Kosova Lindore, e braktisur dhe e përbuzur

0
1033

Kur flasim për poshtërimin që përmend kryeministri ynë, jam i sigurt se të gjithë shqiptarët kudo që janë e që i kanë dy fije mend në krye, e dinë se kombi shqiptar një milion herë më shumë është poshtëruar më 25 korrik 2011, kur qeveria Pronto-Pronto organizoi intervenimin skandaloz në veri të Kosovës, sesa ditën kur xhandarmëria serbe e hoqi lapidarin

1. Ra kjo dekë e u pamë

Lapidari kushtuar dëshmorëve të kombit, i ngritur kuturu para ndërtesës së Komunës së Preshevës, është pasqyra më e qartë e paradokseve shqiptare. I bëjmë gjërat edhe kur ato janë tepër serioze kuturu dhe pa i menduar thellë pasojat. Dhe Serbia, me përvojë disashekullore në shtypjen dhe poshtërimin e shqiptarëve, mezi e priste këtë rast. Për t’i treguar muskujt e saj, fatbardhësisht, gjithnjë e më të ligavtë dhe për ta shfrytëzuar maksimalisht lapidarin në negociatat me Prishtinën.

Meqë historia modeste e shqiptarëve më tepër është përshkrim i pasojave se sa i shkaqeve dhe roli i tyre me shumë objekt se subjekt në këtë analizë detyrimisht po merremi me pasojat.

Të gjithë njohësit e rrethanave e kanë ditur se shteti serb nuk do ta lejonte kurrë lapidarin pas janarit të vitit 2013. E megjithatë askush prej shqiptarëve, të paktën publikisht, nuk thoshte: ta largojmë vetë sa nuk e ka hequr xhandarmëria serbe. Madje as atëherë, kur forcat serbe vërshuan Preshevën, dhe, ashiqare, shihej se qëndrimi i lapidarit aty ishte çështje orësh.

Natyrisht, Daçiq e rrëzoi lapidarin dhe e kapitalizoi atë maksimalisht tek opinioni serb dhe te faktori ndërkombëtar.

Çka është më e rëndësishmja e që duhet thënë pa keqardhje, Serbia i rrahu shqiptarët me shkopin e tyre, sepse vendosja e lapidarit nuk kishte bazë ligjore. Pra në sytë e ndërkombëtarëve ishte veprim ilegal.

A duhet tash t’ia nxjerrim vetes flokët dhe njëri – tjetrit sytë? Jo. Kurrsesi. Kjo ishte një betejë e pamenduar mirë dhe detyrimisht fundi që pamë ishte i pashmangshëm.

Ajo që mësuam të gjithë ishte se Kosovën Lindore e kanë braktisur të gjithë, në radhë të parë, paria në Prishtinë e në Tiranë, pastaj bashkësia ndërkombëtare e kështu me radhë…

Ajo që i ka lënë njerëzit pa frymë ishte qëndrimi burracak, arrogant e i lig i pushtetarëve mujsharë të Kosovës. Dy përfaqësuesit më origjinalë të këtij pushteti që ka dalë nga votat e vjedhura industrialisht, me një arrogancë prej barabësh e thanë publikisht, pa iu dridhur zëri dhe pa iu zbehur fytyra: Qoftë edhe një qytetar i vetëm, e lëre më liderët politikë të Luginës së Preshevës nuk u shfaqën te monumenti për të bërë përpjekjen më të vogël për ta mbrojtur atë… Ndryshe, nuk ka si të shpjegohet mungesa elementare e ndjenjës patriotike për mbrojtjen e monumentit.

Këtë e tha kryeministri i Kosovës në njërën prej gazetave të tij. Ai shkoi edhe më larg duke bërë një analogji marroqe në mes lapidarit në Preshevë dhe barrikadave serbe në pjesën ende të pushtuar të Kosovës.

Në vend se t’u shesin mend kosovëlindorëve pushtetarët e Prishtinës do të duhej të dinin se çfarë pasojash mund të ketë rrëzimi i lapidarit në Kosovë dhe duhej të merrnin masa konkrete që mllefi i pritshëm të mos zbrazet turpshëm mbi gurë varrezash.

2. Krahasimi i frikshëm

Beogradi ka pohuar zyrtarisht se, prej luftës e këtej, ka financuar strukturat e tij në Kosovë, duke ndarë nga buxheti 600 milionë euro për çdo vit;

Shtetarët serbë hyjnë dhe dalin në veri të Kosovës sa herë të duan si në bahçe të babës;

Policia e Serbisë vret dhe arreston qytetarë në veri të Kosovës pa e pyetur Prishtinën se ku e ka shtëpinë;

Të gjitha organet shtetërore (diplomacia, policia, ushtria, shërbimet sekrete, pushteti lokal, gjyqësia, buxheti…) janë maksimalisht të angazhuara në mbrojtje të interesave të Serbisë dhe të serbëve në Kosovë…;

Shtrohet pyetja:

Sa diplomatë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës e „mbulojnë“ Kosovën Lindore?

Asnjë!

Sa persona në ambasadat e Kosovës në shtetet vendimmarrëse punojnë për nevojat dhe interesat e Kosovës Lindore?

Asnjë!

Sa zyrtarë në AKI e “mbulojnë“ Kosovën Lindore?

Besoj asnjë!

Sa të holla ndahen nga buxheti i Kosovës për ta ndihmuar Kosovën Lindore?

As një qindarkë.

A mund të shkojë në Kosovën Lindore ndonjë shtetar nga Kosova?

Jo. Kurrë.

A e ka thirrur ndonjëherë paria e Kosovës parinë e Kosovës Lindore për të biseduar me ta hapur dhe për t’ua thënë në sy:

Merrni pjesë në zgjedhjet nacionale si trup i vetëm dhe shfrytëzoni çdo mundësi për të qenë pjesëmarrës në pushtetet e të gjitha niveleve, sepse vetëm kështu do të mund t’i mbroni më mirë interesat tuaja;

Nuk duhet ta vendosni lapidarin, sepse mund të kthehet kundër të gjithë shqiptarëve! Ose: kemi informata të sigurta se lapidarin do ta heqin, prandaj hiqeni ju dhe vendoseni përkohësisht dikund tjetër!

Mos shpresoni se Kosova futet në lojëra të rrezikshme të ndërrimeve territoriale me Serbinë, sepse kjo është lojë e rrezikshme për të gjithë shqiptarët e më se shumti për juve!?

Jo! Jo! Jo! Asnjëherë!

Atëherë me çfarë të drejte Prishtina merr guximin t’i shesë mend dhe patriotizëm Preshevës?!

Ndërkaq, kur flasim për poshtërimin që përmend kryeministri ynë, jam i sigurt se të gjithë shqiptarët kudo që janë e që i kanë dy fije mend në krye e dinë se kombi shqiptar një milion herë më shumë është poshtëruar më 25 korrik 2011, kur qeveria Pronto-Pronto organizoi intervenimin skandaloz në veri të Kosovës, se sa ditën kur xhandarmëria serbe e hoqi lapidarin.

3. Domosdoja e një platforme të përbashkët

Gjendja e shqiptarëve në Kosovën Lindore është shumë e vështirë. Ata janë kategori jashtëligjore dhe jashtëkushtetuese. Me ta nuk komunikon pushteti politik, por xhandarmëria serbe. Për çdo gjë. Në këtë gjendje fushëveprimi i shqiptarëve atje është i kufizuar dhe nëse Tirana e Prishtina sidomos nuk duan t’i ndihmojnë të paktën duhet t’i lënë në telashet e tyre.

Detyrë themelore e parisë së Kosovës Lindore nuk është ta fusë popullin në konflikte të rrezikshme, por, para së gjithash, ta ruajë substancën etnike atje. Ta bëjë me të gjitha mjetet e mundshme betejën legale për pjesëmarrje në pushtet, për një organizim më të mirë, për një unitet veprimi duke mos lejuar shtetin serb t’i përçajë në „patriotë“ e „tradhtarë“.

Subjektet politike dhe çdo grupim tjetër në Kosovën Lindore duhet të bashkohen rreth një platforme konkrete:

– veprimtari aktive në terren për të mos lejuar njerëzit të zhgënjehen dhe t’i braktisin shtëpitë e tyre, varret dhe tokat e të parëve; shqiptarëve atje duhet ngjallur shpresa reale se do të vijnë ditë më të mira, se Serbia do të detyrohet t’i zbatojë ligjet e veta dhe konventat ndërkombëtare për pakicat;

– pjesëmarrje masive në zgjedhjet e të gjitha niveleve për t’u faktorizuar si subjekt politik dhe për të lidhur aleanca me subjekte politike në nivel qendror;

– krijimin e grupeve të ekspertëve që analizojnë gjendjen në krejt territorin e Kosovës Lindore dhe japin përgjigje adekuate për çdo pjesë të saj;

– të mos shkojnë kurrë as në Prishtinë e as në Tiranë për të marrë mend, por me kërkesa dhe projekte konkrete: denoncimi i sinkronizuar para institucioneve ndërkombëtare i segregacionit të egër që po bëhet ndaj shqiptarëve atje; kërkesa konkrete për të ndarë të paktën 100 bursa për studentët e atyre anëve; projekte për ndërtimin e një shkolle, një ambulance, një biblioteke, një rruge, një shtëpie kulture, financimin e një radioje apo gazete lokale…;

– përpilimi i një projekti për hapjen e Universitetit europian në Preshevë;

– mobilizimi i mërgimtarëve, duke institucionalizuar një fond të përbashkët publik e të menaxhuar në mënyrë transparente;

– t’i caktojnë përfaqësuesit e tyre zyrtarë në çdo shtet (sidomos në Washington, Bruksel, Berlin, Londër, Paris, Ankara…), mundësisht pjesëtarë të gjeneratës së dytë të mërgimtarëve që jetojnë e që janë shkolluar jashtë;

– të caktojnë përfaqësuesit zyrtarë që komunikojnë rregullisht me përfaqësitë e fuqive të mëdha në Beograd;

– I gjithë aktiviteti, me kohën, duhet të kurorëzohet me kërkesa dhe veprime të vendosura që Kosova Lindore të ketë statusin e autonomisë territoriale dhe politike.

4. Ideja për bashkim kombëtar – thikë me dy presa

Projekti kombëtar shqiptar, i artikuluar përmes Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për shkak të rrethanave historike, por sidomos për shkak të të metave thuaja gjenetike të shqiptarëve, u realizua pjesërisht dhe me vonesa të mëdha.

Sot janë krijuar realitete të reja. Dhe projekti ynë nacional duhet t’u përshtatet këtyre rrethanave.

Sot beteja vendimtare e shqiptarëve për t’u fuqizuar si faktor serioz në rajon bëhet në Kosovë, konkretisht në mbrojtjen e integritetit të saj territorial dhe në krijimin e një shteti funksional. Çdo përpjekje për t’i shmangur shqiptarët nga kjo detyrë parësore është e dyshimtë dhe e rrezikshme.

Aktualisht nuk ka patriotizëm më të madh se sa t’i mbrosh kufijtë e Kosovës, të përpiqesh për forcimin e faktorit shqiptar në Maqedoni dhe të ruash substancën shqiptare në Kosovën Lindore dhe në territoret etnike në Mal të Zi.

Është për të ardhur keq se si ideja për bashkim kombëtar shpesh po shpërfaqet ose në mënyrë primitive, ose për nevoja elektorale.

Kërkesat për krijimin e një shteti të vetëm shqiptar, në vitet që vijnë, mund të shtrohen kryesisht si një domosdo e sigurisë rajonale.

Sepse siguria rajonale në një hapësirë të shqetësuar si Ballkani ruhet vetëm duke krijuar njëherë e mirë një ekuilibër të forcave. Në të kundërtën Serbinë nuk e pengon asgjë që, ashtu siç i ka shkaktuar mbi dhjetë luftëra në shekullin e kaluar, të mos e vazhdojë të njëjtin avaz edhe në këtë shekull.

 

Shkruan Xhafer Shatri

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu