Kosta Papa, dëshmitari zbulon “Barbaritë greke në Shqipëri”

0
939

Sot, pas 100 vitesh pavarësi, ne, fatpambrojturit, së paku mund të dëshmojmë… Kur Greqia monarkiste e fillimit të shekullit të 20-të e kuptoi se, si dokudo, Europa do ta njihte një Shqipëri të pavarur; se një kufi i ri do të shtohej në rajon; se ëndrra e vjetër për ta zgjeruar Greqinë deri në kufijtë mesjetarë të Bizantit dhe për të krijuar një shtet të të gjithë ortodoksëve, pavarësisht kombësisë së tyre, po dështonte, një stuhi krimesh mbi fshatrat dhe qytetet shqiptare shpërtheu. Në të vërtetë, barbaritë nxiten prej caktimit të kufijve…
Libri “Barbaritë greke në Shqipëri”, që vjen para lexuesit nga botimet “Naimi”, përmban kujtimet historike të një veprimtari fare pak të njohur në studimet shqiptare për periudhën prej shpalljes, deri në njohjen e Pavarësisë së shtetit shqiptar – Kosta Papa. “Ai nënshkruan duke i shtuar emrit të tij disa emërtime vendesh historike dhe shënjuese: Përmeti, Tomorri, Leusa. Ka qenë protagonist e dëshmitar i ngjarjeve traumatizuese të dy luftërave ballkanike, kryesisht në Shqipërinë e jugut”, – shkruan në parathënien e librit, botuesi Naim Zoto. Por, Kosta Papa, në mënyrë të veçantë paralajmëron se do të ndalet në vitin e mbrapshtë 1913 dhe në disa mbrapshti të tjera që vijuan më 1914-ën e më vonë. “Ndonëse nuk ka shumë të dhëna, një gjë është ruajtur e përcjellë deri sot për autorin: Kosta Papa u dënua me vdekje nga qeveria greke e kohës pikërisht pse publikoi dëshmi rrëqethëse që do të turpëronin faqe botës çdo vend e popull që ndërmerr akte të tilla armiqësore ndaj fqinjit të tij historik, qoftë edhe në rrethana historike të mbrapshta”, -sqaron Zoto.
Rrëfimi i “strukur”
Naim Zoto na thotë se libri i Kosta Papës është botuar për herë të parë në gjuhën shqipe në Massachusetts, SHBA, më 1917. Ai shton se duhet të jetë botuar në një tirazh shumë të kufizuar, sepse tashmë ai thuajse nuk gjendet. “Një kopje e vetme që ruhet në Bibliotekën Kombëtare ka marrë vlerën e një dorëshkrimi. Kjo duhet të jetë arsyeja pse ky libër nuk është pjesë e bibliografive historiografike të studimeve shqiptare: thuajse nuk përmendet askund, sikur të mos ekzistonte”, – vëren ai. Pikërisht kjo është një nga arsyet pse ribotimi i tij, bashkë me rishtypjen fototipike të origjinalit, është i dobishëm jo vetëm për një lexues popullor, por edhe për studiuesit. Por cilat janë vlerat e tij në kohën tonë, në ditët moderne të së ashtuquajturës fqinjësi e mirë? Për Zoton, në kontekstin bashkëkohor, kur po kërkohet në mënyrë zyrtare që fqinjët ballkanas të ekzorcojnë urrejtjen historike dhe të dëbojnë demonët e historisë, ky libër merr rëndësi, sepse është shkruar para se shteti shqiptar të kishte krijuar institucione të vetat, para se të kishte përfunduar Lufta e Parë Botërore, para se të ishin rikonfirmuar kufijtë e Shqipërisë shtetërore të sotme, para se të kishte lindur shkenca e historisë shqiptare. Ai mendon se pikërisht koha kur është shkruar i jep atij më shumë besueshmëri dhe mbrojtje prej deformimeve të mundshme që kanë ndodhur në përshkrimet e mëvonshme të kësaj historie, sidomos në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar.
Rrengjet e historisë
Autori i librit nuk është një shkrues çfarëdo. Ai gjendet jo rastësisht në ngjarje nyja të periudhës 1912-1917, prej shpalljes së Pavarësisë deri në vitet e kundërveprimit shqiptar për të mbrojtur atë Shqipëri të vogël që kishin lejuar Fuqitë e Mëdha.
Libri “Barbaritë greke në Shqipëri” është një libër tronditës. Dëshmitë e tij provojnë se dy luftërat ballkanike, megjithëse në pamje të parë të nisura për të dëbuar ish-Perandorinë Osmane përtej Dardaneleve, në thelb çuan në fitore të përkohshme sa dhe të përgjakshme të fqinjëve ballkanas të shqiptarëve, ndërsa shqiptarët vetë dhe territoret e tyre qenë thjesht ekuilibrues të interesave të të tjerëve. “Me të drejtë ato nuk janë quajtur luftëra antiosmane, sepse më së shumti qenë konflikte të shpërthyera në kushtet e humbjes së autoritetit të Portës në Ballkan dhe të rikthimit të ideve e projekteve ekspansioniste të fillimeve të romantizmave nacionale në Ballkan”, -shënon Zoto. Por, përpos kësaj, është për t’u vënë re se në dy luftërat botërore të shekullit të 20-të ushtritë greke kanë hyrë në thellësi të territoreve shqiptare dhe në historinë e shtetit shqiptar nuk njihet ndonjë nismë që hyrja e këtyre ushtrive të konsiderohet si shkelje e integritetit, për më tepër që prej tyre të merret shkas për të hartuar e vendosur gjendje lufte me fqinjin jugor. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me ushtritë serbe në veri. Në të kundërtën, edhe pse Shqipëria ishte e pushtuar, edhe pse ish-mbreti i shfronëzuar A. Zogu në mërgim formalisht i kishte shpallur luftë Italisë së Musolinit, për shkak të përdorimit të territorit shqiptar si prapavijë të sulmit fashist, Shqipëria jetoi në kushtet e gjendjes së luftës me Greqinë deri në shekullin e 21-të.
A e nxit libri nacionalizmin? Zoto thotë se brezave të rinj, që po rriten me antimitin e kufirit, ky libër mund t’u duket tendencioz, ilustrim pikëpamjesh historike të frymëzuara prej nacionalizmit; sepse vërtet dëshmitë që përshkruan autori nuk janë figurativisht barbari; sepse edhe vetë fjala “barbari” në këtë dritë nuk ka kuptimin që kishte në greqishten antike, si dallim me tjetrin, që nuk fliste gjuhën e akejve; por kuptimin me të cilin përdoret në kohët moderne, si dhunë e tmerr mbi popullsinë civile. Ngjarjet e ndodhura në fillimshekullin e 20-të, qenë një nga provat më të mëdha dhe më të vështira të identitetit shqiptar. “Përpjekjet për të imponuar bindjen se çdo ortodoks është grek tek shqiptarët nuk u pranuan dhe kjo, siç shkruan Kosta Papa, tek grekët u përftua si një humbje historike”, – thotë Zoto.
Fatpambrojturit
Prej këtij libri, që ribotohet i rijetësuar, ashtu si ishte në vullnetin e autorit, mund të kuptohet se sa shumë ka punuar shekulli i 20-të për shqiptarët, sa e rëndësishme ka qenë të krijohej kjo Shqipëri shtetërore që është për të mbajtur gjallë ndjenjat dhe mendimet shqiptare në hapësirën historike të vetën rreth e qark, sa ka reflektuar mendimi politik e gjeopolitik rreth faktorit shqiptar. Përpos atyre që kanë ndodhur, sipas Zotos, pas një shekulli, shqiptarët, me gjithë problemet që mund të kenë për statusin e tyre, qoftë në Maqedoni, qoftë në Mal të Zi, në Serbinë jugore, madje dhe në Çamëri, nuk kanë më dënimin e një populli fatpambrojtur. Dhe kjo për të, është arritja më e rëndësishme shqiptare e një shekulli. “Libri është konceptuar të ribotohet edhe në versionin e redaktuar gjuhësisht, pra, për komoditet të lexuesit të sotëm, por edhe në versionin origjinal përmes formatit fototip, pra, i skanuar, riprodhim i origjinalit përmes fotografimit elektronik”, – bën me dije botuesi.

 

Nga Fatmira Nikolli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu