Kosovarët që luftuan në Kumanovë kishin hyrë ilegalisht në Maqedoni

0
621

16 Luftetaret

Shumica nga personat, shtetas të Kosovës, të përfshirë në konfliktin e armatosur në Maqedoni nuk kanë kaluar kufirin në mënyrë të rregullt brenda vitit 2015.

KTV-ja ka arritur të sigurojë të dhëna të sakta për hyrje-daljet të secilit person që u përfshi në luftimet e ashpra në Kumanovë. Prej të gjithë emrave të bërë publik në medie si dhe nga institucionet maqedonase, vetëm njëri prej tyre rezulton të ketë pasur kalim legal të kufirit me Maqedoninë brenda vitit 2015.

Në bazë të të dhënave të siguruara nga KTV-ja, në muajin maj Sami Ukshini rezulton ta ketë vizituar Maqedoninë, megjithatë detaje të tjera për këtë vizitë nuk dihen ende.

Kohavisioni kishte raportuar të martën për faktin sesi AKI-ja i kishte njoftuar institucionet, duke përfshirë kryeministrin, presidenten dhe policinë, për mundësinë e përfshirjes së kosovarëve në trazirat e Maqedonisë.

Përkundër kësaj, institucionet nuk arritën të parandalojnë përfshirjen e kosovarëve, ndonëse kishin informacione për një skenar të tillë.

Ish-komandanti i UÇK-së, Naim Maloku, ka thënë se institucionet e Kosovës është dashur ta ndalojnë këtë grup që të shkojnë në Maqedoni, pasi, sipas tij, shumicën e tyre i njohin qeveritarët.

Eksperti i financimit të terrorizmit, Bashkim Zeqiri, thotë se Kosova do të duhej të merrte masa preventive, e jo të lejonte të ndodhte një gjë e tillë, transmeton Koha.net.

Anëtari i Komisionit për punë të brendshme, Rexhep Selimi, e quan të papranueshëm mosdeklarimin e qeverisë. Selimi kërkon llogari nga ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni, i cili sipas tij, do të duhej të tregonte se cilat janë informacionet që ka.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu