Kongresi i Ballit, pse donin ta linin jashtë Abaz Ermenjin

0
1270

(Vijon nga numri i djeshëm)

10. Kongresi i parë i Ballit Kombëtar Me sa dihet, për gati gjysmë shekulli nuk u fol asnjëherë, as brenda në Shqipëri, as jashtë saj nga shqiptarët e mërguar, as në botime të veçanta as në faqet e shtypit për kongresin e parë të Ballit Kombëtar, i cili u mblodh në Berat në fillim të vitit 1944. Heshtja për këtë ngjarje të jashtëzakonshme të Ballit Kombëtar është e habitshme po të mendojmë se me përjashtim të një pjesëmarrësi të thjeshtë, siç ishte Faik Selenica, jo pak nga ballistët kryesorë që morën pjesë në Kongresin e Beratit dhe në fund të luftës kaluan në mërgim, kishin për detyrë të shkruanin për të. Edhe Faik Selenica, i cili foli për Kongresin duke u mbështetur në kujtime, pra as në dokumente as në shënime nuk tha ndonjë gjë të madhe. Kujtimet e tij ai i botoi kur ishte në mërgim në gazetën “Flamuri” organ i Ballit Kombëtar Demokrat”, që shtypej në Romë (Itali). Akoma më i habitshëm është fakti se as dy eksponentët kryesorë të Ballit Kombëtar – Hasan Dosti, anëtar i Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar para Kongresit të Beratit dhe Abaz Ermenji, i cili në Kongresin e Beratit u zgjodh anëtar i KQ të Ballit Kombëtar – të cilët u morën në emigracion me historinë e Ballit Kombëtar, nuk e zunë në gojë këtë ngjarje të rëndësishme të jetës dhe të veprimtarisë së organizatës së tyre.
Arsyeja përse ata heshtën mund të kuptohet më tej kur të trajtohen punimet e kongresit, nga të cilat lexuesi do të mësojë se Hasan Dosti ishte i revoltuar nga Kongresi i Beratit, mbasi ai u përjashtua nga KQ i Ballit Kombëtar, kurse i dyti, Abaz Ermenji doli i zemëruar nga se kongresi nuk e miratoi aspiratën e tij për t’u bërë komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura balliste.
Për kongresin e parë të Ballit Kombëtar në Shqipëri filloi të flitej vetëm pas ngjarjeve që ndodhën në vitin 1991. Megjithatë, burimi kryesor informativ për punimet e kongresit dhe për vendimet që ai mori mbetën përsëri vetëm kujtimet e disa pjesëmarrësve ballistë, në fakt tepër të pakta. Deri sot nuk ka dalë në dritë asnjë akt zyrtar as nga ambientet e Ballit Kombëtar, as nga arkivat e administratës policore të kohës që të hedhë dritë mbi punimet dhe ca më pak mbi vendimet e kongresit. Nuk dimë me siguri as rendin e ditës as debatet që aty u zhvilluan, as vendimet që aty u morën. Nuk dimë nëse Kongresi i Beratit i mbylli punimet, siç i mbyllin zakonisht kongreset e organizatave politike, me një rezolutë. Madje, nga mungesa e dokumentacionit autentik ne nuk jemi të sigurtë as për datën e saktë se kur u zhvilluan punimet e kongresit. Kështu për shembull, Faik Selenica, një pjesëmarrës i thjeshtë i kongresit, njoftonte më 1951 se Kongresi i Beratit i zhvilloi punimet e veta nga 1-3 janar 1944, Hasan Dosti thotë më 3 janar, kurse Faik Quku, edhe ky pjesëmarrësi i kongresit, madje një nga organizatorët e tij shkruan se punimet vazhduan dy, ditë 3-4 janar 1944. Mungesa e dokumentacionit është e pashpjegueshme po të mendojmë se Berati kur u mblodh në fillim të vitit 1944 kongresi, ishte nën autoritetin pushtetor të qeverisë kuislinge të Rexhep Mitrovicës, prapa së cilës qëndronin repartet ushtarake gjermane që kishin pushtuar Shqipërinë. Pra, kongresi u mblodh në kushte jo klandestine, mbasi në janarin e vitit 1944 BK bashkëpunonte me forcat operative hitleriane të cilat kishin ndërmarë operacionin ushtarak ndëshkimor të njohur me emrin “Operacioni i dimrit” kundër Ushtrisë Nacional Çlirimtare. Si rrjedhim, BK nuk kishte arsye përse kongresi t’i zhvillonte punimet pa mbajtur procesverbal, as shënime, as vendime të shkruara në letër.
Ky konspiracion kaq i rreptë të bën përshtypje kur mëson se po ato ditë kur në jug të Shqipërisë mblidhej Kongresi ballist i Beratit, në veri të vendit në fshatin Bujan të Tropojës mblidhej në rrethana me të vërtetë klandestine Konferenca e Lëvizjes Nacional Çlirimtare për Kosovën dhe për Rrafshin e Dukagjinit, e cila me gjithë rrezikun e ndërhyrjes së reparteve hitleriane, i mbylli punimet e saj me një rezolutë.
Njoftimet më të hollësishme mbi Kongresin e Ballit Kombëtar i jep Faik Quku në punimin e përmendur. Ai thotë se nxitësit për thirrjen e kongresit ishin të dy grupimet që vepronin në gjirin e BK – si ballistët e brezit të vjetër që kishin në dorë Komitetin Qendror ashtu edhe ballistët e brezit të ri që mbisundonin në komitetet krahinore.
Pasi u pranua thirrja e kongresit, Faik Quku me funksionin e sekretarit të përgjithshëm të BK, porositi me një qarkore të gjitha komitetet krahinore të dërgonin delegatë në Kongres, i cili do të mblidhej në qytetin e Beratit më 3 janar 1944. Në bazë të porosisë, çdo komitet krahinor do të dërgonte një numër të caktuar delegatësh, gjysma e të cilëve do të ishin anëtarë të komitetit krahinor, gjysma tjetër përfaqësues të çetave të armatosura.
Kur u hap kongresi, në Berat kishin arritur rreth 74 delegatë. Se sa ishte numri i përgjithshëm i delegatëve nuk thuhet, por dihet se një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk erdhi në Berat. Edhe numrin e atyre që mungonin, nëse përbënin shumicën apo pakicën e të ftuarve, gjithashtu nuk e dimë. Sipas F. Qukut, nga çetat e Shkodrës nuk erdhi asnjë delegat; po ashtu nga Durrësi dhe nga Elbasani; nga komiteti i Korçës asnjë, por nga kundërshtarët e komitetit erdhën Qazim Prodani, Jani Dilo së bashku me Xhevdet Kapshticën dhe 3 djem të rinj; nga Tirana mjaft delegatë, por asnjë nga çetat; nga Berati dhe nga Gjirokastra erdhën shumë delegatë; nga Vlora prej çetave asnjë delegat. Nga Vlora meqenëse nuk kishte komitet erdhi avokati Skënder Muço së bashku me disa shokë të tij.
Më 3 janar 1944 paradite para se të hapej kongresi u bë mbledhja e fundit e Komitetit Qendror të Ballit që ishte ende në fuqi. Në këtë mbledhje të fundit, Faik Quku si sekretar i përgjithshëm parashtroi në KQ si të vetmen rrugë shpëtimi nga ndeshja me forcat partizane, militarizimin e organizatës balliste; pra kalimi i drejtimit të saj nga civilët tek ushtarakët, të pajisur me fuqi të plota. Në krye do të qëndronte një shtab i përbërë, sipas tij, nga tre seksione: politike, ekonomike dhe propagandistike. Pranë komandantit të përgjithshëm, shpjegon F. Quku, do të vepronte një komitet konsultativ, i përbërë nga personalitetet më në zë, më me eksperiencë dhe më të aftë (F. Quku. Po aty. Vëll. II, ff. 381-382). Propozimi i tij nuk u pranua.
Pa filluar mirë punimet e Kongresit, u dukën në radhët e delegatëve shenjat e luftës së bërrylave. Ballistët e brezit të vjetër kishin parandjenjën se kongresi do ta dobësonte autoritetin e tyre nga aspiratat e ballistëve të brezit të ri, të cilët kërkonin të merrni në dorë drejtimin e partisë. Megjithatë, ballistët e brezit të ri pas vdekjes së Hysni Lepenicës dhe të Safet Butkës e ndjenin veten të pafuqishëm për të shtënë në dorë drejtimin e organizatës. Si pasojë e këtij antagonizmi të brendshëm pa filluar punimet e kongresit ndodhën dy incidente, që të dyja shprehje e luftës së bërrylave.
Kadri Cakrani, një mbështetës i vijës politike të deriatëhershme të Komitetit Qendror u orvat të pengonte pjesëmarrjen në Kongres të Abaz Ermenjit, i cili siç është thënë, ishte kundërshtar i qëndrimit oportunist të ballistëve të brezit të vjetër. Si argument ai e paditi Abaz Ermenjin dhe Tefik Sfirin se për të marrë pjesë në kongres kishin braktisur çetat e tyre, në një kohë kur ato ndodheshin në luftime kundër partizanëve. Në lidhje me këtë episod, F. Quku shkruan: “I thashë Kadri Cakranit që t’u japë urdhër të dy komandantëve të ktheheshin menjëherë në krye të detyrës, sepse më mirë ishte të prishej kongresi se sa fronti i Skraparit. Të nesërmen në mëngjes, Ali Këlcyra e thirri Abaz Ermenjin para Komitetit Qendror dhe e urdhëroi të kthehej në krye të detyrës, por ai refuzoi duke thënë se nuk kishte çka me ba”. (F. Quku, Po aty, f. 380).
Shkaktari i incidentit të dytë u bë Jusuf Luzaj nga Vlora, i cili nuk kishte ftesë për të marrë pjesë në kongres. Duke menduar se si anëtar i delegacionit të BK që kishte qenë në mbledhjen e Mukjes ai pretendonte se i takonte e drejta të merrte pjesë edhe në Kongresin e Beratit. Por te porta e kinemasë e ndaluan të hynte brenda në sallë. Duket se Jusuf Luzaj ishte solidarizuar me Hasan Dostin, mbasi avokati Skënder Muço (anëtar i Katërshes) deklaroi se po të hynte në sallë Jusuf Luzaj, ai me shokët e tij do të largoheshin nga kongresi. Për të zgjidhur këtë konflikt u mblodh Komiteti Qendror. Kur Komiteti Qendror më në fund pranoi kërkesën e Skënder Muços, kur doli për të shpallur vendimin, Jusuf Luzaj ishte larguar për në Vlorë (Po aty, f. 382).
Kongresi u hap pasdite më 3 janar 1944. Punimet u zhvilluan në sallën e kinemasë së qytetit. Për të drejtuar punimet e kongresit u ngarkua Koço Muka. Kongresi ngarkoi gjithashtu një komision për verifikimin e mandateve. Pastaj Mithat Frashëri në emër të Komitetit Qendror mbajti raportin para kongresit.
Lexuesit e ditëve tona, natyrisht edhe simpatizantët e sotëm ballistë, së bashku me ta edhe ne historianët, mezi presim të mësojmë përmbajtjen e raportit që mbajti kryetari i BK, raport i cili deri sot ka mbetur i panjohur. Mezi presim të mësojmë çfarë tha e çfarë nuk tha Mithat Frashëri. Për habinë tonë, Faik Quku i cili na jep hollësira për ngjarje shumë më pak të rëndësishme kufizohet vetëm me dy rreshta. Ai shkruan tekstualisht:
“Mithat Frashëri mbajti një fjalim, duke shpjeguar gjendjen dhe paraqiti dorëheqjen e komitetit qendror”. (F. Quku. Po aty, f. 381).
Edhe Faik Selenica, një pjesëmarrës i Kongresit të Beratit, në kujtimet e veta të shkruara herët në emigracion që në vitin 1951, i bie shkurt: “Kryetari i organizatës BK bëri në kongres një paraqitje të ngjarjeve që nga themelimi e deri në fund të vitit 1943”.
Uran Butka nga ana e tij, i cili është marrë posaçërisht me historinë e BK, shkruan se Mithat Frashëri në raportin e vet u ndal “më shumë në analizën e luftës civile, kush e nxiti atë, kush e nisi, kush e prishi Marrëveshjen e Mukjes, pse e shkelën atë si dhe përgjegjësinë e Ballit Kombëtar”. Sikurse shihet, U. Butka shtron vetëm pyetje, kurse lexuesi ka nevojë të dijë përgjigjet e tyre. Lexuesi kërkon të dijë konkretisht se si i është përgjigjur Mithat Frashëri këtyre pyetjeve, të cilat edhe sot e kësaj dite shqetësojnë opinionin e historianëve shqiptarë. Uran Butka shkruan se sipas Faik Selenicës, në Kongresin e Beratit Mithat Frashëri i bëri thirrje Frontit Nacional Çlirimtar për një marrëveshje të re bashkëpunimi për të ndalur vëllavrasjen, por nuk na sqaron në çfarë kushtesh do të arrihej kjo marrëveshje. Sigurisht, është po ai kusht parashtruar më 7 tetor 1943: që Fronti NÇL ta ndalte luftën kundër okupatorëve gjermanë. Sipas fjalisë që rreshton U. Butka, kryetari i BK e paska vlerësuar Jugosllavinë jo si ballistët e sotshëm si një fuqi që donte ta gllabëronte Shqiëprinë apo në rastin më të mirë që përpiqej ta përjetësonte aneksimin e Kosovës – por si një fuqi që e shtynte Shqipërinë të hynte në një luftë totale kundër okupatorëve nazifashistë, luftë e cila do ta kthente vendin tonë në një “tokë të djegur” (U. Butka. Gjeniu i kombit, f. 434).
Në një punim të tij të dytë kushtuar BK, Uran Butka e fillon përshkrimin e Kongresit me fjalë të përgjithshme. Nuk i trajton fare punimet e kongresit. Nuk flet fare as për pjesëmarrësit, as për procedurën, as për temat e trajtuara. Por thotë vetëm se Mithat Frashëri dha dorëheqjen. (U. Butka. Lufta civile në Shqipëri 1943-1945. Tiranë 2006, f. 287). Kjo varfëri e thellë e njoftimeve bie në kundërshtim me pohimin që ai bën se Kongresi i Beratit është një ngjarje me rëndësi historike. Nuk kuptohet sesi një kongres paska rëndësi historike kur nuk dimë fare se ç’probleme trajtoi dhe ç’vendime mori. U. Butka riprodhon një fragment nga fjala që Mithat Frashëri paska mbajtur në kongres. Ne na bën përshtypje se fragmenti që U. Butka riprodhon çuditërisht ngjet me deklaratën që Mithat Frashëri lëshoi më 7 tetor 1943 drejtuar opinionit publik shqiptar, trajtuar në kapitullin e mëparshëm (U. Butka. Po aty, f. 287). Sikurse është thënë, deklarata e 7 tetorit 1943 i ngjet më tepër një ankimi që paralajmëron “vëllavrasjen” sesa një programi politik që duhej të shtronte BK për punën e mëtejshme të organizatës nacionaliste tani që “vëllavrasja” kishte filluar.
Megjithatë, deri sot ka mbetur pa përgjigje pyetja përse as krerët e organizatës, as historianët ballistë nuk e kanë botuar referatin që themeluesi i BK paska mbajtur në Kongresin e Beratit? Po ta kishin botuar sigurisht shumë çështje që kanë të bëjnë me fillimet e historisë së BK, të cilat deri sot kanë mbetur të panjohura ose të diskutueshme, do të ishin sqaruar. Sidoqoftë, nëse teksti i referatit të Mithat Frashërit ekziston diku, si është e mundur që askush nga ballistët nuk ka marrë guximin ta botojë qoftë edhe me vonesë, këtë referat të vyer për ta nga pikëpamja e dokumentacionit historik? Ka mundësi që të mos ketë ekzistuar kurrë teksti i raportit i Mithat Frashërit. Kjo për arsye se kryetari i BK mund të ketë mbajtur në kongres një fjalim të improvizuar, pa patur në dorë një raport të shkruar paraprakisht.
11. Vendimet e
Kongresit të Beratit
Duke u mbështetur në vargun e njoftimeve të thërmuara ne shpresojmë se do të ndriçojmë deri diku çështjet kryesore të trajtuara në kongresin e Ballit Kombëtar. Vëmë re se Kuvendi i Beratit trajtoi tri çështje kryesore: a) Vijën politike që duhej të zbatonte në të ardhmen organizata Balli Kombëtar; b) Krijimin nga Balli Kombëtar të një fronti të përbashkët me faktorë të ndryshëm antikomunistë në luftë për të parandaluar vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri; c) Zgjedhjen e Komitetit Qendror të ri të Ballit Kombëtar.
Në lidhje me çështjen e parë – me detyrën politike që duhej të zbatonte në të ardhmen BK – pritej që në kongres të zhvilloheshin debate mbi temën se kush ishte sipas BK, rreziku kryesor për Shqipërinë – okupatori hitlerian gjerman me qeverinë kuislinge shqiptare apo Fronti NÇL me në krye PKSh-në. Debati ishte delikat, mbasi në kohën kur u mblodh kongresi forcat e armatosura balliste po bashkëpunonin haptas me forcat operative hitleriane dhe me xhandarmërinë e qeverisë kuislinge, të cilat që nga muaji nëntor 1943 kishin ndërmarrë fushatën ndëshkimore kundër forcave partizane të njohur me emrin “Operacioni i dimrit 1943-1944”. Në kongres u dëgjuan zëra të cilat e kritikuan bashkëpunimin e BK me okupatorin nazist gjerman në luftë kundër reparteve partizane. Por këto zëra në fakt të pakta, u mbytën shumë shpejt. Në kundërshtim me këto zëra krerët ballistë u orvatën të bindnin kongresin se bashkëpunimi me hitlerianët dhe me qeverinë kuislinge nuk ishte vepër e BK, por e disa çetave që vepronin me nismën e tyre individuale. Megjithatë, udhëheqja e BK vazhdoi të ngulte këmbë se armiku kryesor i Shqipërisë nuk ishte okupatori nazist gjerman, i cili tashmë ndodhej drejt disfatës, por PKSh-ja, e cila po përgatitej që të vendoste në Shqipëri regjimin komunist stalinist. Në të njëjtën kohë krerët ballistë pranonin se ekzistonte një marrëveshje bashkëpunimi, veçse jo me komandën ushtarake gjermane, por me qeverinë kuislinge shqiptare të Rexhep Mitrovicës, së cilës sipas tyre vetë Hitleri gjoja ia kishte njohur asaj atributet e një qeverie të pavarur.

 

(Vijon nesër)

Nga Kristo Frashëri

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu