Komandantët: Të zbardhet lista e veteranëve

0
700

UCK

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) pajtohet që të ketë hetim rreth dyshimeve për fryrjen e listave, por që kjo të mos ndodhë tani.

Kjo Organizatë ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që në konto të veteranëve të dalin mjetet edhe në muajt e këtij viti. Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Smajl Elezaj, ka thënë se në takimin që kanë pasur me kryeministrin i kanë bërë kërkesë që të dalin mjetet e pagesës për muajin shtator. “Kemi kërkuar që të mos ketë vonesa për pagesën e veteranëve”, tha ai. Elezaj ka thënë se po ashtu kanë kërkuar që të gjenden mjetet për të kryer pagesën edhe për muajt e tjerë të këtij viti. Ai tha për “Zërin” se kanë biseduar edhe rreth deklarimeve të fundit lidhur me dyshimet se listat janë fryrë me veteranë të pamerituar, madje, sipas tij, është kërkuar nga institucionet që të mos propagandohet rreth dyshimeve me lista. Elezaj nuk ka mohuar këto dyshime se listat janë fryrë, mirëpo ka deklaruar se për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike dhe papunësisë me të cilën përballen veteranët sivjet të shkohet me pagesat sipas listave ekzistuese. Ndërsa ka bërë të ditur se pastaj mund të fillohet me verifikimin e listave në të ardhmen. Elezaj po ashtu ka mohuar se ka dhënë dorëheqje nga Kryesia e Shoqatës për Prishtinën. Sipas tij, atyre u ka kaluar mandati dhe pritet që organet e reja të zgjidhen. Një ditë më parë në adresë të medieve ka ardhur një njoftim nga udhëheqësia e Degës së Shoqatës së Veteranëve të Luftës në Prishtinë se dorëheqja ka ardhur si arsye e parregullsive dhe numrit të shtuar të veteranëve nga disa ish-bashkëluftëtarë të Zonës së Llapit. Kurse akuza për fryrjen e listave ka pasur dhe nga vetë kryeministri Isa Mustafa, i cili ka thënë në medie se në këto lista ka njerëz që gjatë kohës së luftës nuk kanë pasur më shumë se 6 ose 7 vjet. “Nuk kemi ne mjete t’ua paguajmë e një zgjidhje politike sepse këto lista nuk janë lista të vërteta, janë lista mbi baza politike që janë formuar sepse ka informata se aty ka njeri që ka marrë statusin e veteranit që në kohë të luftës i ka pasur 6 vjet apo 7 vjet”, ka thënë Mustafa. Por nga kryeministri njohësi i çështjeve të sigurisë, Fadil Kajtazi, ka kërkuar që t’i pastrojë listat e veteranëve. “Kryeministri Mustafa duhet t’i pastrojë listat e veteranëve”, ka shkruar Kajtazi në rrjetin e tij social “Facebook”. Madje ai ka akuzuar komandantët e luftës se janë fajtorë për rritjen e numrit të veteranëve. “Fajtorë për fryrjen e numrit të veteranëve të luftës janë komandantët. Prandaj për t’i shmangur problemet me veteranët dhe me buxhetin kryeministri me një vendim duhet ta largojë nga lista e veteranëve kuadrin komandues nga niveli i shtabit të përgjithshëm, brigadave dhe batalioneve”, ka thënë Kajtazi. Ai thotë se në fakt për këto nivele komanduese Kuvendi i Kosovës duhet të miratojë një ligj, i cili lejon krijimin e një gjykate ushtarake, e cila do t’i gjykonte kushtet dhe rrethanat në të cilat janë realizuar të ashtuquajturat “tërheqjet taktike”.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu