Kosovarët në grevë urie në kampet hungareze

0
801

Për shkak të kushteve të rënda dhe trajtimit jonjerëzor, rreth 30 kosovarë kanë hyrë në grevë urie në një kamp në qytetin Gyl në Hungari, duke kërkuar kthimin e tyre në vendlindje.

Ata janë ndaluar nga autoritetet hungareze pas tentimeve që të dalin ilegalisht drejt shteteve të ndryshme të Bashkimit Evropian.

Njëri nga të ndaluarit në këtë kamp, Adriatik Jakupi, ka konfirmuar për “Zërin” se kushtet në të cilat po mbahen janë shumë të rënda.

“Nuk i dimë arsyet pse na mbajnë në këtë formë. Qe dy ditë nuk kemi ngrënë bukë, sepse ushqimi është shumë i dobët, zakonisht na i sjellin dy rriska buke, të cilat nuk do ta ngopnin as një fëmijë dyvjeçar. Kushtet janë të tmerrshme, jemi 30 veta të vendosur në 4 dhoma”, është shprehur Jakupi.

Kushtet e rënda në këtë kamp i kanë detyruar këta të ndaluar që të fillojnë një grevë urie me kërkesë që të kthehen sa më parë në Kosovë.

“Jemi rreth 30 persona, dje ia kemi filluar grevës me kërkesën e vetme që të na kthejnë në shtëpi, sepse ne nuk jemi as kriminelë e as hajna, thjesht kemi kaluar nëpër këtë vend për të arritur në vende tjera për të gjetur punë”, ka deklaruar Jakupi.

Ai ka shtuar se gjatë ditës vetëm 30 minuta mund t’i kalojnë në oborr dhe se autoritetet hungareze po ua marrin edhe ato pak para sa u kanë mbetur.

“Na vjedhin hapur, nëse dikush dëshiron ta blejë një kuti cigare, për të ia marrin 10 euro. Ne jemi në gjendje që t’i japim nga 50 euro për t’u kthyer në Kosovë, por nuk kemi shpresa se kjo do të ndodhë”, ka thënë Jakupi.

Ai ka thënë se në këtë kamp të ndalimit është sjellë para dy javësh, por, sipas tij, ka të tjerë që janë me muaj të tërë. Madje Jakupi ka treguar se dy persona në këtë kamp i kanë paguar nga 550 euro për t’i kthyer në Kosovë, por atyre u janë marrë paratë dhe u kanë thënë që do t’i kthejnë më 2 prill.

Adriatik Jakupi ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sa më shpejt të bëjë diçka për kthimin e tyre në Kosovë. “Qeveria duhet të bëjë diçka që të kthehemi sa më shpejt, jo vetëm unë, por të gjithë këtu, sepse asnjëri nga ne këtu nuk kemi dalë për qejf nga Kosova, por për shkak të kushteve të rënda. Sikur ta kishim nga një punë atje, nuk do të na shkonte mendja të largohemi”, ka përfunduar Jakupi.

 

Nga: Albert Ahmeti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu