Kosova nuk e di sa veteranë i ka

0
667

Ligji mbi Veteranët e luftës në Kosovë – që hyri në fuqi këtë muaj – nuk mund të zbatohet financiarisht dhe nuk mbulon përfitimet për të gjitha palët që e meritojnë, thonë organizatat e dala nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).

“Sipas këtij ligji, Veteranët e Luftës së UÇK-së janë përjashtuar nga përfitimet e të drejtat e tyre, ndërsa martirët, invalidët e familjet e tyre konsiderohen si një kategori shoqërore”, ka thënë për SETimes kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, Muharrem Xhemajli, transmeton Telegrafi.

“Ligji mohon një pjesë të historisë, një pjesë të angazhimit të UÇK-së… Ligji thotë se ata që janë vrarë mes viteve 1997-1999 janë martirë”, shton Xhemaljli, duke theksuar se UÇK u krijua më 1994.

Anëtari i parlamentit i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, thotë se ky ligj nuk do ta zgjidhë gjendjen e veteranëve në Kosovë.

“Ky nuk është një ligj për veteranët”, thotë Selimi. “Tri çështje duhet të ishin zgjidhur: sqarimi i gjendjes së veteranëve, gjendja e organizatës së veteranëve e verifikimi i listave të veteranëve”.

Sipas tij, shumë kanë abuzuar me sistemin, duke e quajtur veten veteranë.

“Mungesa e kritereve e mungesa e një numri të saktë veteranësh e bën ligjin edhe më të papranueshëm. Numri i veteranëve të luftës është rreth 15,000 apo 16,000 – jo 46,000 sa janë regjistruar tani”.

Në nëntor, FMN ndërpreu marrëveshjen e ndihmës së saj me vendin, pjesërisht për shkak të ligjit të ri. Pa ditur numrin real të veteranëve, tha Fondi, shpenzimet për përfitimet e tyre nuk mund të rriten.

Behxhet Shala, kreu i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut, thotë se kjo gjendje ishte e pritshme.

“Të gjitha vendet në rajon e kanë zgjidhur këtë çështje, por të gjithë ato vende kanë pas burime të forta financiare. Ato nuk marrin kundërshtime nga komuniteti ndërkombëtar, sidomos FMN “, thotë Shala. “ Shoqata e veteranëve duhej të kishte një listë të saktë të atyre që me të vërtetë janë veteranë”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu