Kosovarët ikën edhe sot, Qeveria thotë se ky është “plan” i BE-së…!

0
811

Agjencia Fjolla

Në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, të gjitha biletat që çojnë në Beograd janë shitur deri me datën 5 shkurt. Edhe të dielën pasdite shumë qytetarë po prisnin në radhë për të prerë një biletë, me të cilën synojnë të marrin rrugën e migrimit ilegalë për në vendet e perëndimit. Serbia e Hungaria janë vende transite, ndërsa synohen Gjermania, Zvicra, Franca e të tjera vende.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë diskutuar në një seancë migrimin ilegal, me kërkesë të AAK-së. Miratimi i një rezolute kundër migrimit ka mbetur vetëm në përpjekje. Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës është e rezervuar në deklarime rreth këtij problemi.

Në kushte anonimiteti, një burim brenda Qeverisë së Kosovës, i ka thënë portalit Koha.net se krejt kjo lëvizje e qytetarëve të Kosovës po bëhet me qëllim që të regjistrohen personat të cilët potencialisht do të mund ta linin Kosovën, në momentin që do të liberalizoheshin vizat. Ky burim thotë se këta persona do të kthehen që të gjithë në Kosovë, ndërsa do të futen në një listë të zezë për të mos pasur mundësi që të lëvizin në vendet e Shengenit, deri në pesë vjet pas liberalizimit të vizave për kosovarët.

Sidoqoftë, qytetarët e Kosovës s’po ka që i ndalë nga ikja. Gazetari i portalit Koha.net ka qëndruar të dielën në Stacionin e Autobusëve, ku ka folur me disa nga personat që po prinin biletat për në Serbi. Ata nuk pranojnë të identifikohen, se kësisoj frikohen se mund të kenë pasoja. Thonë se po ikin nga mungesa e perspektivës në Kosovë.

“Ja kemi mësyrë Gjermanisë se këtu nuk ka asgjë mirë. Po mendojmë që atje është më mirë. I kam veç 20-vjet e do shokë kanë shku atje e na kanë thënë që është mirë. Këtu e kam kryer shkollën e mesme, mirëpo nuk shoh perspektivë”, ka thënë një djalosh nga Smallusha e Lipjanit, që po synon që të mërkurën të marrë udhë për Gjermani.

Me të ishte edhe shoku i tij, një 18-vjeçar, që po ashtu nuk do që t’i përmendet emri. Ai po e braktisë edhe shkollën për të kërkuar azil në Gjermani.

“Jem tu mendu me shku e me kqyr qysh është atje, pastaj me kqyr me u shku azil”, ka thënë ai.

Një 29-vjeçar, tjetër djalë që po synon Perëndimin, ka thënë se në Kosovë nuk ka gjetur asnjë punë që t’ia mundësonte që ta mbante familjen e tij.

“Nuk jam veç unë që mendoj kështu, janë edhe shumë të tjerë që ia kanë mësy Francës e Gjermanisë, duke mendu që kanë me gjet ndonjë punë”, ka thënë ky i ri.

E, se ky 29-vjeçar nuk është i vetmi, tashmë e din të gjithë. Së fundi, portali lajmiri.com, ka raportuar për numrin e madh të ikjeve nga fshati Çabiq, i Klinës. Ky portal thotë se fshati po zbrazet.

Një burim brenda Qeverisë së Kosovës i ka thënë portalit Koha.net se ka gjasa reale që në periudhë të shkurtë të fillojë liberalizimi i vizave për Kosovën.

“Mirëpo, përpara se te liberalizohen vizat, BE ka dashur të identifikojë ata njerëz në Kosovë që potencialisht do të shkelnin rregullat e liberalizimit dhe do të migronin”, ka thënë ky burim në kushte anonimiteti. “Pra, kur të fitohet liberalizimi i vizave, do të jenë këta njerëz që do ta humbin të drejtën e udhëtimit të lirshëm në Schengen, ndërsa të tjerët do të udhëtojnë lirshëm”, ka shprehur bindjen ky zyrtar, teksa ka thënë se kthimi i tyre për në Kosovë është i patjetërsueshëm.

Një strategji kundër migrimit është përmendur se do të hartohet nga Qeveria e Kosovës. Deri atëherë çështja ka mbetur në nivel të deklaratave që liderët thërrasin për të mos e braktisur vendin.

Në këtë kontekst, kryeministri Isa Mustafa, të shtunën u ka thënë kosovarëve që të mos migrojnë ilegalisht. Ai ka shprehur përkushtimin e të gjitha institucioneve të vendit në angazhimin me gjithë potencialin që kanë, në mënyrë që këtu të krijohen kushte me të mira jetese e vende të reja pune.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu