Krasniqi e quan “rrugaç” kryeministrin

0
749

Kryeministri Hashim Thaçi sërish është bërë objekt i fyerjeve të Lëvizjes “Vetëvendosje” në Kuvendin e Kosovës. Deputeti i kësaj lëvizje Florin Krasniqi të enjten në seancën e Kuvendit të Kosovës e quajti Thaçin “rrugaç” gjatë kohës së deklarimeve të lira, gjë që nuk kaloi pa e nervozuar kryeparlamentarin Jakup Krasniqi.

Ky i fundit kërkoi që ose të respektohet rendi i ditës dhe mos të përdoret kjo kohë për sharje dhe fyerje, ose të hiqet tërësisht nga rendi i ditës, pika e deklarimeve të lira.

Deputeti Florin Krasniqi e ka marrë fjalën për të sqaruar akuzat që i kishte bërë deputeti i PDK-së, Fadil Demaku, për mospërfaqësim të denjë të Kosovës gjatë një vizite në Shqipëri.

“Ne kemi pasur dy takime zyrtare në Shqipëri. Unë kam qenë tërësisht profesional. Në takimet jozyrtare unë kam thënë se Hashim Thaçi është një rrugaç. Këtë e kam thënë në Uashington dhe Tiranë, e them edhe në Prishtinë”, ka thënë Krasniqi.

Kryeparlamentari Krasniqi ka kërkuar që të ndalohen fyerjet dhe sharjet në Kuvendin e Kosovës, ose deklarimet e lira të hiqen nga rendi i ditës tërësisht.

“Kjo pikë e rendit të ditës është për të ngritur çështje e jo për të fyer e për të sharë. Ose më mirë ta heqim fare këtë pikë. Nuk është në interesin e qytetarëve të dëgjojë fjalë fyese e joparlamentare”, ka thënë kryeparlamentari Krasniqi.

Por, deputeti Florin Krasniqi ka vazhduar duke shprehur kundërshtimin e tij për mënyrën e themelimit të Ministrisë së Diasporës, duke thënë se është pro kësaj ministrie, por është për një pjesëmarrje aktive të diasporës në themelimin e saj, e jo kjo ministri të ndërtohet mbi bazën e interesave partiake dhe pazareve politike.

Kurse, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka ngritur çështjen e vjedhjes në dhomën e dëshmive në Policinë e Kosovës, duke thënë se tash e sa kohë nuk ka asnjë rezultat konkret dhe askush nuk ka dhënë përgjegjësi për këtë rast.

“I bëj thirrje nga këtu ministrit të Punëve të Brendshme dhe organeve kompetente, sepse deri tani asnjë rast konkret nuk është parë, jo vetëm në aspektin e sigurisë, por edhe në aspektin e dëmtimit material dhe moral të institucionit të Policisë së Kosovës. Kjo le të mbetet thirrje nga organi më i lartë ligjvënës, edhe pse kjo temë po anashkalohet me spektakle, gjoja për krim të organizuar. Nuk ka krim më të madh se të vidhet policia dhe të thuhet se hetimet vazhdojnë. Nuk ka krim më të madh se organet e rendit të mos mund ta mbrojnë veten. Nuk ka krim më të madh se të vidhen dosjet dhe dikush të mundohet t’i vejë në pluhurin e harresës. Andaj kërkoj nga kabineti qeveritar që kjo ngjarje të zbardhet dhe njerëzit që e kanë bërë këtë akt të vihen para drejtësisë”, ka thënë Zemaj.

Ndërkohë, deputeti i komunitetit egjiptian Xhevdet Neziraj ka ngritur çështjen e ndryshimeve kushtetuese, duke thënë se këto ndryshime të diskutohen edhe në Kuvend, e jo vetëm në komisione, ndërkohë ka kërkuar që me Kushtetutë të mbrohen interesat e të gjitha komuniteteve, e jo vetëm interesat e komunitetit serb.

“Dua të them se komunitetet joserbe janë të përfaqësuara në Kuvend aq sa komuniteti serb dhe komuniteti serb ka 3 ministri, 1 zëvendëskryeministër, 4 pjesëtarë në komisionin për komunitetet, e udhëheq atë, e udhëheq Zyrën pranë kryeministrit, i ka fituar disa komuna me decentralizim dhe mbi 90 të buxhetit e harxhon për komunitetin e vetë. Me Kushtetutë duhet të mbrohen të gjitha komunitetet e jo vetëm një komunitet”, ka thënë Neziraj.

Ndërkohë, deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku ka ngritur çështjen e ndërprerjes së energjisë elektrike në komunën e Vushtrrisë, duke thënë se kjo ka irrituar qytetarët e kësaj komune.

Në seancën e sotme, pritet që kryeministri Hashim Thaçi të përgjigjet në interpelancë për procesin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që po zhvillohen tash e disa muaj në Bruksel. Kërkesa për interpelancë është shtruar nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, e cila vazhdon t’i kundërshtojë bisedimet Prishtinë-Beograd. Deri tani delegacioni i Kosovës i kryesuar nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri dhe delegacioni serb i kryesuar nga Borko Stefanoviq kanë zhvilluar tri raunde bisedimesh, ndërkaq më 17 dhe 18 maj pritet ta zhvillojnë raundin e katërt.

Kryenegociatori serb Stefanoviq ka paralajmëruar ndërkohë që para këtij raundi ta vizitojë Kosovën, për ç’gjë edhe Qeveria e Kosovës ka shprehur gatishmëri t’i jap leje dhe të takohet me të. (KosovaPress)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu