Kompasi i Kryeminstrit mbi kufijtë detarë

0
720

Askush në Shqipëri nuk e ka ditur se para një viti paska dalë një urdhër ndërinstitucional nga Berisha, për krijimin e grupeve të punës për rinegocim me Greqinë për paktin detar. Kjo tani na duket se është një zbulesë, mbasi Qeveria e paska mbajtur sekret. A nuk ish e tillë e tërë procedura e hartimit të marrëveshjes së shitjes së detit që në harkun e një segmenti kohor të gjashtë shtatë muajve u hartua dhe u firmos ndënë fishekzjarrë? Mbase jeni edhe pjesë e atyre, mendësia e filozofia e të cilëve, i shkon për shtat një shqiptari të sotëm që shprehej në një blog: ”Ah ç’flisni kot o ju të dh.më! U shit deti apo s’u shit. Aty mbahuni! Unë i mblodha prapë lekët me ble një benz…”. Ndërkohë po kërkohet tejdukshmëri, për hapat që ndërmerr Qeveria. Ç’thagmë! Të ketë besim, vallë populli , se skanerin e zbulimit të çdo metastaze të së keqes e ka ai vetë në dorë. Nga zyrtarë të lartë të Ministrisë së Jashtme, është folur edhe me hollësi, se ka pasur edhe kontakte me Athinën zyrtare. Kjo Marrëveshja Detare e rrëzuar është ndër ndodhitë më unike në botë, në hasjen e një tradhtie në këtë farë feje. Ndërkaq Qeveria vijon e “mbretëron” ndër troje “të shitur” të Shqipërisë “sekrete”. Kurse ne merremi me shqyrtime, lozim “domino”, “Yç me nëntë!”, ” kukamsheftas”, “ e gjeti s’e gjeti” “e lagu s’e lagu” dhe pastaj ndër terma të mëdhenj “ndërinstitucionalë” i japin ndonjë të shtymë opinionit, se me të vërtetë në këtë botë të mashtrimit “e paskemi marrë seriozisht”. Mirëëpo nuk mbulohet dielli me shoshë, sa do të përpunohen teknologjitë e kësaj shoshe. Ka vetëm gënjeshtra, gjeste, gjysma fjalësh nga ana e Qeverisë së Tiranës, kurse ka fjalë të plota, të thëna me tërë zërin nga Athina: “ Marrëveshja është e gatshme. Ajo e ka hartimin dhe pranimin e saj të ndërsjellët në mujain maj të vitit 2009”. Asnjë reagim nga Tirana, asnjë hap apo dëshmi e re për të qartësuar opinionin, po vetëm rrotullim në vete dhe “kukamfshetas” me Berishën në qendër të lojës. Greqia me të drejtë ia kanë vënë lakun në fyt dhe për këtë lak nuk është ajo fajtore, mbasi Projekti i tregut të madh detar ka vetëm një autor, Sali Berishën që e mbrojti vet me kompas në dorë. Ministri i ri Panariti iu tha shqiptarëve që rrinin me gojën hapur se: “grupet e punës po punojnë, që të adresojnë problemin”. Po çfarë punë punojnë këto grupe të negociatorëve, ku i punojnë, ku i hartojnë, me kë po i diskutojnë, ç’publikime janë bërë, ç’ëorkshope janë organizuar, pse nuk botohet në ndonjë revistë studimore Projekti i tanishëm i negociatave? Cilët janë njerëzit që iu është besuar ky Projekt madhor, aq shumë i diskutuar? Sa shumë pyetje që mund të bëhen…kur ja…se gati e harruam fare: “ende Presidenti nuk e ka dhënë pëlqimin…”. Ky është deti i turpit i Republikës së Shitur! Shpesh është folur për emërim e ç’emërim të Komandantëve të Forcës Detare. Përsëri groteske dhe po kaq naive. Është rast unik kur një Kryeministër e ngre në dërrasë të zezë, në të Zezën e Turpit të tij, një Komandant i Forcës Detare duke ia dhënë shkopin në dorë dhe komapsin e matjes për të fshehur Veprën më antikombëtare të kryer gjer më sot. Po hyn vjeshta e re, e asaj stinës së dhelpërisë së vjetër.

 

Nga, Myslim Pasha

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu