Kosova të mendoj për valutën e vet, ose t’i bashkangjitet lekut

0
829

Një prej temave ekonomike jo aq të hulumtuara në Kosovë është çështja e nxjerrjes së valutës. Shfrtytëzimi i njëanshëm i euros (€) sikur i ka vënë në letargji ekonomistët dhe politikë-bërësit. Pushteti arsyetohet se nuk i ka kompetencat, ose ka disa kufizime politike në vendim-marrje nga faktori ndërkombëtar që vepron në Kosovë. Më kujtohet sa zhurmën e kemi bërë deri para 4-5 viteve kundër të huajve për “uzurpimin” e qeverisjes kyçe. “Uzurpatorët” megjithatë e bënë transferin e shumicës së kompetencave për të parë nëse vendorët do të qeverisnin më mirë, dhe po të ndodhte kjo, me siguri se nuk do t’i kishim gjithë këta të huaj duke na (keq)qeverisur. Çka ndodhi? Garnitura politike e Kosovës u dalldis me institucionalizimin e krimit të organizuar për nvoja klanore e individuale deri në atë shkallë sa që shumica e qytetarëve do të ishin më rehat dhe më të dinjitetshëm sikur Serbia ende ta sundonte Kosovën. Shfrytëzuan kompetencat e transferuara për keqbërje shtesë, shpesh herë duke gënjyer me cinizëm se “kështu po na thotë Amelika”!

Në mesin e përgjegjësive ku politika e Kosovës ka qenë dhe është neglizhente ose nuk i ka interesuar fare, është ai i valutës shtetërore. Me shfrytëzimin e €, sipas tyre, çdo gjë është shkruar për një të ardhme të pakufishme. Nuk është kjo ndonjë risi në mentalitetin e shqiptarëve. Bindje të tillë kanë pasur edhe për sistemet e ashtuquajtura të përjetshme si ai i socializmit vetëqeverisës në ish-Jugosllavi, apo edhe gjatë feudalizmit 500 vjeçar otoman. Sot, pas një dekade të futjes së € në përdorim, duket sikur nuk ka alternativa se çfarë duhet të bëjë Kosova në rastet e pyetjeve nëse, atëherë. “Çlirimi dhe mëvetësia” që kanë ardhur nga jashtë, i kanë bërë shqiptarët të mendojnë se nuk duhet të prishet kjo vazhdimësi si “ligj i natyrës”.

Jemi në vitin e pestë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe statusi i saj nuk është rrumbullakësuar sa duhet. Stagnimi i fundit me njohjet ndërkombëtare të shtetësisë dhe problemi i enklavizimit të pjesës veriore me tendencë për t’u ndarë herët apo vonë (edhe ashtu është me status autonom jashtë pushtetit të Prishtinës), dhe mundësia nëse kjo status quo zgjatë, mund të sjellë alternativa tjera politike për Kosovën (për shembull, bashkimi me Shqipërinë) që imponojnë nevojën e diskutimit rreth sitemit monetar dhe valutës në përdorim.

 

Valuta shtetërore: çështje e patriotizmit apo domosdoshmërisë ekonomike?

Paraja është një prej identiteteve kyçe të një shteti me të cilën rregullohet veprimtaria ekonomiko-financiare. Pothuajse secili vend kur e ka shpallur dhe fituar pavarësinë, hapin e parë në konkretizimin më të plotë të saj e ka ndërmarrë me nxjerrjen e valutës. Eksportimi ose imponimi i valutës së një shteti në shtete tjera është parë si formë e dominimit ekonomiko-financiar, kolonializëm ekonomik ose neokolonializëm. Sot, roli i tillë i dominimit në botë shihet në dollarin amerikan ($), i pasuar nga €. Shumë shtete në zhvillim i shfrytëzojnë këto valuta në transaksionet ndërkombëtare dhe i mbajnë si rezerva monetare për shkak të sigurisë më të madhe. Edhe në mesin e shteteve të zhvilluara hasim në praktika që parapëlqejnë transaksionet me valutë të huaj. Rrjedha e tillë ndikohet nga trendet e globalizimit të ekonomisë botërore dhe zhvillimin e tregjeve financiare. Për shembull, Japonia gjatë viteve 1980-ta kishte blerë shumë fletëobligacione nga SHBA për të siguruar $ në pagesën e suficitit tregtar me këtë vend.

Nxjerrja e valutës vendore nuk është ndonjë lëvizje patriotike, por më tepër lidhet me dobitë ose të metat për ekonominë. Për të ofruar shembuj ilustrativ, shumica e diktatorëve politik më në zë, derisa mbanin një qëndrim dhe përkushtim të fortë kundër përzierjes së shteteve të zhvilluara “imperialiste” në punët e tyre të brendshme, në radhë të parë kundër SHBA-së, grumbullonin për veten dhe familjet e tyre $ të cilët i mbanin në llogaritë bankare të Zvicrës dhe Qipros. Ka ndodhur kjo me diktatorin e Serbisë, Sllobodan Millosheviq, i gjykuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte, atë irakian Sadam Husein (i ekzekutuar), Moamer Gadafin e Libisë (po ashtu i ekzekutuar), Robert Mugaben e Zimbabvesë (ende është gjallë) e shumë të tjerë (mos qofshin edhe disa politikanë shqiptarë duke vepruar kështu nëpër bankat e huaja!). A do të thotë kjo se valutat vendore janë të panevojshme ose shkaktojnë çrregullime kur ka zgjidhje më të mirë për adaptimin e atyre të huaja me stabile (por jo si dikatorët për vete), sidomos ao me përdorim të gjerë brenda ekonomisë? Përvoja ekonomike dhe financiare ofron plot shembuj për lëvizje në drejtim të kundërt.

Valuta vendore më së shpeshti imponohet nga rrethanat politike dhe ekonomike kur krijohen shtetet e pavarura. Me shpërbërjen e dy federatave (BRSS dhe RSFJ), secili shtet i pavarur nxori valutën e vet, ku me kufinjët e ri politik u krijuan edhe ata monetar si nevojë për stabilizim makroekonomik. Rrethanat nën të cilat u krijuan valutat vendore ishin të pafavorshme. Përpos jostabilitetit politik, në shtetet e reja nga ish-Jugosllavia ishte mjaft i pranishëm edhe kaosi ekonomiko-financiar me norma të larta të inflacionit, rënia e veprimtarisë ekonomike, dhe mosbesimi i përgjithshëm i publikut ndaj dinarit që ua kishte zhdukur kursimet. Në Slloveni më 08 tetor 1991 u fut në përdorim tollari slloven (SIT), i cili prej 1 janarit 2007 u zëvendësua me €. Maqedonia nxori denarin (MKD) më 26 prill 1992. Pas dy viteve, më 30 maj 1994, Kroacia emetoj kunën (HRK). Gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë, sikur në Kroaci, përdorej marka gjermane (DEM), për t’u zëvëndësuar më vonë me valutën vendore marka konvertibile (KM). Ky është një shembull se zëvëndësimi i valutës së huaj me atë vendore është zgjidhje.

DEM ka qenë edhe më herët valutë e rezervës monetare. Gjatë viteve 1990-ta dinari serb në Kosovë më tepër përdorej në bërjen e pagesave nepër institucione publike, sektorin shoqëror dhe shtetëror. Kishte lulëzuar tregu joformal i këmbimit ku dominonte dhe kërkohej DEM nepërmjet të ashtuquajturve “shfercerë të devizave”. Këta gjendeshin kudo, në hyrje-daljet e tregut, në trotuare pranë qendrave të qyteteve dhe qytezave të Kosovës, në kafeçajtore, dhe ishin kryesisht shqiptarë. Dyshohej se prapa shumicës së këtyre spekulantëve të devizave ose “shfercerëve” në tregun e zi ishin vëllëzërit Kariq nga Peja që bënin mbledhjen e DEM-së me dinarë që dyshohej se shtypeshin pa mbulesë dhe zvlerësoheshin prej ditës në ditë.

Emetimi i valutave të reja vendore ndikoj në stabilizimin ekonomik dhe financiar të vendeve të trazuara nga luftërat dhe shpërbërja e ish-Jugosllavisë. Vetëm Kosova dhe Mali i Zi mbeten duke u shërbyer me valutë të huaj. A duhet edhe Kosova të nxjerrë valutën e vet dhe të mendoj për alternativa tjera më afatgjate? Ka shtete dhe territore jashtë BE-së si Monako, San Marino, Vatikani, Mayotte (territor francez në oqeanin indian), Saint Pierre dhe Miquelon (po ashtu territor francez në bregdetin e Kanadasë), Akrotiri dhe Dhekalia (bazë ushtarake britanike në Qipro) shfrytëzojnë € si zyrtare, prandaj çka i duhet Kosovës valuta e vetë nëse synon t’i bashkangjitet BE-së dhe Eurozonës kur veç e ka € në përdorim? Përgjigja dhe arsyetimi jepet në nëntitullin vijues.

 

Skenarët për Kosovën

Monako, San Marino dhe Vatikani e kanë statusin e tyre poltik të zgjidhur. Statusi i Kosovës ende është në evoluim. Në rast se nuk ia del të fus dhe mbaj nën kontroll veriun e saj ose i ikë nga përbërja dhe bëhet e padurueshme nga mos anëtarësimi në OKB, në skenarin e parë mund të vendos (me vendim politik apo referendum) për një alternativë tjetër – atë të bashkimit me Shqipërinë. Atëherë do të bëhej automakisht anëtare e OKB-së, NATO-s, pjesë e një sistemi monetar, dhe me rrugë më të shkurt për në BE. Ka të atillë që mendojnë se rasti i Kosovës është pothuajse i njëjtë me atë të Bosnjë-Hercegovinës, por në parim ka ndryshime rrënjësore. Bosnia (pavarësisht se si është e ndarë nga brenda) ka ulëse në OKB dhe valutën e vet (KM-në). Kosova nuk e ka asnjërën dhe nuk dihet se kur do t’i siguroj. Sipas skenarit të parë, Kosova bëhet pjesë e lekut të Shqipërisë (ALL) i cili pas anëtarësimit në BE do të zëvendësohej me €, me të drejtë për ta emetuar € sipas kuotës që i takon. Ky skenar për Kosovën mund të duket hipotetik, por nga rrjedhat e politikës së tanishme gjërat nuk duken aq të parashikueshme, sidomos pas referencës së fundit në përfaqësimin e Kosovës në iniciativa rajonale me fusnotë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe rritjen e popullaritetit të ekstremit të djathtë në Serbi.

Skenari i dytë (mund të jetë edhe i pari), ai i nxjerrjes së valutës së Kosovës, do të shpiente te rezultati i ngjashëm sikur ai i pari. Qëllimi përfundimtar do të ishte kalimi në € si emetues i saj, e jo sikur tani vetëm si shfrytëzues, konsumues, madje edhe rieksportues i saj. Edhe shtetet më të vogla se Kosova kanë valutën e vet. Me këtë skenar do të fuqizohej edhe roli i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila gabimisht po quhet e tillë pa i pasur funksionet më kritike të bankës qendrore normale. Ajo është e zhveshur nga mundësia e zbatimit të politikave monetare dhe kreditore. Kur një shteti i përshatet për interesa ekonomike, mund ta bëjë zhvlerësimin ose mbivlerësimin e valutës së vet. BQK-ja nuk mund ta bëjë këtë me €. Politika kreditore thuhet se i është lënë tregut, çka ka ndikuar në norma relativisht të larta të kamatës. Se sa kritik është roli i bankës qendrore, kjo vërtetohet me rastin e krizës globale financiare në shumë shtete të botës dhe ndërhyrjet në rregullimin e tregjeve financiare në kuadër të të ashtuquajturave “pako të shpëtimit ose stimuluese”. BQK-ja nuk ka kurrfarë roli në këtë drejtim për Kosovën.

Skenari i tretë është ky që e kemi ose vazhdimi i shfrytëzimi të €. € si valutë e fortë ka sjellë stabilitet financiar në Kosovë, ka eliminuar shpenzimet që do të shkaktoheshin me valutën vetjake në normat e këmbimit, transferet, dhe provizionet. Përparësia kryesore natyrisht ka qenë siguria më e madhe në kursim dhe zvogëlimi i pakrahasueshëm i frikës nga inflacioni e hipërinflacioni me të cilin qytetarët kanë pasur përvoja të hidhura nga e kaluara. Miëpo, në të njëjtën kohë € e ka përkeqësuar mjedisin mikroekonomik duke e bërë ekonominë jo kokurrente dhe të vrarur nga importi. Për nga kushtet e ushtrimit të veprimtarsë afariste, Kosova ka shkuar më poshtë në renditje ndaj të gjitha vendeve të rajonit, të cilat, me valutat e tyre janë në pozitë ikurajuese për të eksportuar në Kosovë, ose ta bëjnë realizimin e mallrave në valutë konvertibile. Kështu paraja e huaj në Kosovë përsëri shkon tek të huajt, në këtë rast tek palët e treta. Rritja ekonomike e matur me normën e rritjes së Bruto Produktit Vendor (GDP), është tregues sipërfaqësor nga i cili nuk mund të sqarohet struktura e zhvillimit apo efekti i krizës ekonomike. Përpos që ka vëretje të argumentuara edhe në vetë metodologjinë e përllogaritjes së tij, ky tregues bëhët jo aq shumë sqarues për ekonomitë me pjesëmarrje shumë të lartë të sektorit jo formal si kjo e Kosovës, ose gati gjysmën tjetër të ekonomisë.

Në skenarin e katërt do të kishim një shtet – dy valuta (lekun dhe €), sikur Kina e Hong Kongu (juanin kinez dhe dollarin e Hong Kongut). Në këtë skenar Kosova do ta shrytëzonte alternativën e një shteti me dy valuta, por meqenëse nuk e ka të veten, atëherë më mirë do të ishte të bëhej zyrtarisht pjesë e asaj që i mundëson transicionin për në € për ta fituar të drejtën që ta emetoj atë. Kina dhe Hong Kongu nuk synojnë të bëhen anëtare të BE-së dhe në kohën e përshtatshme edhe të Eurozonës. Shqipëria dhe Kosova po.

Skenari i fundit, ndoshta më i miri, do të ishte sikur të bëhej zëvendësimi i parullës duaje tëndën – konsumo produktet vendore me krijimin e njohurive vendore për qeverisjen e ekonomisë. Edhe valuta mund të jetë produkt vendor por askujt nuk po i shkon mendja së pari si dhe pse duhet të krijohet. Duaje të tëndën e shërbehu me udhëzimet e “miqve ndërkombëtar” çka të bësh me vendin dhe ekonominë tënde, është e kundërta e faktorit vendimtar të zhvillimit që njihet si knowledge based economy (ekonomia e bazuar në njohuri). Për shumicën e popullsisë dhe politikën në Kosovë, njohuria nuk është më element i zhvillimit, prandaj e kemi këtë lloj ekonomie dhe shoqërie.

 

Si do të quhej valuta e Kosovës?

Ka pasur disa sugjerime, ose më mirë të themi spekulime meqenëse ishin vetëm ide sipërfaqësore ose mendime të paelaboruara, për ta nxjerrë një valutë nacionale, e cila mendohej se duhet të quhej Dardan. Natyrisht, para se ta nxjerrë valutën e saj, Kosova duhet t’ia vëjë emrin asaj. Emri që i përshtatet më së miri, është thesar, kurse njësitë e tij arka. Në fakt, qindarka është term i përdorur edhe në praktikë në Shqipëri. Arsyetimi i këtyre emërtimeve është ky: arka është një objekt në formë katrore e ndërtuar nga druri që përdorej nga familjet ilire, e më vonë edhe ato shqiptare për ruajtjen e gjësendeve të çmueshme, më së shumti stoli të arit, para dhe dokumente të vlefshme. Vetë emri arka është me etimologji shqipe ar-ka, që do të thotë se ar ka aty brenda në sandëk. Ky emërtim bëhet më domethënës kur dihet se paraja ka rrjedhur nga ari që ishte bërë mjet universal i këmbimit.

Është interesant të cekim se nga termi shqip arka ka rrjedhë edhe emri arkivë që përoret në shumë gjuhë indo-evropiane, por nuk e ka kuptimin e drejtpërdrejtë për qëllimin që përdoret si në shqip për ruajtjen e arit, parave, dokumenteve të vlefshme dhe dosjeve. Në arkë mbahej ari në sasi të vogla ose për nevojat e familjes. Kur flasim për nevojat e organizimit dhe funksionimit të shoqërisë, atëherë nevojitet ari me thes ose thes-ari. Në SHBA ministria e financave njihet me emrin Departamenti i Thesarit (Trasury Department), një emërtim shumë i logjikshëm.

Pasi që të jetë zgjedhur dhe pranuar emri, BQK-ja mund të lëshoj në qarkullim thesarin si valutë të Kosovës. Me këtë valutë BQK-ja mund ta udhëheq politikën monetare dhe kreditore, si dhe mund ta bëjë devalvimin (zhvlerësimin) ose revalvimin (mbivlerësimin) e saj për t’ia përshtatur nevojave ekonomike të Kosovës. Kjo do të shërbente edhe si rrugë e mirë për t’iu bashkangjitur € më vonë si partnere. € nuk ik askund, por poenta është që të gjenden rrugë për t’iu bashkuar asaj në formën që i siguron Kosovës edhe të drejtën për ta emetuar atë në bazë të hises së vet.

Valutës nuk duhet t’i vëhet emri në formë të hamendjes emocionale e sensacionale si Dardan, Ilir, Skënderbeg, Shqiptar, Leka i Madh por të ketë arsyetim logjik për vendin, popullin dhe kulturën e saj, dhe mbi të gjitha, domëthënien shumë të qartë ekonomiko-financiare për dy gjëra të ndërlidhura – arin dhe paranë. Simboli ndërkombëtar i thesairt do të ishte KST (Kosovo Thesar), shenja e tij TH me një vijë horizontale në mes të shkronjës T e zgatur nga e djathta prej shkronjës H për të treguar stabilitetin e pjesërishëm të kësaj valute (për dallim nga € që i ka dy vija). Njësia e thesarit, arka do ta kishte simbolin a me një vijë vertikale në mes. Nëse ka probleme dhe pengesa të natyrës administrativo-politike apo edhe ekonomike siç janë rezervat e nevojshme për emetimin e valutës vendore, propozimet, studimet, hulumtimet dhe shqyrtimi për zbatimin e tyre rreth përfitimeve të ekonomike, jo vetëm që nuk janë të ndaluara, por janë gjëra shumë fisnike e të civilizuara.

 

 


Isa Mulaj

Mobile: +377 (0)44 112 397

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu