Kosova, OKB refuzon kërkesën e Serbisë, KFOR mban nën kontroll veriun

0
805

TIRANË- Pas gjendjes së rënduar të tre ditëve rresht në veri të Kosovës, ku ekstremistë serbë dogjën e sulmuan pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak, pas vendosjes aty të kontrollit të policisë kosovare, Serbia kërkoi një takim të vecantë të Këshillit të Sigurimit në OKB.

Sic raporton Agjencia France Press, OKB ka refuzuar kërkesën e Serbisë për një takim të vecantë të Këshillit gjatë konsultimeve të mbajtura dje me dyer të mbyllura.

Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremic, ka protestuar pasi nuk u lejua të adresojë konsultimet.
“Është shumë e vështirë për ne të kuptojmë se përse kaq shumë rezistencë për të dhënë kontribut në debatin e një shteti anëtar të Kombeve të Bashkuara. Ju mund të pajtoheni ose jo me atë që ka për të thënë Serbia, por të paktën është e drejtë të na dëgjoni – ne nuk u lejuam të dëgjohemi”, tha Jeremic.

Ndërsa agjencia Kosovapress raporton për të shtëna armësh në veri të Kosovës. Ngjarja ndodhi orët e vona të mbrëmjes kur forcat e KFOR-it kanë arritur të largojnë barrikadat në Zupç afër Zubin Potokut, rrugë kjo që shpie në drejtim të pikës kufitare 31, përkatësisht në Bërnjak.

Pas kësaj, një grup prej dhjetëra serbësh të revoltuar për largimin e këtyre barrikadave, kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të automjeteve të KFOR-it. Nuk dihet nëse ka të lënduar nga këto të shtëna.

Dje Parlamenti i Kosovës i dha mbështetje me anë të një resolute Qeverisë së Kosovës për vendosjen e rendit në pikat doganore në veri të Kosovës dhe në zbatimin e reciprocitetit me Serbinë, ndërsa KFOR-i amerikan mori tërësisht në kontroll 2 pikat kufitare duke i shpallur ato zona të ndaluara.

KFOR-I MUND TË PËRDORË ARMË VDEKJEPRURËSE
Ora 07:10- NATO deklaron se dy pikat kufitare në kufirin Kosovë-Serbi janë zonë e kufizuar ushtarake dhe ka kërcënuar se do të përdorë armë vdekjeprurëse nëse ato kërkënohen nga ndonjë sulm.

“Që të dyja portat janë deklaruar zona të kufizuara ushtarake dhe rregullat janë shumë të qarta”, ka thënë në një intervistë për agjencinë Reuters komandanti i KFOR-it, Erhard Bühler.

“Ushtarët mund të përdorin armët vdekjeprurëse për të mbrojtur veten, për të mbrojtur njerëzit, për të mbrojtur pronën, zonën e kufizuar ushtarake. Askush që nuk është i autorizuar që të punojë ose të kalojë portat, nuk duhet të jetë afër portave”, ka thënë Bühler.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu