KQZ-ja konfirmon: BDI dhe VMRO – DPMNE fitojnë shumicën e komunave

0
681

Partia shqiptare në qeveri në Maqedoni, BDI, ka shënuar fitore në disa komuna që në rrethin e parë, përfshirë edhe komunën e Kërçovës, e cila për herë të parë pas 70 vitesh do të udhëhiqet nga kryetar shqiptar, Fatmir Dehari.

Në Maqedoni të dielën u mbajtën zgjedhjet lokale në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit, si njësi e veçantë administrative.

Shumicën e komunave e kanë fituar partitë e koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE e udhëhequr nga kryeministri, Nikola Gruevski dhe tek blloku politik shqiptar Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).

Opozita e bashkuar maqedonase e udhëhequr nga LSDM ka pësuar humbje të thellë në disa komuna, edhe ato që më parë njiheshin si bastione të saj. Koalicioni opozitar fitore bindëse ka shënuar vetëm në komunën e Strumicës, ndërsa në shumicën prej tyre shkon në balotazh.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) sot publikoi rezultatet për zgjedhjet lokale, duke bërë të ditur se koalicioni i partive i udhëhequr nga VMRO-DPMNE ka fituar më shumë vota në 54 komuna, koalicioni opozitar i udhëhequr nga LSDM në 7 komuna, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka fituar në 11 komuna, PDSH, RDK, Partia Demokratike e Turqve, Partia Përparimtare Serbe dhe Lidhja e Romëve janë në epërsi në nga një komunë.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka shënuar fitore në disa komuna që në rrethin e parë, përfshirë edhe komunën e Kërçovës, e cila për herë të parë pas 70 vitesh do të udhëhiqet nga kandidat shqiptarë, Fatmir Dehari, i cili fitoi përballë kandidatit të përbashkët maqedonas VMRO-DPMNE dhe LSDM, Blagoja Despotovski.

BDI ka shënuar fitore që në raundin e parë edhe në: Çair, Dibër, Likovë, Bogovinë, Saraj, Zhelinë, Pllasnicë.

PDSH ka pësuar humbje në disa komuna, përfshirë edhe komunën e Tetovës, ku kandidatja nga BDI, Teuta Arifi është në epërsi prej mbi 3500 votave kundrejt kandidatit të PDSH-së, Sadi Bexheti, me ç`rast gara do të vazhdojë në balotazh pas dy javësh.

RDK vazhdon garën në komunën e Gostivarit, ku kandidati dhe lideri i kësaj partie, Rufi Osmani është në një diferencë të ngushtë me kandidatin e BDI-së, Nevzat Bejta.

Më poshtë rezultatet e plota në komunat shqiptare:

Haraçinë

Në rrethin e dytë shkojnë kandidati i BDI-së, Brahim Ajvazi dhe kandidati i pavarur Bastri Bajrami. Këshilli komunal do të udhëhiqet nga BDI.

Bogovinë

Në rrethin e parë ka fituar kandidati i BDI-së, Hazbi Idrizi. Këshilli komunal do të udhëhiqet nga BDI.

Vrapçishtë

Në rrethin e dytë do të garojnë kandidati i BDI-së, Bajram Kadrija (4236) dhe kandidati i PDSH-së Isen Shabani (3844). BDI ka fituar shumicën në Këshillin komunal.

Gostivar

Në rrethin e dytë gara do të zhvillohet mes:

Rufi Osmani – RDK 14.278

Nevzat Bejta – BDI 13.577

(Kandidati i PDSH në Gostivar, Miat Sadiku ka fituar 2805 vota)

Këshilli komunal do të udhëhiqet nga BDI e cila ka fituar 11.282 vota, RDK 10.764 vota. PDSH 3015 vota.

Dibër

Kandidati i BDI-së, Ruzhdi Lata ka fituar që në raundin e parë me 6056 vota, ndërsa i dyti është radhitur kandidati i pavarur Ibrahim Kolari me 1230 dhe kandidati i PDSH-së me 1144 vota.

Në Dibër Këshilli komunal do të udhëhiqet nga BDI.

Zhelinë

Kandidati i BDI-së, Fatmir Izairi ka fituar që në raundin e parë me 4985 vota, kandidati i PDSH-së, Latif Arifi ka fituar 3920 vota. Këshilli komunal do të udhëhiqet nga BDI.

Kërçovë

Fitore e kandidatit të vetëm shqiptar Fatmir Dehari nga BDI përballë kandidatit maqedonas të koalicionit gjithë-maqedonas Bllagoja Despotovski – kandidat i VMRO-DPMNE.

Në Kërçovë gjithashtu edhe Këshilli komunal do të udhëhiqet nga BDI e cila ka fituar 16.682 vota, ndërsa koalicioni maqedonas i përbërë nga VMRO-DPMNE dhe LSDM ka fituar 14.900 vota.

Kumanovë

Në rrethin e dytë shkojnë dy kandidatët e partive maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM.

Zoran Gjorgjievski nga VMRO-DPMNE është në epërsi me vota 20.759, ndërsa kandidati i LSDM, Zoran Damjanovski dhe udhëheqës i deritanishëm i komunës ka fituar 19.320 vota.

Në komunën e Kumanovës në rrethin e dytë do të jetë vendimtare vota e shqiptarëve.

Partitë shqiptare kanë fituar këto vota për Këshillin komunal që do të udhëhiqet nga VMRO-DPMNE.

Likovë

Në rrethin e parë ka fituar kandidati i BDI-së dhe kryetari i deritanishëm, Sadulla Duraku me 6073 vota, përballë kandidatit të PDSH-së, Murtezan Idrizi me 5303 vota. RDK ka fituar vetëm 371 vota.

Pllasnicë

Në rrethin e parë ka fituar kandidati i BDI-së, Ismail Jahovski me 1.585 vota përballë kandidatit të partisë turke TDP me 1200 vota.

Resnjë

Do të organizohet rrethi i dytë, ku votat e shqiptarëve do të jenë vendimtare. Në garë do të vazhdojnë kandidati i VMRO-DPMNE, Gjoko Strezovski (5387) dhe kandidati i pavarur Dimitar Buzlevski (3117). Kandidati i BDI-së, Osman Shukriu ka fituar mbi 1 mijë vota, ndërsa ai i PDSH-së, Muamer Sabriu 129 vota. Vota shqiptare edhe në këtë komunë do të jetë vendimtare për fitore.

Saraj

Në Saraj që në rrethin e parë ka fituar kandidati i BDI-së dhe kryetari i deritanishëm, Bekim Murati, me 8880 vota.

Kandidati i PDSH-së, Hazbi Nuredini ka fituar 6369 vota.

Këshilli komunal në Saraj do të udhëhiqet nga BDI.

Strugë

Në Strugë do të organizohet rrethi i dytë, ku në garë vazhdon kandidati i PDSH-së, Ziadin Sela, i cili shkon në raundin e dytë me kandidatin e përbashkët të VMRO-DPMNE dhe LSDM, Vladimir Koçoski.

Këshilli komunal në Strugë do të udhëhiqet nga koalicioni i partive maqedonase, ndërsa e dyta me vota radhitet lista e PDSH-së.

Studençan

Në Studeniçan do të ketë rreth të dytë zgjedhor, ku në garë do të jenë kandidati i BDI-së, Fati Iseni, që ka fituar 3567 vota, me kandidatin e PDSH-së, Azem Sadiku, me 2971 vota. Kandidati i RDK-së, Meshair Ismaili ka fituar mbi 1500 vota.

Këshilli komunal në Studeniçan do të drejtohet nga lista e BDI-së.

Tearcë

Në Tearcë do të ketë rreth të dytë zgjedhor, ku në garë do të vazhdojnë kandidati i PDSH-së, Ruhan Iljazi me 4399 në një diferencë të ngushtë me kandidatin e BDI-së, Isen Asani që ka fituar 4387 vota.

Ramadan Idrizi i RDK ka fituar 1533 vota.

Tetovë

Tetova si një nga qendrat e shqiptarëve në Maqedoni do të jetë në rrethin e dytë, ku në epërsi është

Kandidatja e BDI-së, Teuta Arifi – 18.429 vota

Kandidati i PDSH-së, Sadi Bexheti – 15.116 vota

Kandidati i RDK-së, Izet Zeqiri – 2.250 vota.

Këshilli komunal i komunës do të drejtohet nga BDI,

Çair

Në komunën e Çairit, kandidati i BDI-së dhe kryetari i deritanishëm, Izet Mexhiti ka fituar që në rrethin e parë.

Këshilli komunal i Çairit vazhdon të udhëhiqet nga BDI.

(INA)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu