KQZ-ja, PD humbet kontrollin. Anëtari i 6-të mes FRD-së së Topit dhe PBDNJ-së së Dules

0
593

FRD e Topit, aleancë me koalicionin e PS-së, bisedime për KQZ-në.

Marrëveshje mes opozitës dhe opozitës së përfaqësuar nga PBDNJ. Vangjel Dule: PBDNJ-ja parti e opozitës. Kemi gati kandidaturat. Biberaj: Kemi nisur komunikimin me PDBNJ-në.

Përbërja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pritet të jetë paradhoma e aleancave elektorale për zgjedhjet e vitit 2013. I shtyrë tej kufijve ligjorë, riformatimi i këtij institucioni ka fituar rëndësi të madhe politike për shkak se në kushtet e tanishme, do të jetë integriteti dhe besueshmëria e tij që do të përcaktojnë klimën zgjedhore. Nëse kjo vlen për dukjen e gjërave në sytë e publikut, për partitë politike shqiptare ajo thjesht transmetohet si pasojë e të gjitha manovrave që po bëhen aktualisht për kapjen e këtij organi. Çështja e anëtarëve dhe kryetarit përveçse problem afatesh ka brenda edhe atë të përllogaritjeve dhe lëvizjeve që sigurojnë përfaqësimin. Për katër anëtarët e parë, respektivisht dy e nga dy për partitë kryesore, ekuacioni mund të quhet i zgjidhur. Debati bëhet më i ndjeshëm kur vjen puna për anëtarët e tjerë, përkatësisht të pestin dhe të gjashtin. Madje më shumë për të gjashtin.
LSI do të ketë patjetër një anëtar në KQZ
Në cilëndo rrethanë politike, Lëvizja Socialiste për Integrim me 4 deputetët e saj në Parlament e ka parimisht të siguruar përfaqësimin në KQZ, veçse, nëse surpriza e vitit 2008, (Partisë së Metës nuk iu dha anëtar, megjithëse i takonte), mund të jetë asi nën mëngë i dy partive të mëdha. Kjo, pasi qasja e LSI-së përpara zgjedhjeve, luan rolin e një garancie shumë të madhe për rezultatin për dyshen PS-PD. I pyetur nga “Shekulli”, Ylli Manjani, përfaqësues i kësaj force në KQZ në zgjedhjet e fundit u shpreh qartë se “kur të fillojë procesi ne do të marrim pjesë në të sipas ligjit”. Kjo do të thotë se interesi i partisë së Ilir Metës për përfaqësim në KQZ është parësor dhe sipas gjasave nuk mund të shkëmbehet me ndonjë gjë tjetër.
Topi apo Dule?
Kur vjen puna tek anëtari i gjashtë, problemi ngatërrohet për shkak të vetë Kodit Zgjedhor dhe zhvillimeve politike të fundit në politikën shqiptare. I gjashti, sipas Kodit, i takon partive parlamentare të opozitës, përveç partisë më të madhe, pra PS-së. Por në kampin opozitar aktualisht ka dy subjekte; Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe Fryma e Re Demokratike me nga një deputet secila. Kujt atëherë i takon anëtari i gjashtë? Teknikisht Kodi i vendos këto dy subjekte në pozita të barabarta. Problemi është pra, i natyrës politike. Nëse FRD-ja e Bamir Topit nuk mund të deklarohet si një parti jo-opozitare, PBDNJ-ja, si subjekt i qendrës, por edhe pas mosmarrëveshjeve serioze në vitin 2011 me selinë rozë, mundet fare mirë të kalojë gardhin për nga krahu i djathtë. Kuptohet, duke humbur shansin e një anëtari në KQZ, por duke fituar një marrëveshje bashkëpunimi me Sali Berishën. Kjo aq më tepër kur dihet se në Greqi sot janë në pushtet konservatorët e Samaras që janë aleatë ideologjikë të PD-së së Berishës. Por “e panjohura” me emrin PBDNJ është zbardhur dje nga kreu i saj, Vangjel Dule i cili në një prononcim për gazetën “Shekulli” sqaroi pozicionin e kësaj partie në skenën parlamentare shqiptare. “Dini gjë ju që PBDNJ-ja të jetë jashtë kampit opozitar? Ne kemi qenë të qartë në pozicionin tonë. Sa i përket kandidatit për në KQZ ne i kemi gati emrat dhe do t’i paraqesim kur të hapet procesi”, tha Dule. Në qoftë se ky deklarim merret si ezaurues për sa i përket kampit ku bën pjesë PBDNJ-ja, problemi fundor në këtë kuadër është nëse ajo apo FRD-ja ka të drejtën e propozimit të një anëtari për në KQZ-në. Këtu rol thelbësor ka PS-ja, si subjekti më i madh i opozitës që është e interesuar aktualisht të mos humbasë asgjë në raport me një kundërshtar me epërsi të padiskutueshme taktike. Por, më shumë sesa PS-ja është Sali Berisha ai që mund të shërbejë si emërues i përbashkët i të gjitha aleancave që po ngjizen, do apo nuk do sinqerisht selia rozë. Rreth kësaj çështjeje, një prononcim me shumë rëndësi ka dhënë dje për Shekullin, një nga drejtuesit e FRD-së, Aleksandër Biberaj. “Ne me PBDNJ-në jemi në pozita ligjore të barabarta sa i përket KQZ-së. Por mendoj se do të gjejmë një marrëveshje bashkëpunimi”, tha ai. Dhe më tej shtoi: “Diçka kemi nisur, jemi në një proces komunikimi, por them se do ta gjejmë patjetër gjuhën e përbashkët”. Thënë ndryshe, stresi nga pakënaqësia e të vegjëlve kësaj radhe nuk duket se ekziston te PS-ja.

Detaje

Katër anëtarët e parë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i takojnë respektivisht dy partive kryesore parlamentare; Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Kjo është një dispozitë e shkelur në afate nga të dyja subjektet

Kryetari i KQZ-së, do të zgjidhet me konkurs pasi të ketë mbaruar procesi i zgjedhjes së anëtarëve të këtij institucioni. Në lojë hyn edhe Komisioni Parlamentar i Ligjeve i cili administron kandidaturat dhe bën votimin për ta.

Anëtari i pestë dhe i gjashtë i takojnë partive të tjera parlamentare, respektivisht të shumicës dhe të opozitës. Debati për të drejtën e përfaqësimit duket drejt zgjidhjes, pas LSI_ja e Ilir Metës përfiton për shkak të ligjit, ndërsa nga opozita shkon drejt marrëveshjes.

Aleksandër Biberaj

Ne me PBDNJ-në jemi në pozita ligjore të barabarta sa i përket KQZ-së. Por mendoj se do të gjejmë një marrëveshje bashkëpunimi

Shifër

9 muaj para përfundimit të mandatit të Kuvendit të Shqipërisë, Presidenti i Republikës shpall datën e zgjedhjeve. Kjo datë i bie rreth datës 28 shtator 2012. Pas kësaj KQZ-ja hyn në procesin e përgatitjes së zgjedhjeve të cilat  nisin me hartimin e kalendarit dhe vijojnë me punën për komisionet e nivelit të dytë.

Zgjedhjet 2013 me ‘dy KQZ”, javën që vjen dekreti

Çlirim Gjata: Anëtarët ekzistues vijojnë punë deri në ardhjen e të rinjve

Zgjedhjet e vitit 2013, në kuptim të raportimit të plotë të përgatitjes dhe realizimit të tyre duket se do të administrohen nga dy Komisione Qendrorë të Zgjedhjeve. Kjo pasi javën e ardhshme, sipas normave ligjore në fuqi, Presidenti i Republikës është i detyruar të dekretojë shpalljen e datës së zgjedhjeve. Me këtë rast, KQZ-ja nis veprimtarinë e saj përgatitore. Pyetja nëse institucioni ekzistues, anëtarët e të cilit presin zëvendësimin ka të drejta të vijojë detyrën apo jo, është formale pasi ky duket se është detyrim ligjor. “KQZ-ja vijon punën në përmbushje të të gjitha detyrimeve ligjore që rrjedhin nga Kodi Zgjedhor. Institucionet nuk e ndërpresin punën e tyre”, tha për “Shekullin”, ish-kryetari i KQZ-së, Çlirim Gjata. Sipas tij, edhe nëse zëvendësimi nga Parlamenti nuk është bërë, anëtarët aktualë mbeten në detyrë deri në betimin e anëtarëve të rinj. Puna e parë që pritet të kryejë KQZ-ja me shpalljen e datës së zgjedhjeve është miratimi i kalendarit, ndërtimi i planit të veprimeve dhe pastaj nisja e punës për komisionet e nivelit të dytë. Një arsye që duket se ka detyruar palët të mos dorëzojnë emrat është edhe debati i brendshëm për kandidatët. Kjo vlen të paktën për selinë rozë e cila ndonëse bëri një luftë të madhe për të imponuar formulën e tanishme të KQZ-së shkeli e para afatet ligjore për zbatimin e saj.

Numërimi elektronik

KQZ-ja, 6 muaj para duhet të paraqesë testin

Gjashtë muaj përpara datës së zgjedhjeve Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i detyruar të paraqesë provat dhe aktet e testimit për numërimin elektronik i cili do të aplikohet kësaj radhe në zgjedhjet në qarkun e Fierit. Kjo dispozitë duket se sanksionohet si detyrim në Kodin e ri Zgjedhor dhe po vihet në rrezik për t’u zbatuar në kushtet e pezullimit të procesit të zëvendësimit të anëtarëve dhe hyrjes së KQZ-së në hullitë e punës normale. Procesi parashikon blerjen apo marrjen me qera të makinerive, testimin e tyre, pranimin nga KQZ-ja të modelit respektiv si të përshtatshëm dhe mandej aprovimi finale. Një proces me kosto suplementare për buxhetin e zgjedhjeve dhe që kërkon edhe trajnim të posaçëm të komisionerëve dhe numëruesve të qarkut të Fierit. E thënë me pak fjalë, edhe kësaj radhe politika priret ta vendosë KQZ-në që të punojë “në kushtet e rrethimit të plotë”, ndonëse me kalimin e viteve ky organ është sprovuar që i realizon afatet edhe kur politika dëshmon vullnetit për të zvarritur procesin. 

/Shekulli/Skerdilajd Zaimi/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu