Komisioni Qendror i zgjedhjeve angazhohet per vjedhjen dhe manipulimin e votave ne Komunen e Vitise

0
695

Deklaratat dhe zotimet e përditëshme të KQZ-së për organizimin e një procesi të rregulltë zgjedhor në Kosovë po demantohen si askund tjetër me rastin e Vitisë. Dega e PDK-së në Viti, konform ligjit për partitë politike, dhe në përputhje me Statutin e PDK-së kishte përzgjedhur dhe propozuar kandidatin për kryetar komune dhe kandidatët për Këshillin (kuvendin) komunal brenda afatit ligjor. KQZ-ja, në bashkëpunim me Basri Musmuratin (sekretar për manipulime dhe falsifikime në PDK), në mënyrë ilegale, jasht organeve të PDK-së dhe jashtë afateve ligjore) ka ndryshuar dhunshëm listën e Degës së PDK-së të kandidatëve për këshilltarë komunalë dhe formularin ose kandidatin për kryetar komune! Sipas ligjit për partitë politike, neni 16, pika1 “partia e regjistruar politike siguron pjesëmarrje demokratike të anëtarëve të partisë në zgjedhjen e kandidatëve elektoralë të partisë”. Ndërsa sipas nenit 16, pika 2 “kandidatët e partisë së regjistruar politike në zgjedhjet për kuvendin komunal zgjedhen nga dega ose degët e partisë në atë komunë, në përputhje me statutin e partisë”. Të njëjtën gjë ka paraparë dhe sanksionuar edhe statuti i Partisë Demokratike të Kosovës. Megjithatë, Basri Musmurati (që nuk na habit fare), në bashkëpunim të ngushtë me KQZ-në dhe nën ndikimin njerëzve dhe grupeve të nëntokës, në kundërshtim të plotë me ligjin dhe statutin e partisë kanë bërë lista dhe propozime për kandidatë sipas dëshirës dhe shijes së tyre pa pyetur për Degën e PDK-së në Viti, pa pyetur për organet dhe vendimet e partisë dhe pa pyetur për ligjet në fuqi! Sekretari për manipulime dhe falsifikime i PDK-së, Basri Musëmurati dhe institucioni i “pavarur”, KQZ-ja, nuk u ndalën me kaq.

Për t’u “siguruar” vota e kandidatëve të tyre ndryshuan edhe listën e komisionerëve të Degës së PDK-së, duke certifikuar komisionerë, ose më saktë “komisarë” për vjedhjen dhe manipulimin e votave në Viti! Skandaloze! As është parë dhe as është dëgjuar që institucioni përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve (KQZ) të përfshihet kaq hapur dhe kaq dhunshëm në manipulimin e procesit zgjedhor! Kjo dhunë dhe kjo padrejtësi skandaloze ndaj Degës së PDK-së dhe Vitisë përbën cenim serioz të sistemit dhe rendit tonë politik e juridik, përbën kërcënim serioz për demokracinë e këtij vendi. Frikë dhe kërcënim për demokracinë përbën edhe heshtja e organeve të PDK-së dhe “miratimi” në heshtje i këtyre shkeljeve dhe i kësaj dhune ndaj Degës së PDK-së në Viti. “Statuti, rregullat dhe rregulloret e partisë na duhen për edukimin dhe diciplinimin e anëtarëve tanë, në mënyrë që kur ta marrim pushtetin të qeverisim me frymën e ligjit”, thotë njëri nga politikanët dhe qeveritarët e njohur, Toni Bleri.

Dega e PDK-së dhe qytetarët e Vitisë u bëjnë thirrje organizatave të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare që mbikëqyrin rregullsinë e procesit, por edhe mbarë shoqërisë civile, që të reagojnë dhe dënojnë dhunën, arbitraritetin, voluntarizmin, shkeljen e ligjeve të republikës, nëpërkëmbëjen e vlerave demokratike e civilizuese të vendit dhe popullit tonë. Dega e PDK-së dhe qytetarët e Vitisë shprehin indinjatën e tyre dhe dënojnë publikisht përpjekjet e KQZ-së dhe të Basri Musëmuratit për manipulimin dhe vjedhjen e votave në komunën e Vitisë. Parregullsive, mundësive për manipulim dhe vjedhje të votave gjatë këtij procesi zgjedhor i kontribuojnë edhe listat e votuesve, të cilat nuk janë pastruar dhe nuk janë të sakta. Përgjegjësia për këto lista të votuesve bie mbi qeverinë. Dera hapur për manipulime i është lënë edhe Serbisë me listat e votuesve. Këto dhe shumë arsye, shkaqe dhe rrethana të tjera e bëjnë pak të besueshëm këtë proces të rëndësishëm zgjedhor për Kosovën.

 

Nga, Xhevat BISLIMI*

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu