Kosova me rrugë të përgjakura

0
467

Prishtinë 24 prill- Nuk ka ditë që policia nuk raporton për aksidente trafiku, me të vdekur e të plagosur. Ai i së premtes mbrëma, në fshatin Vragoli të Fushë-Kosovës, mori jetën e dy personave – Agron Mahmutajt (52) nga Lubeniqi i Pejës dhe Nexhdet Berishës (53) nga fshati Lupç i Podujevës.

Aksidenti fatal ndodhi kur një veturë udhëtarësh u përplas me një kamionetë. Përveç dy viktimave, nga aksidenti mbetën të lënduar shtatë persona, të cilët u dërguan për mjekim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Të gjithë të lënduarit gjendeshin në kamionetë dhe, sipas policisë, janë nga Malisheva, punëtorë të një kompanie.

Shoferi i kamionetës është arrestuar si i dyshuar se është shkaktar i aksidentit. Nga hetimet e para rezulton se shpejtësia e madhe e kamionetës shkaktoi aksidentin.
Në të njëjtën ditë, edhe në dy vende të tjera ndodhën aksidente, por pa viktima. Një në Podujevë, e tjetri në Drenas, përfunduan vetëm me të lënduar. Ndonëse Policia e Kosovës ka mbajtur disa fushata për vetëdijesimin në komunikacion, aksidentet po vazhdojnë të marrin jetë njerëzish.

Sabrije Kamberi, zyrtare për informim në Policinë e Kosovës, thotë se policia ka mbajtur një mori fushatash me qëllim që qytetarët të vetëdijesohen, e që aksidentet të jenë sa më të rralla në komunikacion. Kjo, sipas Kamberit, ka ndikuar që numri i aksidenteve të jetë më i vogël. “Nëse bazohemi në shifrat krahasuese me vitin e kaluar, numri i aksidenteve është qind për qind më i vogël”, thotë Kamberi për Express.

Sipas saj, analizat dhe statistikat tregojnë rënie të numrit të përgjithshëm të aksidenteve të komunikacionit. “Me theks të veçantë ka rënie të numrit të aksidenteve fatale, gjegjësisht personave që kanë humbur jetën në komunikacion rrugor”.

Policia ka bërë publik numrin e aksidenteve të tremujorit të parë të vitit të kaluar dhe të tremujorit të parë të këtij viti. Në periudhën janar-mars të vitit që shkoi, në aksidente trafiku kanë vdekur 52 persona, ndërkaq në të njëjtën periudhë të këtij viti kanë humbur jetën 22 sish. Po ashtu, përderisa në periudhën tremujore të vitit të kaluar kanë vdekur 17 këmbësorë në trafik, sivjet kanë vdekur shtatë.

Shifrat tregojnë një rënie të numrit të aksidenteve në përgjithësi. Më 2010 kanë ndodhur 43 aksidente me fatalitet, ndërkaq sivjet 21. Shifra thuajse të njëjta janë edhe të aksidenteve me lëndime dhe personat e lënduar.

Në mars të këtij viti është mbajtur “Java e sigurisë”, me qëllim që të rritet siguria rrugore.

Fushata kishte për qëllim që të ketë siguri në rrugë dhe t’i gjobitë të gjithë ata që nuk përdorin rripin e sigurisë, si dhe që përdorin telefonin celular gjatë ngasjes.

“Sa më tepër të ketë respektim të ligjit, aq më i vogël rreziku për jetë, lëndime dhe dëme materiale në komunikacion”, thotë zëdhënësja Kamberi.
Njëkohësisht, Policia ende është duke e zbatuar patrullimin e policëve me vetura civile, në mënyrë që të shmangen aksidentet e trafikut

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu