BRISKU” në Shqipëri, po ashtu edhe në luftërat në Kosovë dhe në Preshevë. Kulminacioni i trimërisë së tij arrihet në luftën e 2001-shit ku si komandant i njësisë speciale që mbante emrin e tij “Teli” mbetet legjendë e paharruar e kombit shqiptarë. Me strategjine dhe shkathtësinë që tregoi në luftimet nëpër betejat më të ashpra si në Sllupcan, Matec dhe Haraçinë u bë i njohur dhe i dashur për të gjitha ata që ishin bashkë me të. Më 7 gusht 2001 u vra në një tradhëti me pesë bashkëluftëtarë me të ngushtë të tij në Gazi Babë të Shkupit. U varros në vendlindje në Berat-Shqipëri”.
I kërkuari
Po kush është në të vërtetë identiteti i Komandant Telit dhe pse emri i tij përbën një bezdi për autoritetet shqiptare? Nga investigimi i kryer prej “Gazetës Shqiptare” rezulton se emri i vërtetë i Komandant Telit në zyrën e gjëndjes civile të vendlindjes dhe vendbanimit të tij, nuk është Lefter Bicaj, por Lefter Goxhaj. Ai ka lindur në Novaj të Skraparit, fshat shumë pranë qytetit të Poliçanit. Lefter Goxhaj nuk ka qenë asnjëherë pjestarë i policisë shqiptare dhe ca më tepër efektiv i repartit special BRISKU. Në arshivat e Policisë së Shtetit dhe drejtësisë shqiptare rezulton se Lefter Goxhaj është një person i skeduar prej vitesh ai autor i disa krimeve të rënda, duke përfshirë grabitje me armë dhe vrasje. Goxhaj pas viteve 90 ka emigruar në Greqi ku është arrestuar për vrasje dhe është dënuar me burgim të përjetshëm. Ai u arratis nga burgu ku vuante dënimin dhe u kthye në Shqipëri gjatë trazirave të marsit 1997. Goxhaj u shfaq në vendlindjen e tij Skrapar dhe shumë shpejt krijoi një bandë të armatosur e cila do të kryente disa grabitje me armë duke shkaktuar dhe të vdekur. Viktima më i njohur i bandës së tij do të ishte intelektuali Albert Lajthia, nëndrejtor i gjimnazit “Ramiz Aranitasi” të Çorovodës dhe njëkohësisht kryetar i degës së Partisë Socialdemokrate të Skraparit. Policia e Skraparit dhe e Beratit do të kryenin disa aksione të njëpasnjëshme për arrestimin e tij dhe pjestarëve të tjerë të bandës, por do të dështonin, madje duke patur dhe dy policë të plagosur. Pikërisht këto fakte kanë ndikuar që emri i tij të mos përmendet në asnjë rast në Shqipëri, as si hero për çlirimin e viseve të banuara nga shqiptarët jashtë kufirit shtetëror dhe as si një shumë i kërkuar ndërkombëtar nga Interpoli.

 

Shkruan, Artan Hoxha

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu