Konflikti shqiptaro-serb: BE hesht, SHBA mbështet

0
657

Situata në Kosovë duket se ka rënë një një qetësi të çuditshme, një nga ato qetësitë që paraprijnë tensione të mëdha. KFOR ka arritur të zmbrapsë barrikadat e serbëve dhe të çojë karvanët e vetë drejt pikave doganore 1 dhe 31, që tashmë janë shpallur zonë ushtarake, nën kontrollin e NATO-s. Ushtarët e KFOR kanë marrë udhëzime të përdorin edhe armët në ruajtje të këtyre zonave që u shndërruan në mollë sherri për serbët që banojnë në rrethinat e Mitrovicës dhe policinë e Republikës së Kosovës.

Çështja është komplikuar, pasi shqiptarët kësaj radhe duken të vendosur për të marrë nën kontroll territorin faktik të Kosovës, dhe për të imponuar reciprocitetin në marrëdhëniet tregtare me Serbinë, e cila që prej 2008 i ka vendosur embargo mallrave të Kosovës. Serbët e Kosovës, megjithë thirrjet paqësore të kryeministrit Tadiç dhe ministrit të jashtëm Daçiç, janë udhëhequr në protesta prej ministrit Bogdanoviç dhe kryenegociatorit Stefanoviç, që vazhdojnë të hyjnë e të dalin në territorin e Kosovës edhe pse janë shpallur të padëshiruar nga qeveria vendase.

Ndërkohë KFOR pranon se në zonë ka serbë të armatosur, deri edhe me snajpera. Dyshohet se të tillë kanë qenë ata që vranë policin e Kosovës Enver Zymberi disa ditë më parë, duke acaruar opinionin publik mes shqiptarëve që përbëjnë shumicën dërrmuese të popullsisë së Kosovës (mbi 90%).

Ende nuk ka një qasje të qartë prej ndërkombëtarëve, ku bie në sy një dyzim midis Bashkimit Europian, ende në dilemë mbi qëndrimin që duhet të marrë, dhe SHBA që mbështet më haptazi qeverinë e Kosovës. Kjo bie në sy edhe prej aktivitetit të ndërmjetësuesit europian Robert Cooper, që ka zhvilluar takime të njëpasnjëshme në Beograd e në Prishtinë, por nuk ka dhënë asnjë deklaratë mbi atë çka është diskutuar. Ndryshe ka qenë shprehja publike e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Chris Dell, si edhe ajo e zëvendësndihmësit të sekretarit të shtetit, Thomas Countryman, që kanë përgëzuar aksionin për marrjen në kontroll të doganave e të kufirit legjitim të Republikës së Kosovës. E njëjta mbështetje ka ardhur nga kongresmeni amerikan Eliot Engel. Duket se SHBA edhe kësaj radhe do të jenë faktori kryesor në ndihmë të interesave shqiptare në rajon.

Mirëpo situata mbetet e nderë, pritet një shprehje e OKB para mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, ku serbët synojnë të çojnë çështjen e veriut, duke dashur të krijojnë një kanton serb në Kosovë, të ngjashëm me Republikën Serbska në Bosnjë. Natyrisht që një skenar i tillë do të krijonte destabilitet të menjëhershëm, pasi që tani kanë ardhur sinjalet e para. Shqiptarët e Preshevës Medvegjës dhe Bujanovcit kanë kërkuar prej qeverisë Serbe trajtim të ngjashëm, pra autonomi, në rast se kjo i jepet serbëve të Kosovës. Shqiptarët e Maqedonisë gjithashtu kanë kërcënuar, përmes liderëve të tyre politikë, se do të ringjallen konfliktet etnike.

Hashim Thaçi, në mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurisë së Kosovës duke analizuar në hollësi veprimet e fundit për zbatimin e masave të reciporicitetit ndaj Serbisë tha se këto veprime janë në përputhje me kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Ai i kërkoi agjensive të sigurisë së Republikës së Kosovës që të koordinojnë aktivitetet e tyre shumë ngushtë për të siguruar zbatimin e plotë të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Thaçi ka marrë edhe mbështetjen e opozitarëve të “Vetëvendosjes” në qëndrimin e tij. Albin Kurti, lideri i “Vetëvendosjes” është shprehur se ky aksion duhet të kish ndodhur më përpara, e duhet çuar deri në fund. Ai gjithashtu ka bërë thirrje për mobilizim të përgjithshëm të popullsisë në mbrojtje të territorit të Kosovës.

 

 

NATO thërret forcat rezervë

Nato ka vendosur të dërgojë në Kosovë trupat rezervë të KFOR-it, për të ndihmuar në vendosjen e qetësisë dhe të rendit pas javës së shkuar të mbushur me mosmarrëveshje e me përplasje midis serbëve të Kosovës dhe forcave policore. Një batalion me 600 ushtarë gjermanë dhe 100 austriakë do t’i shtohet 6000 ushtarëve që përbëjnë kontigjentin e KFOR-it në Republikën e Kosovës.

 

Rusët: UÇK është mafia

UÇK-ja ka qenë organizata guerrile terroriste që pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës mori pushtetin me njerëz si Thaçi e Haliti. Ata i kanë financuar aktivitetet e tyre në trafik prostitucioni, armësh dhe droge, dhe janë shpallur non grata në një sërë vendesh. Mirëpo ata mbështeten nga CIA, edhe kanë lidhje me Al’Kaedan, edhe kjo një organizatë e mbështetur nga CIA. Vetë Osama Bin Ladeni ka punuar për CIA-n, me emrin e koduar Tim Osman.

 

Ivica Daçiç kërkon kompromis

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç në Austri është shprehur se “qetësimi i situatës në Kosovë është nevojë urgjente”. Daçiç, që në të njëjtën kohë është dhe zëvendëskryeministër i Serbisë bëri thirrje për kompromis “të drejtë”, që do t’i kënaqte të dyja palët. Sipas tij, “kompromis do të thotë që secili merr diçka, dhe humbet diçka”. Në deklaratën e tij qeveritari serb theksoi se prioritet absolut i politikës së Serbisë është që këtë vit të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, edhe pse më parë shefi i tij, Boris Tadiç, ka deklaruar se Serbia nuk e do BE-në nëse i marrin Kosovën.

 

Nëse plas në Kosovë, plas dhe në Maqedoni

Lideri i BDI në Maqedoni, Ali Ahmeti ka deklaruar që një ndarje eventuale e Kosovës do të sillte destabilizim dhe acarim në Maqedoni. “Nëse ka pretendime për ndryshime të kufijve, nëse ka pretendime për një rend të ri, për një konfiguracion ndryshe nga ky që është tani, unë nuk marr kurrfarë përgjegjësie dhe të bëhem kujdestar i paqes në Maqedoni, sepse mund të vijë në një situatë që njerëzit të vetorganizohen që njerëzit të vetëdrejtohen dhe vetëorientohen, siç nuk kanë mundur që t’i kontrollojnë gjithandej gjatë periudhave të viteve të 90 e 99 dhe 2001. Unë mendoj se në qoftë se ndodhin situata të tilla dhe situata del jashtë kontrollit, askush nuk mund të marrë përgjegjësi dhe as të garantojë se shqiptarët nuk mund të organizohen në një front të tërë në rast se rrezikohen si tërësi”, është shprehur Ahmeti, që e ka vlerësuar të drejtë dhe ka mbështetur vendimin e qeverisë së Kosovës për ndërhyrje në veri më qëllim vendosjen e sundimit të ligjit si dhe ruajtjen e sovranitetit shtetëror.

 

Hashim Thaçi

S’mund të qëndrojmë indiferentë dhe të tolerojmë përgjithnjë që një pjesë e territorit tonë të shndërrohet në një vrimë të zezë jo vetëm për Kosovën, po për gjithë Europën.

 

Albin Kurti

Pra gjatë këtyre 12 viteve nuk kishim një ndërhyrje të këtillë, jo se e kishim policinë e paaftë apo pa kurajo. Përkundrazi, aftësia, kapacitetet dhe kurajoja e policisë, gatishmëria e saj, përgjegjshmëria e vetëmohimi si qytetarë edhe si zyrtarë, e dëshmuan se kanë qenë aty. Ka munguar vullneti dhe urdhri politik i njerëzve që janë në majat e institucioneve, posaçërisht të Qeverisë.

 

 

Kush sundon në veri?

Nga Besnik Pula

Dhuna e zbatuar nga turmat serbe në natën e 27 korrikut ka krijuar një komplikim të madh për pozitën e Beogradit në raport me BE-në, me KFOR-in dhe në aftësinë për ta mbajtur gjendjen nën kontroll në veri. Këtë e dëshmojnë edhe akuzat qesharake të Tadiçit, të bëra në një intervistë me mediumin beogradas B92 të premten, kur tha se Prishtina ka dorë në organizimin e sulmit në Jarinjë. Tentativa e vazhdueshme e Tadiçit për t’u distancuar nga sulmet kundër pikave kufitare janë dëshmi jo vetëm se Tadiçi nuk do që qeveria e Serbisë të asociohet me dhunën e asaj nate, por provë se politika shkurtpamëse (dhe në thelb destruktive) e Serbisë karshi Kosovës ka shndërruar veriun e Kosovës në një territor që në esencë nuk është i administruar nga askush – as nga Prishtina, por as nga të ashtuquajturat struktura paralele të mirëmbajtura nga Beogradi, e as nga EULEX-i. Deri më tani, qasja kryesore e Beogradit në raport me bashkësinë ndërkombëtare ka qenë se vetëm Beogradi ka ndikim në veri, se serbët e veriut janë luajalë ndaj qeverisë në Beograd, gjë që e mban atje gjendjen të qetë, dhe që i jep të drejtë Beogradit të flasë në emër të serbëve të veriut. Në fakt, po shihet se neglizhenca e vazhdueshme karshi sundimit të ligjit në veri, tolerimi i grupeve ekstremiste dhe strukturave kriminale – lindja, me një fjalë, e një veriu të paintegruar as në Kosovë dhe as, realisht, në Serbi – paraqet rrezikun më të madh për sigurinë e Kosovës dhe atë të rajonit.

Kjo duhet të përkthehet në një pyetje të thjeshtë: a janë EULEX-i, KFOR-i, por edhe Policia e Kosovës, të gatshme që akoma të tolerojnë ekzistencën e grupeve ekstremiste dhe kriminale në veriun e Kosovës? Deri kur do të lejohet që veriu të mbetet një zonë gri midis ligjësisë dhe paligjësisë në të cilën lulëzon kontrabanda, kriminaliteti dhe ekstremizmi? Deri në ç’masë është BE-ja e gatshme të tolerojë një situatë të rrezikshme, në të cilën bandat kriminale mund ta destabilizojnë situatën, të sulmojnë trupa ndërkombëtare dhe të zbatojnë dhunë kundër përfaqësuesve të rendit, përfshirë vrasjen e policit të njësitit ROSU, Enver Zymberi?

Kjo është pyetja që në nivel politik duhet t’i bëhet BE-së, e cila me vite jo vetëm që toleron, por edhe shpërblen sjelljen e papërgjegjshme dhe destruktivitetin e Beogradit, dhe i cili me politikën e vet e ka konservuar gjendjen e anarkisë në veri. Beogradi mund të mos ketë dorë të vet në organizimin e dhunës, por kushtet për kriminalizimin e veriut i ka krijuar pikërisht politika e saj e mbajtjes së veriut të Kosovës në amulli politike dhe ligjore, në dëm edhe të serbëve që jetojnë atje.
Ditëve të fundit, Boris Tadiçi deklaroi se nëse Serbisë i kushtëzohet anëtarësimi në BE me Kosovën, përgjigjja e Serbisë do të jetë “jo”. Ndoshta ka ardhur koha që BE-ja të kërkojë nga Tadiçi të vendosë.

 

Nga Arbër Zaimi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu