Kompanitë e huaja marrin naftën, qeveria shqiptare merr “leshtë”

0
828

Vendimet e rëndësishme në lidhje me veprimtarinë e sh.a-ve siç është përshembull “Albpetrol-i”, merren nga bordet drejtuese, të cilat sipas rregullit duhet të përbëhen nga specialistë të fushës. Situata në ndërmarrjet më të mëdha sh.a, por edhe kontrollet e ushtruara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit kanë nxjerrë në pah se bordet kanë devijuar plotësisht nga qëllimi primar i tyre duke u kthyer në një vend për një punë të dytë apo të tretë kryesisht për zëvendësministrat, këshilltarët e Kryeministrit apo të ministrave apo edhe të të afërmve të tyre.

Edhe në rastet kur ekspertiza është, ajo shmanget për t’i hapur rrugën realizimit të qëllimeve shpesh herë korruptive. Një shembull tejet negativ në lidhje me këtë na vjen nga ajo ç’ka ka ndodhur në Bordin e “Albpetrol” pak vite më parë tek miratohej plani i zhvillimit i një kompani të huaj që ushtron aktivitet sot në Shqipëri në sektorin e naftës. Mësohet se marrëveshja u hodh fillimisht poshtë nga oponenca teknike, por për çudi edhe të një pjese të anëtarëve të bordit, ajo kaloi disa muaj më vonë. “Në dhjetor të vitit 2009, në bordin e Albpetrol-it shkuan planet e zhvillimit për kompaninë në fjalë. U hodh menjëherë poshtë pas verifikimit të pasaktësive të mungesës së garancisë financiare të kompanisë. Më pas pamë që e njëjta gjë me disa rregullime estetike u miratua pavarësisht mendimit të oponencës teknike”, shpjegon për gazetën një ekspert, njohës i mirë i këtij sektori. “Ne kemi bërë oponencën teknike të planit të zhvillimit të asaj kompanie. Ia hodhëm poshtë, pasi pamë që ishte një copy-paste e një tjetër kompanie për një zonë tjetër. I thamë kjo që keni sjellë nuk është plan zhvillimi dhe e kthyem. Më vonë nuk mora vesh se si kaloi”, – shpjegon një tjetër ekspert nafte, pjesëmarrës në grupin e oponencës teknike për planit e zhvillimit të një kompanie nafte.

Mësohet se në tabelat e investimeve, kishte shpenzime të pa arsyetuara duke rritur kështu masën e shpenzimeve. Kjo është një nga skemat e ndjekura nga disa kompani, të cilat i shmangën më pas pagesës së tatim-fitimit në arkën e shtetit duke dalë vazhdimisht me humbje. “Prandaj edhe qeveria duhet të kryejë auditimin teknik të këtyre kompanive për të parë në terren se sa dhe si është investuar”.

Sh.a-të i drejtojnë zv.ministrat, drejtorët dhe besnikët e partive

Por çfarë ndodh me bordet e tjera? Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer një kontroll të posaçëm për këtë tek Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës gjatë vitit të shkuar. Kjo ministri, është përgjegjësja për një numër të madh ndërmarrjesh sh.a njëkohësisht ka të drejtën e emërimit të më shumë anëtarë bordesh krahasuar me ministritë e tjera. Nga kontrolli doli se emërimet e kryera, jo vetëm nga METE por edhe ministri të tjera janë bërë jashtë çdo kornize ligjore duke vendosur në poste të tilla persona që s’kanë asnjë lidhje me sektorin që do të mbikëqyrin. Sipas raportit, më shumë se një organ mbikëqyrjes, bordet drejtuese ishin kthyer në zyra punësimi kryesisht për zv.ministrat, këshilltarët, drejtorët e drejtorive etj., nga e cila ata siguronin një pagë të dytë apo të tretë. Rroga në këto borde nuk zbret nën 22 mijë lekë në muaj pavarësisht numrit të mbledhjeve të realizuara.

Kontrata, kompanitë e naftës s’dalin kurrë me “fitim”

Privatizimi i “Albpetrol-it”, i cili solli në vëmendjen e publikut por dhe të specialistëve edhe vjeljen e detyrimeve nga kompanitë që kanë aktualisht marrëveshje hidrokarbure me shtetin shqiptar, shihet me hije dyshimi nga një pjesë e mirë e njohësve të fushës. Për vite me radhë, kompani të huaja dhe vendase shfrytëzojnë pasuritë nëntokësore duke u mjaftuar vetëm me pagesën e rentës minerare, ndërsa me marifete të ndryshme arrijnë t’i shmangen pagesës së tatim-fitimi, i cili është 50 për qind për naftën dhe më pak për pasuritë e tjera minerare.

Riza Aleti është Profesor në Fakultetin e Gjeologji-Minierave në Universitetin Politeknik të Tiranës. Ka një eksperiencë 40 vjeçare në sektorin e naftës dhe është një ndër njohësit më të mirë të tij në vend. Është i vetëdijshëm që shteti shqiptar nuk do të mund të vjelë asnjë lekë edhe në të ardhmen tatim-fitimi duke njohur mënyrën se si janë përpiluar kontratat dhe mungesën e kontrollit ndaj kompanive në fjalë. Përballë kësaj situate, eksperti sugjeron një formë tjetër të vjeljes së detyrimeve: rritjen e rentës minerare në 20 për qind siç është edhe eksperienca ndërkombëtare. “Forma se si janë realizuar kontratat, po përmend këtu atë të vitit 2004, por edhe të tjerat që pasuan më vonë, lejojnë kompanitë që të mos paguajnë tatim-fitimi. Edhe nëse i vendosim një grup auditi, nuk dimë se sa ndershmërisht do të bëhet puna prej atyre që do të bëjnë pjesë. Kështu, është më mirë që shteti të rrisë nivelin e rentës minerare nga 10 për qind që është sot, në 20 për qind duke mundësuar të ardhura të mira për buxhetin. Në këtë mënyrë, pavarësisht prodhimit që bën kompania, shteti vjel të ardhurat e parashikuara. Them këtë pasi kështu është edhe eksperienca ndërkombëtare, por edhe nëse sektori do të administrohej nga shteti, zor se mund të arrihej një fitim neto i tillë duke marrë parasysh edhe koston e lartë”, – shpjegon Profesori.

Krahas kësaj, ai kërkon bërjen e një bilanci vjetor nga ana e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës në lidhje me të ardhurat totale që përfiton buxheti i shtetit nga shfrytëzimi i pasurive nëntokësore. “Të dimë sa të ardhura mbledhim në një vit nga i gjithë ky shfrytëzim”, – vijon Aleti.

I pyetur se si e sheh privatizimin e “Albpetrol-it” por edhe bashkëngjitjen e “Listës C” me vendburimet perspektive, Aleti shpjegon se privatizimi është pozitiv por shteti duhet të përcaktojë qartë detyrimet e kompanive në kontratë. “Licencat e kërkimit janë pozitive për vendin. Çështja është se qeveria duhet të përcaktojë qartë termat e kontratës në momentin kur kompania kalon nga kërkimi në shfrytëzim”, – përmbyll ai.

S’ka kontroll, kompanitë “shijnë” me pasuritë nëntokësore

Qeveria me zor po pret të gjejë një blerës për “Albpetrol-in” për të mbledhë disa milionë dollarë më shumë në arkën e shtetit nga njëra anë, por edhe të mundësojë një kontroll më të madh ndaj aktivitetit të kompanive që shfrytëzojnë nëntokën shqiptare për naftë nga ana tjetër. Të paktën kjo e fundit është ajo që ka deklaruar në publik ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço. “Ne i kemi gjetur këto kontrata të tilla dhe për rrjedhojë do t’i zbatojmë. Kontratat i kanë lidhur socialistët, të cilët tani na akuzojnë për shitje të detit apo pasurive nëntokësore. Aq i kemi njohuritë tona në këtë fushë dhe është Agjencia Kombëtare e Hidrokarbureve që i mbulon këto. Kemi bërë kontrolle te vazhdueshme, por tregu është i tillë, njohuritë tona janë të tilla në fushën e hidrokarbureve që nuk kemi arritur të bëjmë një kontroll të saktë. Kjo është edhe një nga arsyet që ne do t’ia shesim këtë të drejtë, kësaj kompanie, që do të privatizojë Albpetrol-in, që të kontrollojë nëse investimet janë siç deklarohet nga kompanitë apo jo”, – tha ai disa javë më parë. Kjo ishte deklarata që shkaktoi habi, se si është e mundur që shteti nuk mundëson dot një kontroll të tillë pavarësisht eksperiencës prej disa dekadash në këtë sektor por edhe numrit të madh të ekspertëve që ka vendi.

Zakonisht, në raste me prapavijë korruptive, ekspertët janë në fakt kokëçarje për ustallarët e këtyre punëve pasi duhet që marrëveshjet apo lejet të mbyllen shpejt e shpejtë. Zakonisht, në këshillat drejtuese të ndërmarrjeve apo institucioneve mbikëqyrëse bëjnë pjesë persona që nuk kanë asnjë lidhje me sektorin në fjalë duke zbatuar vetëm urdhrat e shefave. Situatë kjo e paraqitur edhe në kontrollet e KLSH-së në institucionet e qeverisjes qendrore të vendit.

Qeveria shkriu dy vjet më parë institutet shkencore duke ia kaluar universiteteve kërkimin. Pasuria dhjetëra vjeçare e të dhënave të mbledhura mbetet ende stok, ndërsa eskspertët e fushës gjenden në rrugë. Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave ka një numër mjaft të madh ekspertësh të fushës, por vetëm një pjesë tepër e kufizuar e tyre merr pjesë nëpër këshillat mbikëqyrës të ndërmarrjeve në sektorë të rëndësishëm siç është përshembull mbikëqyrja e aktivitetit në pasuritë nëntokësore.

Mbikëqyrja

Aktualisht, shteti merr vetëm rentën minerare të mallit që privati shet. Çështja qëndron në faktin se sa të besueshme janë shifrat e deklaruara, nga të cilat buxheti vjel vetëm 10 për qind të prodhimit të që shitet, pyetja që ngrenë ekspertët është: kush e mat atë që shitet në fakt dhe sa të sakta janë deklarimet e kompanive? “Të marr një shembull në lidhje me këtë, siç janë debitet paraekzistuese të puseve. Një pus nafte ka përshembull një mesatare prodhimi prej dy ton në ditë. Sipas rregullave, pas kalimit tek privati, shteti duhet të marrë 70 për qind të kësaj mesatare pas marrjes së tij në shfrytëzim dhe pjesën tjetër e merr kompania. Çdo litër tjetër e nxjerrë mbi këtë mesatare ndahet 50 % me 50 % midis shtetit dhe privatit. Çështja është sa të sakta janë deklarimet në lidhje me prodhimin e puseve. Pasi nëse nuk deklaron 100 litra çdo ditë, përllogaritet që fshehja të arrijë në 3 000 litra në muaj dhe 36 000 litra në vit, një shifër kolosale kjo nga vetëm një pus duke sjellë milionë dollarë humbje për arkën e shtetit. Prandaj edhe shteti duhet të rrisë kontrollin mbi kompanitë”, – shpjegon një ekspert nafte.

 

Nga Emirjon Senja

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu