Kosova më shtrenjtë se Turqia

0
1052

Brenda vitit, Kosova i harxhon 9 milionë euro për të mirëmbajtur 2 mijë kilometra rrugë që ka. Ndërkohë, Turqia, për të mirëmbajtur mbi 65 mijë kilometra rrugë gjatë dimrit, i harxhon vetëm 8 milionë euro. Ministria e Infrastrukturës arsyetohet se kushtet klimatike dhe kostoja e mirëmbajtjes te ne dallojnë shumë nga ato të Turqisë. Madje kanë kërkuar edhe para shtesë në të ardhmen.

Turqia ka territor sa tetë herë Kosova. Ky shtet evropiano-aziatik ka 35 herë rrugë më të gjata sesa shteti ynë. Por, kur duket se Kosova nuk mund të krahasohet me Turqinë, as me popullsi, e as me zhvillim ekonomik, vendi ynë megjithatë, ua kalon për diçka “vëllezërve” të vet.

Brenda vitit, Kosova harxhon 9 milionë euro për të mirëmbajtur 2 mijë kilometra rrugë që ka. Ndërkohë, Turqia, për të mirëmbajtur mbi 65 mijë kilometra rrugë gjatë dimrit, harxhon vetëm 8 milionë euro.

Megjithatë, kjo shumë e mjeteve në dispozicion për Ministrinë e Infrastrukturës të Kosovës, duket të jetë e ulët për t’i mbajtur rrugët e kalueshme gjatë gjithë dimrit.

Ministri Fehmi Mujota ka kërkuar nga Qeveria buxhet shtesë për këtë punë.

“…Kjo tregon se mirëmbajtja e rrugëve, edhe dimërore edhe verore, kërkoni një buxhet të shtuar dhe besoj që në të ardhmen Qeveria e Republikës së Kosovës dhe buxheti i Republikës së Kosovës do të jenë edhe më shumë të orientuara në drejtim të mirëmbajtjes së rrugëve”, pati thënë Mujota në një konferencë, kur i ftoi gazetarët tu’ tregojë për gjendjen e rrugëve pas acarit.

Madje për shkak të kushteve të rënda në disa pjesë të Kosovës, gjatë dimrit të sivjetmë u desh të angazhohen kompani shtesë.

Ardita Latifaj, nga Shoqata e rrugëve të Kosovës, tregon se shumë kompani anëtare të kësaj shoqate u angazhuan vullnetarisht për heqjen e borës, edhe pse Ministria ua kishte besuar të tjerëve mirëmbajtjen verore e dimërore.

Por, me një gjë të tillë, edhe pse me më pak para nuk përballen në Turqi, edhe pse ka raste që bora i bllokon rrugët totalisht.

Në një dokument të publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Autostradave të këtij shteti, thuhet se gjatë sezonit dimëror 2011-2012 kanë pasur 7 mijë kilometra rrugë me telashe të mëdha.

Por krahasimi i mirëmbajtjes së rrugëve të Kosovës me ato të Turqisë për këshilltarin e Ministrisë së Infrastrukturës Lah Nitaj, nuk është krahasim i mirë.

“Kushtet klimatike të Kosovës dhe atyre të Turqisë janë të ndryshme”, pohon Nitaj, duke shpjeguar se dimrat në Kosovë janë më të fortë dhe kjo është një nga arsyet që shpenzimet janë më të mëdha.

Përveç kësaj, ai thotë se kostoja dhe çmimi i mirëmbajtjes për dallim prej vendeve tjera dallon.

Por një zyrtar i afërt me kompanitë që merren me mirëmbajtjen e rrugëve tregon të kundërtën. Ai në kushte anonimiteti thotë se korrupsioni është shkaktari kryesor që Qeveria shpenzon kaq shumë për mirëmbajtje të rrugëve dhe prapë ka vështirësi në qarkullim.

“Ma lehtë me ja dhanë inspektorit 1000 euro në xhep se me dalë me i pastru rrugët”, thotë ai duke drejtuar gishtin ka inspektorët e Ministrisë së Infrastrukturës se nuk po e kryejnë punën si duhet.

Për mirëmbajtje të rrugëve gjatë dimrit dhe verës para të mira shpenzojnë edhe në Shqipëri. Mirëmbajtja e 3350 kilometrave rrugë i kushton buxhetit të shtetit në vit rreth 20 milionë euro, gjysma e të cilave shpenzohen gjatë dimrit në rast të fatkeqësive natyrore.

Shqipëria ka një rrjet rrugor nacional prej 3350 kilometrash. Inxhinieret kane ngritur shqetësimin se në Shqipëri mungon një institut i cili merret me certifikimin e cilësisë se rrugëve, nga varet edhe kostoja e mirëmbajtjes.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu