Kosovarët sfidojnë pandeminë – mijëra qytetarë udhëtuan drejt Shqipërisë për fundjavë

0
341

Qytetarët nga Kosova po i bëjnë sfidë pandemisë kur vjen puna për të udhëtuar në Shqipëri. Masat më të lehta kufizuese për pandeminë në Shqipëri, krahasuar me ato që ka marrë qeveria e Kosovës, por edhe moti i mirë me diell e temperatura relativisht të larta ka bërë që mijëra qytetarë nga Kosova të zgjedhin të kalojnë fundjavën në Shqipëri.

Pika kufitare e përbashkët e Morinës ka pasur një fluks të lartë mjetesh duke krijuar edhe radhë të gjata. Policia kufitare në Morinë e ka konfirmuar se duke filluar nga ora 9 e mëngjesit të së shtunës kanë kaluar në Shqipëri rreth 1.700 automjete dhe rreth 4.700 qytetarë të Kosovës drejt Shqipërisë.

Befasia ka qenë muaji tetor, ku shifrat e vizitorëve nga Kosova në Shqipëri kanë njohur një rritje me 35.3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit kaluar, kohë në të cilën jo vetëm Shqipëria, por e gjithë bota nuk ka qenë e përfshirë nga COVID-19, raporton KOHA.

Në bazë të shifrave të publikuara nga INSTAT(Instituti Shqiptar i Statistikave) në muajin tetor të këtij viti kanë hyrë në Shqipëri 124.492 shtetas nga Kosova, krahasuar me 92001 shtetas që kanë hyrë në tetorin e vitit 2019, duke shënuar një rritje prej 35.3%.

Në periudhën janar-tetor të vitit 2019 kanë hyrë në Shqipëri 2.096.989 persona nga Kosova, ndërsa në janar-tetor të këtij viti kanë hyrë në Shqipëri 1.223.770 persona.

Ekspertët e ekonomisë në Shqipëri mendojnë se turizmi shqiptar mbijetoi këtë sezon falë turizmit patriotik. 52.55% për qind e numrit total të vizitorëve të huaj në periudhën janar- tetor të këtij viti janë shtetas nga Kosova. Për këtë 10-mujor në total Shqipërinë e kanë vizituar 2.328.641 të huaj apo 60,2% më pak në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019, ku 1.223.770 persona nga shifra totale janë vizitorë nga Kosova. 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu