Kosovarët „antievropianë“, ndërsa „Malli Sllobo“ mik i Evropës

0
625

Në Kosovë të gjithë ata që kanë kundërshtuar kompromisin për emrin e shtetit të tyre janë quajtur „antievropianë“. Në Bruksel lëvizja “Vetëvendosje” konsiderohet si „rrezik serioz për rajonin“. E këtë javë në Bruksel me ftesë të organizatës „Miqtë e Evropës“ do të flasë Ivica Daçiq (dikur bashkëpunëtori më i ngushët i Slobodan Milosheviqit, që e quanin „Slloba i Vogël“ ), ndërsa pjesëmarrësit do t’i argëtojë një tjetër ithtar i kasapit të Ballkanit – Emir Kusturica. Ky është realiteti se çfarë mendojnë në Evropë për Kosovën dhe kosovarët

Këto ditë opinioni kosovar është objekt i një fushate të orkestruar me përmasa ndërkombëtare për të bindur se kompromisi i arritur me Serbinë të premten është në të mirë të Kosovës. Pjesë e kësaj fushate janë Qeveria e Kosovës, zyrtarë të BE-së dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nuk ka asgjë të keqe kur strukturat politike përpiqen që qëllimet dhe qëndrimet e tyre t’ia shesin opinionit publik. Ekspertët për PR (shkurtesa angleze për Marrëdhënie Publike) mund të analizojnë sesa efikase është kjo fushatë, por është evidente se gjithçka ishte e përgatitur kohë më parë. Kryeministri Thaçi në Kosovë me prononcimet e tij se „Serbia po e njeh Kosovën“, ministri i Jashtëm, Hoxhaj, se „Kosovës po i hapet rruga për në BE“, „përshëndetjet dhe urimet“ nga Brukseli, Uashingtoni, Berlini, Londra e Tirana dhe të gjitha me një qëllim që të mos kritikohet Qeveria e Kosovës për aktin që e bëri e që para dy javësh tha se nuk do ta bëjë; të pranojë kërkesën e Serbisë që të ketë referencë në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës e dinin mirë dhe saktë se kur dhe si do të dalin në përkrahje të tyre diplomatët e lartë ndërkombëtarë, dhe madje në media i paralajmëronin ato. Kësaj radhe dukej paksa e tepruar, sepse popullit të Kosovës i thuhej se „nuk keni nevojë të mendoni-ajo që ne themi se është e mirë edhe është e mirë për ju“. Pra populli i Kosovës nuk do të duhej fare të mendojë për Marrëveshjen me Serbinë, as për përmbajtjen e „fusnotës“ së famshme, sepse „ka kush mendon në vend të tyre“.

Kosovarët nuk duhet kurrsesi të flasin për këtë. Dhe nëse marrin guximin të flasin duhet ta përshëndesin marrëveshjen. E nëse në ndonjë rast mendojnë se marrëveshja nuk është e mirë, dhe e thonë këtë publikisht, atëherë janë „pseudointelektualë“, janë „antiamerikanë dhe antievropianë“. Në Kosovën e pavarur edhe e drejta në mendim të pavarur do të duhej të respektohej. Si duket Kosova ka ardhur në një situatë kur diplomatët e huaj duhet të vendosin se kush është intelektual e kush „pseudointelektual“, kush është „burrë“ e kush jo. Kësaj radhe, edhe pse porositë erdhën nga miqtë e dëshmuar të Kosovës, ndikimi i tyre ishte i limituar.

Në bazë të reagimeve mund të thuhet se shumica e qytetarëve të Kosovës, dhe e tërë opozita, nuk ishin të impresionuar me interpretimet vetëm pozitive të kompromisit me Serbinë. Duket se ata e kanë kuptuar lojën e dialogut tashmë. Në këtë dialog është bërë një zinxhir i qarqeve të ndërvarura. Suksesi i dialogut, ashtu siç është projektuar në Bruksel, varet nga vullneti i Qeverisë së Kosovës për kompromis. Stabiliteti i Qeverisë së Kosovës varet nga mbështetja ndërkombëtare. Me mbështetje ndërkombëtare heshtet edhe opozita. Ajo mbështetje nganjëherë mund të shkojë edhe aq larg, saqë të ndërpresë edhe ndonjë hetim të EULEX-it nëse ato hetime mund të shkojnë „tepër larg“. Ajo mbështetje legjitimon edhe manipulimet e zgjedhjeve. Kritikat ndaj dialogut vetëm sa e kanë forcuar Qeverinë e Hashim Thaçit në sytë e ndërkombëtarëve, edhe pse duket se dialogu e ka dobësuar këtë Qeveri në sytë e qytetarëve të Kosovës. Në këtë proces ka disa elemente në zinxhir dhe cilido që në këtë zinxhir del nga rrethi, i tërë procesi rrezikohet. 

Mst: A është i saktë gjithmonë mendimi i „miqve ndërkombëtarë“

Miqtë duhen respektuar gjithmonë dhe në rastin e Kosovës edhe me shumë. Pa miq Kosova sot nuk do të ishte e lirë dhe as e pavarur. Respekti i miqve ka qenë gjithmonë edhe pjesë e traditës në Kosovë: por ekziston në Kosovë edhe thënia se „edhe miku e di ku e ka vendin“. Prej kur me ndihmën e miqve Kosova u bë e pavarur, shtetet mike përfaqësohen në Kosovë nga ambasadorët e tyre. Kosova përfaqësohet po ashtu në disa prej këtyre vendeve me ambasadorë po ashtu. Dhe mendimet e tyre duhen marrë seriozisht dhe duhen respektuar. Por ata po i ngatërrojnë rolet e tyre. Një ditë u thonë kosovarëve se „duhet të marrin përgjegjësi për veten e tyre dhe të  heqin kulturën e varësisë nga të huajt“ dhe të nesërmen u tregojnë kosovarëve se „çka është mirë e çka është keq për ta“ apo kush është intelektual e patriot e kush pseudointelektual e kush jo.

Me vite kosovarët kanë punuar që të ndërtojnë një imazh të mirë të tyre në skenën ndërkombëtare. Serbia këto përpjekje i ka luftuar dhe madje i tmerrohej asaj që e quanin „internacionalizim i çështjes së Kosovës“. Kosova në fund të viteve të shekullit të kaluar fitoi një mbështetje të madhe morale, politike dhe në fund edhe ushtarake ndërkombëtare që rezultoi me ndërhyrjen e NATO-s dhe Çlirimin e Kosovës. 

Që nga Çlirimi i Kosovës e deri më sot imazhi i Kosovës në skenën ndërkombëtare ka shkuar në drejtim të kundërt, duke u keqësuar. Dhe sot Kosova dhe qytetarët e saj janë të izoluar, të padëshiruar, ndërsa liderët e Kosovës të dyshuar edhe pse të toleruar për nevoja të menaxhimit të situatave të momentit. Edhe disa nga ata që paraqiten si „miq të Kosovës“ e dinë se Kosova ka probleme serioze me imazh. Ky imazh nuk përmirësohet me kompromise me Serbinë (madje këto kompromise nganjëherë shihen edhe si shenjë sesa seriozisht e marrin kosovarët shtetin e tyre) e as me fushata të paguara nëpër media. Ky imazh përmirësohet duke luftuar dhe zvogëluar dukuritë të cilat kanë bërë që të dëmtohet imazhi siç janë krimi i organizuar dhe korrupsioni në Kosovë dhe pjesëmarrja disproporcionalisht e madhe e Kosovarëve në krimin e organizuar jashtë Kosovës. Imazhin e Kosovës nuk e përmirësojnë raportet e lidershipit me strukturat ndërkombëtare, por demokratizimi dhe zhvillimi i brendshëm i Kosovës.  Për ta parë se ku gjendet sot Kosova e ku Serbia, jo vetëm në rrugën e tyre drejt BE-së, por edhe me imazh, mund të shikoni se kush është në pushtet në Serbi, çfarë bëjnë dhe çfarë mendojnë për ta në BE e besa edhe në SHBA.

Mst: „Slloba i Vogël“ mik i Evropës – kosovarët „antievropianë“

Në Kosovë të gjithë ata që kanë kundërshtuar kompromisin për emrin e shtetit të tyre janë quajtur „antievropianë“. Në Bruksel lëvizja “Vetëvendosje” konsiderohet si „rrezik serioz për rajonin“. E këtë javë në Bruksel me ftesë të organizatës „Miqtë e Evropës“ do të flasë Ivica Daçiq (dikur bashkëpunëtori më i ngushët i Slobodan Milosheviqit), ndërsa pjesëmarrësit do t’i argëtojë një tjetër ithtar i kasapit të Ballkanit- Emir Kusturica. Ky është realiteti se çfarë mendojnë në Evropë për Kosovën dhe kosovarët dhe për këtë në Kosovë duhet ta vënë gishtin në kokë dhe të mendojnë mirë.

Kur lideri i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, ishte në burgun e Milosheviqit, Iviva Daçiq ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Milosheviqit. Emir Kusturica (Nemanja pas pagëzimit si serb ortodoks) propagandist i regjimit të Milosheviqit, i cili la edhe qytetin e tij të lindjes, Sarajevën, dhe kaloi në anën e atyre që e masakruan këtë qytet. Sot këta të dy vijnë në Bruksel dhe mbajnë konferenca dhe koncerte në prani të zyrtarëve të lartë të BE-së dhe në organizim të „Miqve të Evropës“.

Realiteti është se Serbia po rehabiliton politikën e Milosheviqit. Madje thonë se „Milosheviqi ka vdekur i pafajshëm, sepse nuk ka pasur verdikt gjyqësor“. Por kosovarët nuk kanë nevojë të shohin verdikt gjyqësor për atë që vetë e përjetuan, për krimet ndaj tyre të forcave të Milosheviqit. Si u bë që Albin Kurti dhe një numër gjithnjë e më i madh i të rinjve që po e mbështesin lëvizjen “Vetëvendosje” na qenkan „rrezik për rajonin“, sepse kanë hedhur domate mbi veturat e EULEX-it, ndërkohë që Ivica Daçiq na qenka „Mik i Evropës“.

Kur Daçiq ishte për herë të parë në Bruksel si ministër i Brendshëm dhe zëvendëskryeministër serb, në një konferencë për shtyp e pata pyetur se a distancohet nga politika e Milosheviqit? „Secili popull në rajon ka pasur në momente të caktuara liderë nga të cilët merr më të mirat e tij“, ishte përgjigjja e tij. Ai sot flet për „balancë të frikës“, duke thënë se „Serbia nuk duhet të thotë se nuk do të luftojë për Kosovën. Dje tha se „Sheshel pa të drejt po mbahet në Hagë“, dhe kërcënoi Evropën se nëse nuk i jep Serbisë statusin e kandidatit „do të ndërtojë baza ruse në Serbi“. Ai është në krye të Ministrisë e cila ka policët e saj në territorin e Kosovës. Por në Bruksel i ka gjithmonë dyert e hapura. Albin Kurti është shef i Grupit parlamentar për politikë të jashtme dhe asnjëherë nuk ka qenë në Bruksel në këtë cilësi.  Kështu po na mësojnë pra miqtë ndërkombëtarë se „Malli Sllobo“ (Slloba i vogël) siç e quanin Daçiqin na qenka „mik i Evropës“, ndërsa kosovarët „antievropianë“.

 

Nga, Augustin Palokaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu