Kostë Çekrezi 1919, si i rrëzoi tezat fqinje për Shqipërinë

0
782

Kost çerkezi

Pas 93 vitesh, historia e parë e Shqipërisë shkruar në gjuhën angleze dhe botuar në SHBA në vitin 1919, ribotohet në shqip. I ardhur në gjuhën amtare të autorit, Kostë Çekrezit, ai është një nga intelektualët dhe patriotët më të mëdhenj që ka pasur Shqipëria, pjesë e kuartetit të famshëm të diasporës shqiptare amerikane: Fan Noli, Faik Konica, Kostë Çekrezi dhe Kristo Dako. Charles D. shtëpia botuese “Naimi” e boton në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë me ndihmën e fondacionit kulturor “Fan S. Noli”.
Charles D. Hazen, profesor i historisë moderne në Universitetin e Columbias, shkruan se “cilat janë të drejtat e Shqipërisë duhen mësuar jo nga ç’thonë fqinjët, rivalët apo armiqtë e saj të mundshëm, por nëpërmjet një mjeti më të drejtpërdrejtë e më të besueshëm – zërit të vetë shqiptarëve. Kjo është merita kryesore e librit të z. Çekrezi”. Sipas tij, Çekrezi na jep mundësinë ta shohim Shqipërinë me syrin e një shqiptari. “Për vite e vite me radhë, bota ka dëgjuar mjaft për punët e Shqipërisë”, thotë Hazen, “por ajo ka dëgjuar vetëm ç’thuhet thuajse tërësisht nga burime të jashtme; nga grekë, serbë a malazezë, dhe nga Fuqitë e Mëdha që për arsye të vetat, më 1912 krijuan në Londër shtetin e Shqipërisë dhe ia dorëzuan atë një princi të panjohur gjerman – Vilhelm Vidit (Wied)”. Ai shton se asnjë popull nuk mund të shpjegojë saktë nevojat e dëshirat, të drejtat e aspiratat e ndonjë populli tjetër, njësoj sikurse asnjë individ s’mund të bëhet zëdhënës i saktë i askujt, përpos vetes së vet. E pikërisht për këtë arsye e konsideron një kënaqësi e avantazh të qartë që, më në fund, kemi një interpretim nga vetë shqiptarët, një shpalosje të historisë së Shqipërisë, një paraqitje të kërkesave të shqiptarëve, drejtpërdrejt nga mendja dhe zemra e një vendasi. “Me sa di unë, ky është i pari libër i një shqiptari për Shqipërinë që ka dalë në gjuhën angleze…”, shkruan Charles D. Hazen, profesor i historisë moderne në Universitetin e Columbias në parathënien e librit “Shqipëria: e shkuara dhe e tashmja” i autorit Kostë Çekrezi).
Ndërsa vetë autori, Kostë Çekrezi, shënon në hyrje të veprës së vet se Shqipëria është “vend misterioz”, “vend i mrekullive”, “i panjohur” edhe “më i errët se Afrika e errët”. Sipas tij, këto janë vetëm pak nga cilësimet jo të zakonshme për vendin që banohet nga populli më i vjetër në Europën Juglindore… “Sidoqoftë, sot nuk ka dyshim se shqiptarët janë raca më e vjetër në Ballkan… Pavarësisht nga kjo, problemi i Shqipërisë është një libër i palexuar jo vetëm për publikun e gjerë, por edhe për njerëzit që janë seriozisht të interesuar për të”, shprehej më 1919 Çekrezi.
Miku i Nolit e kundërshtari i Zogut, mendonte se kjo mosnjohje e punëve të Shqipërisë vjen, jo ngaqë nuk interesohet kush për to, të paktën në këto kohë që po jetojmë, por ngaqë mungon një trajtesë tërësore e praktike mbi Shqipërinë. “Është e vërtetë se për të janë shkruar libra të shumtë, por ato ose janë shkruar nga autorë amatorë që priren të spekulojnë për gjëra që i njohin fare pak, ose janë veçse monografi a skica që nuk e përmbushin dëshirën për informacion të përgjithshëm”, thekson autori. Sipas tij, kjo është veçanërisht e vërtetë përsa u takon librave mbi Shqipërinë shkruar në anglisht e frëngjisht, ndërsa trajtesat gjermane e italiane për të njëjtën temë kanë më pak mangësi. “Një tjetër mangësi serioze për të marrë informacion të përgjithshëm mbi Shqipërinë është se shkrimet përkatëse janë të shpërndara në një numër të madh librash, të cilët as mendohet që njeriu i zakonshëm të jetë në gjendje t’i përdorë sistematikisht”, vërente ai.
Libri
Ideja për të shkruar këtë libër mbi Shqipërinë fillimisht iu sugjerua autorit nga mësuesit e tij e Fakultetit të Historisë në Universitetin e Harvardit, në veçanti nga prof. A. C. Kulixh (Coolidge), lektor mbi Çështjet e Lindjes, i cili ndjente keqardhje të thellë që nuk kishte një trajtesë të tillë në gjuhën angleze. Gjatë studimeve në institucionin e sipërpërmendur, autori pati rast të shkruante disa teza e raporte rreth asaj çka është terra incognita e historisë së Shqipërisë – historia e saj bashkëkohore dhe gjendja në të cilën ndodhet. Prandaj, është e drejtë të thuhet se ky libër bazohet në një pjesë të madhe në ato teza e raporte, për aq sa lidhet me këtë dekadë.
Autori
Ndonëse i njohur gjithandej në diasporën shqiptare dhe në qarqet politike përtej Atlantikut, emri i Kostë Çekrezit në Shqipëri e në vendlindje u mbulua nga misteri dhe heshtja e pamerituar pas viteve ’40 të shekullit të kaluar. Për fat të keq, edhe pas rrëzimit të regjimit totalitar komunist, kontributi i çmuar atdhetar i Çekrezit vijon të mbetet edhe sot i pazbuluar.
Nisma e përkthyesit Arben P. Latifi, përkatësisht përkthimi cilësor, si edhe botimi i veprës “Shqipëria, e shkuara dhe e tashmja” (“Albania, past and present”, 1919), e para histori e Shqipërisë e shkruar prej një shqiptari në gjuhën angleze, e cila qarkulloi e vetme për shumë vjet në kancelaritë perëndimore, duke e sjellë tashmë edhe në duart e lexuesit shqiptar në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, është e para gjë serioze që po bëhet për Kostë Çekrezin.
Kostë Çekrezi lindi në Ziçisht të Korçës në 31 mars 1892, sipas deklarimit të tij në regjistrimin e vitit 1942 në Boston, ku jetonte si shqiptaro-amerikan, pasi ishte arratisur nga kampi i përqendrimit “Le Vernet Internment Camp” në Francë. Pasi kreu studimet në gjimnazin e Korçës, në qershor të vitit 1910, një ndër gjimnazet më në zë të kohës, së bashku me “Zosimean” e Janinës dhe atë të “Adrianopojës”, Çekrezi fitoi të drejtën të vijonte Shkollën e Lartë Turke të Selanikut për Drejtësi. Studioi vetëm një vit, në 1911-1912, dhe në fund të 1912, me shpalljen e Pavarësisë, deri në vjeshtën e 1914, Vlora bëhet vendlindja e dytë e Kostë Çekrezit. Vetëm 21-vjeçar ai punon si sekretar i Gjykatores Civile të Vlorës dhe me tej, emërohet dragoman (sekretar-përkthyes) i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit pranë Qeverisë së Ismail Qemalit dhe më vonë, Princ Vidit. Pas largimit të Princ Vidit, në tetorin e po këtij viti Çekrezi niset për në Amerikë, i ftuar nga shoqëria shqiptare “Vatra”, për t’u bërë editor i gazetës “Dielli” në Boston, të cilën e ktheu në gazetë të përditshme. Mori vlerësime të shumta nga bashkëkombasit, madje dhe nga kundërshtarët e tij politikë, si një “punëtor që i kishte shokët e rrallë”.
Jeta aktive në Uashington e bën të njohur në qarqet politike e diplomatike. Ndërkohë, Çekrezi plotëson shkollimin e tij në Harvard. Diplomohet në 1918 me gradën Bachelor of Arts dhe, pas kësaj, jep leksione si profesor i historisë në Colombia University.
Prej 2 Marsit 1920 (deri në 1922), Kostë Çekrezi është i pari përfaqësues i akredituar nga qeveria e Kongresit të Lushnjës pranë Qeverisë Amerikane, si Komisioner i Shqipërisë në Uashington. Në 1925 kthehet në Shqipëri dhe boton në Tiranë gazetat “Telegraf” dhe “Ora” deri në 1932. Kundërshtar i Zogut lidhur me disa koncesione në favor të bankave italo-shqiptare, Çekrezi bëhet njeriu më aktiv në organizimin e kryengritjes së Fierit. Por, me dështimin e saj, detyrohet të emigrojë nëpër Evropë deri në vjeshtën e 1941. Pastaj, rikthehet në Amerikë dhe themelon shoqërinë “Shqipëria e Lirë”, duke pretenduar të njihej si president i një qeverie në mërgim dhe angazhohet për njohjen e Shqipërisë nga Uashingtoni. Më 1945 tërhiqet nga drejtimi i “Shqipërisë së lirë”. Një mbështetës i paepur i demokracisë dhe lirisë, Çekrezi, edhe pse i tërhequr, “e mban gishtin në damarin e lëvizjes kombëtare shqiptare”. Kjo duket edhe nga botimi në Uashington, në vitin 1951, i librit “Plani i tretë për copëtimin e Shqipërisë”, një vazhdim dhe plotësim i librit “Shqipëria: e shkuara dhe e tashmja”.
Bashkëpunues me figurat më në zë të kohës që nga Ismail Qemali, vëllezërit Konica, Noli, Dako, dhe deri tek më të rinjtë, pastaj njohja dhe kontaktet me figurat e diplomacisë amerikane në nivelet më të larta të saj (Sekretarin e Departamentit të Shtetit) dhe të huajt, flasin për një personalitet politik, letrar dhe patriotik ndër më të spikaturit. Kostë Çekrezi, ky njeri zemërmadh, patriot dhe intelektual i dorës së parë, siç mund të konstatohet lehtë edhe nga veprat që botoi apo la në dorëshkrim, mbylli sytë në Village Virginia, pranë Bostonit, në datën 10 janar 1959, në moshën 67- vjeçare. Në ceremoninë e varrimit të tij, Fan Noli e quajti Kosta Çekrezin “burrë shteti, që kishte luftuar gjithë jetën e tij për kombin dhe ky Djalë i Madh i Shqipërisë vdiq fukara”.
Përkthimin e librit “Shqipëria: e shkuara dhe e tashmja” nga gjuha angleze në shqip e ka financuar fondacioni kulturor “Fan S. Noli”, Tiranë, në kuadër të 100-vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar.

Nga: Fatmira Nikolli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu