KQZ -ja në “siklet”

0
834

Planet e partive opozitare që ta “prishin” Kuvendin e Kosovës brenda dy javësh, e ka vënë në siklet Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili duhet të përgatitet për zgjedhjet e jashtëzakonshme brenda dy muajve.

KQZ-së i janë bërë punët “lëmsh” edhe pasi Kuvendi i Kosovës miratoi në parim Projektligjin e ri për zgjedhjet duke mos e pasur të qartë nëse në zgjedhjet e parakohshme do të aplikohet reforma e re zgjedhore, apo do të shkohet më të vjetrën.

Në këtë lojë duket se opozitës i konvenon edhe shkuarja në zgjedhje me ligj të vjetër, sepse ekziston entuziazmi për ardhje në pushtet, ndërsa partitë e koalicionit mund të kërkojnë ligjin e ri. Edhe pse në substancë reforma e re zgjedhore e miratuar dje në Kuvend nuk dallon nga e vjetra, pra KQZ-së i duhet disa muaj përgatitje dhe aklimatizim për të shkuar në zgjedhje me ligj të ri. Sipas rekomandimeve ndërkombëtare, nuk duhet të preket kodi zgjedhor 6 muaj para zgjedhjeve.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka ka thënë se për organizimin e zgjedhjeve të sivjetme, do të varet krejt se me cilin ligj do të mbahen ato.

“Krejt varet se a do të aprovohet ligji i ri i zgjedhjeve a jo dhe a do të shkohet me ligjin e vjetër në zgjedhje apo me të riun. Nëse shkohet me ligjin e ri natyrisht se do të jetë sfidues për KQZ-së sepse duhet përgatitur mirë, të bëhen rregullat e reja, harmonizim të tyre, informimi publik, varet se si do të bëhet numërimi i votave, nëse bëhet në qendra rajonale atëherë duhet një përgatitje tjetër kjo ka kosto buxhetore et,”, ka thënë Daka.

Sipas saj, duket që këto zgjedhje kanë me qenë të parakohshme dhe se KQZ është e përgatitur për t’i mbajtur këto zgjedhje.

“Ne edhe psikikisht jemi përgatitur për këto zgjedhje, por edhe sa i përket logjistikës kemi nisur të përgatitemi. Kurdo që mbahen ato do të jenë të parakohshme dhe ne në një farë mënyre e kemi në kokë”, ka thënë Daka.

Ndërkaq, lideri i opozitës, Isa Mustafa i LDK-së ka propozuar që në zgjedhjet e sivjetshme parlamentare të shkohet me ligj të vjetër.

“Nuk është normë ligjore, por standardet evropiane parashohin që 6 muaj para zgjedhjeve nuk është mirë të preket kodi zgjedhor, pra ky është rekomandim. Pra nëse aplikohet ligji i ri zgjedhor do të jetë mjaftë e vështirë që të harmonizohen rregulloret e KQZ-së me ligjin e ri”, ka thënë Mustafa duke shtuar se zgjedhjet e ardhshme do të mbahen me ligjin e vjetër.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka thënë se KQZ-ja jo vetëm që ka kapacitete të kufizuara për të bartur përgjegjësitë që dalin nga Kushtetuta dhe Ligji për zgjedhjet, “por nuk ka as vullnet për të ngritur nivelin dhe për të përmirësuar shërbimet e saj, që e zhvendosin këtë institucion nga niveli aktual në një trup të mirëfilltë të administrimit të zgjedhjeve si gardian ndaj çdo devijimi të vullnetit të votuesve”.

Sado që Ligji mbi zgjedhjet ka pësuar ndryshime sipërfaqësore, sipas tij, organizimi i zgjedhjeve të ardhshme në bazë të ligjit të ri, kërkon përgatitjet e domosdoshme në përputhje me disa ndryshime në aspektin e administrimit të zgjedhjeve.

“Në të kundërtën, procesi zgjedhor mund të devijojë sikurse edhe në zgjedhjet e 2010-së. Ngase, disa nga ndryshimet që reflekton draftligji si: mënyra dhe vendi i numërimit të votave, funksionimi i KKZ-ve dhe KVV-e kërkojnë akte nënligjore dhe përgatitje të veçanta nga ana e KQZ-së. Në mungesë të këtyre përgatitjeve, këto ndryshime mund të shërbejnë si mundësi për manipuluesit”, ka thënë Rrustemi.

Ndërkaq, Valmir Ismaili nga KDI-ja, ka thënë se KQZ është e obliguar me ligj që në rast të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të organizojë zgjedhjet brenda 45 ditëve. “Si me ligjin aktual si më të riun (në rast të miratimit), kualiteti i zgjedhjeve do të vihet në pikëpyetje. Natyrisht, në rast të aprovimit të ligjit të ri do të jetë edhe më vështirë organizimi i zgjedhjeve pasi që do të ketë nevojë edhe për legjislacion sekondar dhe edukim të votuesve”, ka thënë Ismaili.

Sipas tij, janë edhe disa çështje në diskutim sa i përket ndryshimit të ligjit për zgjedhje, dhe varësisht se cili do të jetë vendimi final për këto çështje e përcakton se a do të ketë nevojë për përgatitje shtesë si në aspektin teknik për KQZ (çështja se ku do të numërohen votat) apo edhe në edukimin e votuesve.

“Për këto arsye, praktika ndërkombëtare thotë që ligjet për zgjedhje nuk preferohet që të ndryshohen në periudhën kur zgjedhjet janë afër (së paku gjashtë muaj). Prandaj, konsideroj që organizimi i zgjedhjeve me ligjin e ri, pa pasur kohë që të bëhen përgatitjet e duhura, e vë në rrezik kualitetin e zgjedhjeve”, ka thënë Ismaili.

Ndryshe, nëse mendohet që zgjedhjet e ardhshme të organizohen në bazë të ligjit të ri, mbajtja e tyre para 15 qershorit duket shumë e vështirë apo edhe e pamundur. Në bazë të draftligjit të ri mbi zgjedhjet, neni 126 që ka të bëjë me zbatimin e këtij ligji, KQZ-ja ka një afat prej 45 ditëve prej momentit të hyrjes në fuqi të ligjit, që të nxjerrë rregullat që obligohet me këtë ligj.

Ndërsa ligji hyn në fuqi brenda 15 ditëve nga shpallja në gazetën zyrtare, atëherë ligji i vjetër bie poshtë, veç nëse gjatë miratimit të ligjit të ri, nxirren dispozita kalimtare që ky ligj do të aplikohet prej vitit 2015 ose 2016.

Nga: Fadil Sertolli


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu