Kosova e papërgatitur për të paditur Serbinë për gjenocid

0
1228

“Mendoj se deklarimet e Presidentit Thaqi për të ngritur padi për gjenocid kundër Serbisë janë jo serioze dhe të pamatura mirë dhe si të tilla kanë ngritur shpresë te popullata se një gjë e tillë vërtet mund të ndodh”, ka thënë politologu Nexhmedin Mustafa.

Edhe pse Kosova nuk është anëtare e OKB-së, i lejohet të ngre një padi ndaj Serbisë. Kjo për faktin se Kosova ka prova të mjaftueshme për të ngritur padi kundër shtetit serb. Një element i fuqishëm  i këtij lloji të padisë për gjenocid  është edhe dëbimi i mbi tetëqind mijë (800.000) shqiptarëve nga shtëpitë e veta dhunshëm dhe në formë të organizuar nga shteti serb.  Analistët politikë vlerësojnë, se krimet e luftës nuk parashkruhen dhe nuk vjetërsohen kurrë, kështu që padia mund të bëhet kurdo që dëshirojnë shtetasit e saj. Sipas tyre, Serbia mund të paditet në Gjykatën në Strasburg, edhe pse mosnjohja e Kosovës nga OKB -ja apo Këshilli Evropës nuk e shfajëson atë nga krimet e bëra në Kosovë.

Ata pohojnë se Serbia duhet të përgjigjet për krimet e bëra në Kosovë, sepse asgjë tjetër nuk e shpërlan Serbinë dhe kriminelët e luftës serbe. Skënder Zogaj analist politik ka thënë, se padia kundër Serbisë për dëmet e luftës është një e drejtë elementare dhe plotësisht e arsyeshme dhe e justifikueshme ligjërisht, sepse, gjithë bota e di për dëmet e jashtëzakonshme të luftës, gjenocidin klasik, që Serbia ia ka shkaktuar Kosovës.

“ Padia kundër Serbisë është dashur të bëhet, por nuk është bërë, edhe pse liderët e Kosovës, e ndër ta edhe presidenti aktual, Hashim Thaqi, e kanë premtuar bukur zëshëm, por e kanë  heshtur. Mos paditja e Serbisë me kohë është dobësi e politikës dhe institucioneve të Kosovës, të cilat kanë shumë fjalë por punë bëjnë (as)pak, e sidomos kur është fjala për punët më të rëndësishme dhe jetike, të interesit historik për të sotmen dhe të ardhmen e popullit të Kosovës. Duke qenë se as 17 vjet ligjet nuk funksionojnë as brenda Kosovës, atëherë është krejtësisht e qartë se, pa e pastruar mirë oborrin, nuk mund të dilet e të kërkohet llogari nga komshinjtë. Institucionet e Kosovës sa u përket provave ato ekzistojnë, sepse, menjëherë pas luftës nëpër të gjitha komunat e Kosovës kanë funksionuar komisionet e veçanta, të cilat janë marrë me evidentimin e të gjitha dëmeve, kështu që, nuk ekziston asnjë mundësi e fshehjes apo humbjes së tyre.”, ka thënë Zogaj.

NGA DIANA BUNJAKU

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu