Komunari i Bujanovcit “bojkoton” Haxhinaston

0
577

Kryetari i Kuvendit komunal të Preshevës, Shaip Kamberi ka pritur dje në Preshevë kreun e PS-së, Edi Rama, ndërkohë që ka refuzuar pjesëmarrjen e tij në një takim në Tiranë, me ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto. Prania e Kamberit ishte lajmëruar nga Ministria e Jashtme shqiptare një ditë më parë, në një njoftim për median, por, dje Haxhinasto ka takuar vetëm deputetin Riza Halimi dhe kryetarin e Këshillit Nacional Shqiptar, Galip Beqiri. Kreu socialist e ka cilësuar dje, “mikpritje befasuese dhe bashkëbisedim të paharrueshëm”, atë që ai pati me qytetarët e Preshevës, ku po sipas Ramës, qindra vetë nuk mundën të hyjnë në sallë. Sipas njoftimit për shtyp të PSsë, Edi Rama është pritur në një takim të veçantë nga: Z. Ragmi Mustafa, Kryetar i Komunës së Preshevës; z. Besim Abduli, Kryetar i Kuvendit komunal të Preshevës; z. Shaip Kamberi, Kryetar i Komunës së Bujanovcit; z. Jonus Musliu, Kryetar i Kuvendit komunal të Bujanovcit; z. Faik Jashari, zv.Kryetar i Këshillit Kombëtar shqiptar në Luginën e Preshevës. Në këtë takim Edi Rama, ashtu si dhe në takimin me shqiptarët e Preshevës zhvilluar në sallën e Kuvendit komunal, ku promovoi librin e tij, “Kurban”, u shpreh për atë se çka do të bëjë Partia Socialiste përmes programit të ri “Për një Rilindje shqiptare”. Duke u fokusuar në këtë takim në riorganizimin e shërbimit konsullor, Rama theksoi se PS në krye të punëve të vendit, “do të hapë një konsullatë shqiptare në Preshevë, për të qëndruar më pranë dhe për të ndihmuar banorët e Luginës.” Gjatë këtij takimi mjaft miqësor me të zgjedhurit e Luginës, Edi Rama propozoi një nismë mbarë ballkanike për mbrojtjen e të drejtave të pakicave në rajon. Po ashtu, gjatë pasdites Edi Rama ka qenë i ftuar special në një nga televizionet vendore, ku në bisedë me gazetarët tha se “Ajo ç’ka është më e rëndësishme, nuk është thjesht aspekti i artikulimit të një gjuhe në standardin e lirive e të të drejtave, por edhe njohja nga afër e realitetit. Kontakti nga afër dhe komunikimi i vazhdueshëm na ofron mundësinë për ta zhbërë kufirin, shpirtërisht dhe psikologjikisht. Bota sot nuk ka kufij”.
BASHKËBISEDIMI
Më herët, Rama ka biseduar me shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ai e ka cilësuar faktin se, Parlamenti Europian nëpërmjet Rezolutës së 9 Janarit 2012, ka vënë theksin në problematikën e shqiptarëve që banojnë në Luginën e Preshevës, problematikë që lidhet ngushtë me
gjendjen sociale dhe ekonomike të tyre. Rama tha se “Kushtetuta e Shqipërisë e përcakton qartë, se shteti shqiptar duhet të mbrojë dhe të përkujdeset për të drejtat e popullit shqiptar, kudo ai banon. Kësisoj, duhet angazhim dhe vëmendje më e madhe për shqiptarët që banojnë në Luginën e Preshevës”. “Tashmë që Kosova është një Republikë e pavarur dhe një shtet sovran, tashmë që çështja e Kosovës është një çështje e zgjidhur, angazhimi i Shqipërisë në raport me shtetin serb duhet të përqendrohet tek problematika e Luginës së Preshevës.” Rama tha më tej se “Partia Socialiste do propozojë vendosjen e një fondi të veçantë nga parlamenti shqiptar, për
të ndërtuar dy shkolla dhe një maternitet në Preshevë gjatë këtij viti.” Rama propozoi ngritjen e një Universiteti të Europës Juglindore në Preshevë.

 

Darina Tanushi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu