Krasniqi: Karrierën time politike e përcaktojnë qytetarët e Kosovës

0
660

Prishtinë, 28 janar –(E plotësuar)  Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ndonëse nuk mori pjesë në Konventën e VI të Partisë Demokratike, ka siguruar mbështetjen e opozitës për vazhdimin e mandatit në krye të legjislativit.
Si një nga ata që ka shprehur mendime ndryshe në raport me politikat e udhëhequra nga kryeministri Hashim Thaçi dhe disa nga deputetët e PDK-së, Krasniqi në vijimësi ka paraqitur një zë alternativ brenda partisë më të madhe në pushtet.
Në fund të vitit të kaluar, pas publikimit të disa incizimeve të bisedave telefonike të zhvilluara ndërmjet zyrtarëve më të lartë të PDK-së, disa prej tyre kishin shprehur haptas dëshirën për shkarkimin e Krasniqit.
Përmbajtja e atyre telefonatave dhe fyerjet në adresë të Krasniqit, besohet të kenë qenë një nga arsyet pse ai nuk mori pjesë fare në Konventën e PDK-së.
Sidoqoftë, Krasniqi tha të hënën se pavarësisht mospjesëmarrjes së tij në procesin zgjedhor në PDK, mandati i tij si deputet dhe kryetar i Kuvendit të Kosovës, buron nga vota e qytetarëve dhe se nuk i druhet asnjë mocioni që mund të ngre eventualisht kundër tij, Partia Demokratike.
“Unë një gjë duhet të ju them. Më së paku kam menduar për vete dhe për postin tim. Mendoj që këtë duhet të keni të qartë edhe ju edhe ata që i informoni. Për karrierën time politike e kam pas thënë një rast dhe po e them, janë, qytetarët e Kosovës ata që e përcaktojnë”, ka thënë Krasniqi, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Në mbështetje të vazhdimit të mandatit të Krasniqit në krye të Kuvendit janë shprehur edhe përfaqësuesit e opozitës.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri tha se LDK nuk do të mbështes asnjë mocion të PDK-së për shkarkimin e Krasniqit. Ai madje ka thënë se Krasniqi e ka derën hapur që të kthehet në LDK nëse ai do të dëshironte këtë.
“Çdo qëndrim i PDK-së, veçmas i kësaj PDK-së aktuale, është qëndrim që nuk duhet të përkrahet. Nuk e di se çka del si qëndrim a kërkesë e tyre e që është racionale. Kjo i bie që nuk do të kenë sukses”, ka thënë Beqiri.
Ndërkohë, edhe shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri tha se çfarëdo tendence për shkarkimin e Krasniqit nuk do t’i merrte edhe votat e kësaj partie politike në Kuvend.
“Ne konsiderojmë që Jakup Krasniqi është kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe natyrisht që nuk do ta përkrahim tendencën e kujtdo për ta shkarkuar atë nga posti i kryetarit”, ka thënë Ymeri.
Krasniqi është zgjedhur në krye të Kuvendit për të dytën herë. Gjatë udhëheqjes së seancave, Krasniqi nuk ka hezituar ta qortoj qeverinë për politikat e saj, kurse i ka dalë shpesh në mbrojtje opozitës në kërkesat e veta.
Së fundit, vetëm dy ditë para Konventës zgjedhore të PDK-së ku Hashim Thaçi pa kundërkandidat u rizgjodh në postin e kryetarit të partisë, Jakup Krasniqi foli për sfidat me të cilat po ballafaqohet shteti i Kosovës duke veçuar korrupsionin dhe mungesën e sundimit të ligjit në vend.

Krasniqi s’ndryshon qëndrimin, Kuvendi mblidhet të mërkurën

Prishtinë, 28 janar –  Kryekuvendari, Jakup Krasniqi, ka deklaruar se ai nuk ka ndryshuar qëndrimin e tij për arsyet e mospjesëmarrjes së tij në konvente e PDK-së, raporton KTV-ja.  Ai ka thënë se i mbetet besnikqëndrimit që ka dhënë letrën e tij. Krasniqi ka thënë se asnjëherë nuk ka menduar për pozitën e tij.

I pyetur se mospjesëmarrja e tij në konvend a do të rrezikonte postin e kryetarit të Kuvendit, është përgjigjur se për karrierën e tij politike vendosin qytetarët.

Vetëvendosja dhe LDK-ja kanë  vlerësuar se nuk do ta përkrahnin ndonjë iniciativë të PDK-së për shkarkimin e Krasniqit.

Shefi i grupit parlamentar të  VV-së, Visar Ymeri, i ka thënë se PDK-së po i pengon Krasniqi, ngase ai po sillet më shumë si kryetar i Kuvendit se sa si përfaqësues i PDK-së.

Seanca e ndërprerë e Kuvendit do të vazhdojë punimet të mërkurën, kur do të shqyrtohen pikat që kanë mbetur nga seanca e kaluar. Të enjten para ligjvënëseve do të raportojë kryeministri, Hashim Thaçi, për takimin që ka pasur me kryeministrin serb, Ivica Daçiq.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu