Kosova është një ndër vendet më të korruptuara të Europës!

0
750

diezeit

Gazeta e njohur polake “Wyborcza” dhe e përjavshmja gjermane “Die Zeit” për luftën kundër korrupsionit në komunën e Prishtinës nën udhëheqjen e Shpend Ahmetit dhe për skandalin e korrupsionit në EULEX

“Në këtë qytet 40 vjet nuk është ndërtuar sipas planeve. Ose thënë më mirë: Plane kishte, por askush nuk i respektonte – për shkak të korrupsionit”, thotë Shpend Ahmeti.

Ai është qe një vit kryetar i qytetit të tij të lindjes, Prishtinës. Një ndër vendimet e tij të para ishte largimi nga puna i inspektorit ndërtimor të qytetit. “Ai ecte me Mercedes, që kushton 65 mijë euro, ndonëse merrte rrogë vetëm 400 euro. Që ai është i korruptuar, ishte lehtë për t’u dëshmuar”, thotë Ahmeti.

Për Prishtinën dhe kryetarin e saj korrupsioni është një problem i madh. Ndërmarrjet nuk paguajnë tatime, qytetit i mungojnë të ardhura të rëndësishme. Për këtë arsye Prishtina nuk ka ende trafik të vërtetë urban. “Kemi shtatë autobusë. Për të ndërtuar një rrjet na duhen edhe 160 të tjerë”, thotë Ahmeti.

Kryetari ankohet se ende shumë zyrtarë të korruptuar janë në vendet e tyre të punës. Por, sipas tij, gjyqet dhe prokuroria nuk duan të bashkëpunojnë ngushtë dhe shpejt me të, siç dëshiron ai.

Kosova është një ndër vendet më të korruptuara të Europës. Në indeksin e Transparency International ky shtet gjendet në vendin 111 – shumë larg përtej Serbisë apo Bosnjë-Hercegovinës.

Nepotizmi dhe lidhjet e ngushta mes politikanëve dhe krimit të organizuar janë problemet më të mëdha në vend.

Dhe më mirë nuk po bëhet, ndonëse që nga pavarësimi i Kosovës më 2008 prokurorët dhe gjyqtarët nga vendet e BE-së do të duhej të ndërtonin një drejtësi të pavarur. Ky mision quhet EULEX. Prej dy javësh i ka dalë fama e keqe, pothuaj çdo ditë mediet shkruajnë në mënyrë kritike mbi misionin.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu