Krasniqi: Kosova, shtet i zhvatësve

0
815

(E plotësuar)Njëri nga zërat e vetëm që bën kritikë në institucione dhe për partinë nga vjen, Jakup Krasniqi e konsideron hyrjen e Ramush Haradinajt në qeverisje pa logjikë kur dihet se në kohën kur ka qeverisur AAK ka pasur skandale të shumta. Ai thotë se ata që ia kanë mësyrë qeverisjes kanë interes të zhvatin e jo t’i japin Kosovës.

Krasniqi në një intervistë dhënë gazetës “Zëri”, konsideron se debatet për koalicion të mundshëm janë orkestrim për të tërhequr vëmendjen nga problemet reale që ka Kosova dhe nga skandalet e njëpasnjëshme që kanë degraduar vendin. Ai vazhdon të kritikojë instalimin e rrymave jodemokratike brenda PDK-së, duke thënë se aty po afrohen njerëz për interesa të caktuara dhe se njerëzit e ndershëm, vizionarë po eliminohen.

Krasniqi vlerëson se futja e Kadri Veselit është vetëm zyrtarizim i pushtetit të tij brenda kësaj partie dhe se ai ka pasur ndikim të madh qysh më herët në përzgjedhjen e njerëzve qeverisës. Sipas Krasniqit, Kadri Veseli nuk mund të sjellë ndryshime në PDK. Ai bën të ditur se ka një numër të konsiderueshëm të pakënaqur brenda PDK-së, porse kanë frikë të flasin haptazi. Krasniqi është duke pritur rezultatet e zgjedhjeve të brendshme të PDK-së për të marrë vendim rreth daljes apo jo nga PDK-ja

Zëri: Si po shkojnë zgjedhjet brenda PDK-së?

Krasniqi: Kemi qenë kundër zgjedhjeve të përshpejtuara të papërgatitura dhe pa e precizuar se çfarë do të arrihet me këto zgjedhje, dhe pa bërë asnjë projekt se cili do të jetë qëllimi esencial i këtyre zgjedhjeve. Dhe duke pasur këto parasysh kemi kërkuar që të bëhet një riregjistrim i anëtarëve të partisë të shkojmë në një formë të re që konsiderojmë se do të ishte një proces më demokratik i votimit një anëtar një votë.

Ky propozim nuk u pranua, për faktin se thanë kjo nuk është statutare edhe pse të gjitha zgjedhjet janë bërë jashtë statutit të partisë dhe ka mundur edhe kjo të zgjidhet. Unë mendoj se ky do të ishte interesi i anëtarëve të PDK-së, strukturave organizative të PDK-se dhe do të ishe interesi i vetë demokracisë së brendshme të PDK dhe në fund i vetë qytetarëve. Duke mos fituar demokracia në kuadër të partive kur ta marrin pushtetin ato metoda jodemokratike do t’i bartin edhe në institucione.

Zëri: A ka interesa të grupeve të caktuara brenda PDK-së?

Krasniqi: Problemi është këtu, njerëzit janë rreshtuar sikur e kanë parë që vetëm pushteti të jep diçka me zhvat dhe nuk është asnjë përpjekje për t’ua mundësuar njerëzve që kanë një përgatitje që i duhen partisë që i duhen vendit dhe në këtë garë pa parime realisht e kanë vështirë njerëzit që kanë parime të ngrihen. Duke ngritur njerëzit që s’kanë parime, vështirë se do të ketë një qeverisje të suksesshme në të gjitha nivelet edhe ato lokale edhe ato qendrore. Këtu për mua qëndron e keqja dhe nuk e di se si do të kalohet kjo çështje. Ajo çka mund të them është se nuk kemi një përzgjedhje me parime me norma me qëllimin më të mirë për të ngritur njerëzit me parime. Zgjedhjet që janë bërë në PDK nuk e kanë pasur qëllimin që të prezantohet nga njerëzit që na prezantojnë më së miri interesin e qytetarëve.

Zëri: Kush po e prezanton PDK-në?

Krasniqi: Nuk e kam lehtë ta them, por nga informacionet që i kam, që s’janë ende të plota, del se realisht janë grupe të ndryshme të interesit që duan të fuqizohen brenda partisë. Mënyra se si janë ftuar njerëzit për t’u përzgjedhur se si janë përzgjedhur lë të kuptohet se në tubime të ndryshme kanë shkuar ata që s’kanë qenë as anëtarë të PDK-së. Dhe kështu realisht është krijuar një pakënaqësi në radhët e PDK-së.

Të pakënaqurit kanë frikë të flasin haptazi

Zëri: A ka shumë të pakënaqur brenda PDK-së?

Krasniqi: Ka të pakënaqur të cilët ankohen shpeshherë, të niveleve të ndryshme, kanë ardhur dhe janë ankuar tek unë. Por, është një fenomen që unë nuk e kam lehtë ta shpjegoj se kur vjen puna të deklarimi haptazi, njerëzit kanë frikë, frikësohen se e humbin një vend të punës. Kjo tregon se e shohin pasigurinë. Unë jam përpjekur që në qëndrimet e mia të jenë në kuadër të interesit të demokratizimit të brendshëm të PDK-së dhe të kemi një prezantim dhe avancim të kuadrove ne interes të institucioneve dhe të qytetarëve të Kosovës.

Zëri: Pse po pengohet ngritja e njerëzve kritikë brenda PDK-së?

Krasniqi: Kjo metodë u krijon një komoditet atyre që i duan njerëzit e dëgjueshëm dhe jo kritikëve që do t’iu prishnin punë. Shihet shpeshherë se kush flet në emrin e PDK-së, ata njerëz janë shumë të kufizuar, njerëz që absolutisht nuk e njohin as programin e PDK-së. Qëllimi është që disa njerëz të jenë aty dhe me ata të marrin vota, kurse qeverisjen ta bëjë me të tjerët. Kjo është treguar si një shembull i qeverisjes deri më tani. Nuk është problem vetëm i PDK-së edhe partitë tjera e kanë këtë logjikë, mentalitetit autoritar që s’e duron mendimin e kundërt, që s’e duron debatin, dhe që realisht do të marrë vendime pa debat pa diskutim pa kundërshtim. Kjo nuk është në interes të demokracisë, kjo rrënon demokracinë.

Zëri: Kush po e merr në dorë PDK-në, me këto zgjedhje?

Krasniqi: Zgjedhjet ende nuk janë përmbyllur, finalizimi i kësaj do të bëhet në kongresin e partisë. Por, logjika për të ofruar kuadro që nuk janë të përgjegjshëm për detyrat që i kanë marrë, që nuk kanë vizion se çfarë do të bëjnë, dhe nëse ata vendosen, ne do ta shohim vazhdimin, jo të këtij niveli të papërgjegjësisë por të një niveli edhe më të rëndë të papërgjegjësisë. Po dëgjojmë përditë skandale në nivelin lokal edhe qendror dhe nuk po shohim asnjë nivel të përgjegjësisë dhe moralit. U njoftua opinioni për skandale, duhet të ketë moral të thonë; “Unë nuk kam ditur të drejtoj një institucion, ministri,…përgjegjësia është e imja”. Kjo është e keqja që papërgjegjësia jo vetëm se nuk po zvogëlohet por ka kaluar në normalitet dhe kjo papërgjegjësi do të thellohet. Rruga e integrimit të Kosovës me këtë mentalitet është duke u degraduar. Ne e kemi një problem në shoqërinë kosovare në të gjitha nivelet të gjitha pushtetet.

Zëri: Po përflitet arritja e një koalicioni të ri, PDK-AKK?

Krasniqi: Kjo është përpjekje që të zhvendoset vëmendja në mënyrë të orkestruar nga problemet reale. Pak ka rëndësi së kush do të bëhet kryeministër i Kosovës. Në demokraci kryeministër bëhet partia që merr vota më së shumti nga qytetarët e Kosovës, të tjerët mund të jenë pjesë e asaj. Qytetarët janë ata që e përcaktojnë se kush do të jetë kryeministër apo në pozita të tjera. Të gjithë e kemi hisen e përgjegjësisë. Edhe opinioni i cili nuk thotë se; A ka moral në këtë shoqëri? A kanë moral këta njerëz a e dinë këta njerëz se nuk mjafton vetëm me dashtë me qeverisë, se nuk mjafton vetëm me dashtë me qenë ministër, Kosovës i duhet program i mirëfilltë.

Zëri: A i duhet Kosovës më shumë program i mirëfilltë apo njerëz të ndershëm?

Krasniqi: Kosova ka njerëz të mirë, por para se të flas për sot edhe në vitet 1908 edhe në 1912, dijetarët thoshin “O zoti im, ky popull meriton qeverisje më të mirë”. Që 100 vjet drejtuesit nuk kanë qenë të mirë për mbarë shqiptarët. Po bëmë një krahasim në qeverisjen 100-vjeçare të shqiptareve, kemi treguar se nuk jemi të gatshëm të qeverisim me vendin, më shumë kemi tendenca për ta sunduar këtë vend. Kjo është e meta kryesore e gjithë këtyre viteve, të sundohet me vend me këta njerëz e jo të qeverisin si duhet.

Po vrapojnë që ta zhvatin Kosovën

Zëri: A kanë partitë politike në Kosovë njerëz që i duhen Kosovës?

Krasniqi: Në Kosovë ka njerëz që dinë të qeverisin, por ata nuk dalin menjëherë me qitur gjoksin. Kur i shohim njerëzit qysh vrapojnë në të gjitha nivelet për me hy në pushet, ata njerëz vrapojnë për të zhvatur nga Kosova. Ata nuk hyjnë për t’i dhënë Kosovës, por për të marrë nga Kosova. Kosova ka nevojë për njerëz me i dhënë Kosovës e jo për ta grabitur atë. Unë mendoj se çdo parti mund të ketë të tillë por ata ngufaten brenda partisë.

Zëri: A duhet marrë postin e kryeministrit Ramush Haradinaj?

Krasniqi: Unë nuk mund ta marrë me mend që në PDK s’ka njerëz që nëse kryeministri i tashëm s’është i përgatitur për të qeverisur me vendin, dhe duan t’i lëshojnë, po e zëmë kushtimisht Ramush Haradinajt për të qeverisur. Unë mendoj se PDK ka kuadro shumë më të përgjegjshme dhe shumë më mirë që mund të qeverisin më këtë vend sesa që është qeverisur deri më tani. Dhe këtu konsistojnë vërejtjet dhe qëndrimet e mia. Unë shpeshherë e them se nuk ka rëndësi se cili do të jetë fati im. Unë fatin tim e kam nënshkruar dhe për mos me qenë në asnjë vend drejtues. Kjo pak ka rëndësi, me rëndësi është që në Kosovë vërtet të ndryshohet mentaliteti dhe qasja e njerëzve për politikë. Me këtë edukim që e kemi tani që vrapojnë për të eliminuar njerëzit që kanë dije, që e njohin politikën njerëz që janë intelektualë, që e kanë një përgjegjësi që e kanë një ngritje profesionale. Shihet se në shumicën e rasteve ata janë eliminuar.

Zëri: Si e vlerësoni koalicionin e mundshëm me AAK-në?

Krasniqi: S’kam të drejtë të flas për AAK-në, edhe pse ata bile edhe me statut e kanë se kryetari i partisë vendos për gjithçka, gjë të cilën nuk e kemi ne. Në subjektin tonë jam i bindur se nuk është diskutuar çështja e koalicionit, dhe unë e kam thënë disa herë se për t’u diskutuar çështja e koalicionit do të duhet që të analizohej njëherë koalicioni që është tani, të mirat dhe të këqijat e tij. Unë nuk dua t’i paragjykoj apo, por duhet që të debatohet në organet e partisë, sepse tekefundit përgjegjësia është te partia. Fuqia politike ka dalë nga organet e partisë nga njerëzit që i kanë përbërë ato organe. Koalicioni ka mbetur më tepër në rrafshin medial, nga pritja, takimet e ndryshme, por nuk është debatuar pse duhet bërë koalicioni i ri.

Zëri: Ju personalisht si e shihni Haradinajn në postin e kryeministrit?

Krasniqi: Gjithë kjo zhurmë është për zhvendosje të vëmendjes nga problemet reale, qoftë edhe nga aferat e fundit që janë të shumë natyrshme. Pra, zhvendosje nga këto probleme në problemet e koalicionit. Dhe në fakt nuk ka asnjë interes as qytetar e as politik, e sidomos për PDK-në nuk është interes që tash të flitet se duhet ndërrohet kryeministri. Nëse thuhet se duhet ndërrohet kryeministri, atëherë do të thotë se ai nuk ka qeverisur mirë, nëse qeveria ka qeverisur mirë dhe i ka sukseset e veta, atëherë pse ne duhet të flasim për ndryshime të tilla. Nuk ka logjikë politike që t’i jepet ai post AAK-së. Edhe në vendet perëndimore që janë shembull i demokracisë, partitë e vogla kanë mundur të bëhen pjesë e partisë së madhe për të qeverisur vendin, por ato më së shumti që kanë marrë ka qenë një ministër të jashtëm dhe kaq.

AAK është partia e tretë opozitare dhe të pretendohet kryeministri është e tepërt. Ata nuk e kanë marrë besimin e qytetarëve, sikur ta kishin marrë do të ishte krejt normale. Pastaj ne e dimë se edhe AAK-ja ka qeverisur dhe nuk ka qeverisur mirë, ka pasur edhe në atë kohë skandale sa të duash. Kështu që janë kërkesa të paarsyeshme, pastaj kur dihet se PDK ka kuadro, njerëz të përgatitur për të qeverisur me vendin, krejt kjo zhurmë që po bëhet është më tepër për të mbuluar problemet reale që i ka Kosova sesa përpjekje për zgjidhjen e tyre.

Zëri: Si e vlerësoni zyrtarizmin e Kadri Veselit në PDK?

Krasniqi: Mirë është që e ka zyrtarizuar të qenit në PDK, por nuk është dashtë të bëhet në atë mënyrë siç është bërë për opinionin, megjithatë është zgjedhje e tyre, ndoshta kanë dashur ta bëjnë se tani po e fillon jetën politike, dhe përgjegjësitë që kanë ekzistuar në parti nuk janë pjese e tyre qoftë edhe në qeverisje. Unë mendoj se kjo nuk është reale, ai ka qenë në një mënyrë sidomos pas shpërbërjes së SHIK-ut, pjesë e përbërjeve politike, sepse ka pasur ndikimin e vet edhe në përzgjedhjen e njerëzve në qeveri, ndoshta edhe më herët, por në mënyrë të veçanta tani. Dhe unë nuk mendoj se me pozicionin e tij ai do të bëjë ndryshme, pasi është pjesë e këtij realiteti, dhe nuk besoj se mund ta ketë ndikim më të madh sesa që ka pasur.

Zëri: Rasti i Limajt, rikthimi i lëndës … ?

Krasniqi: Realisht mënyrën sesi janë duke u shkelur procedurat, është një persekutim i njeriut, sepse tekefundit kemi të bëjmë me një lëndë që është gjykuar njëherë. Çështja ka mundur të përsëritet, por nuk ka pasur asnjë nevojë që të jetë prapa grilave. Kjo lë për të dyshuar shumë, por nuk isha lidhur me proceset e fundit në zgjedhjet në PDK.

Ata e kanë treguar qenien e tyre

Zëri: Bashkëpartiakët e juaj ju kanë fyer rëndë, u mësua nga përgjimet. Ata nuk ju kanë kërkuar falje, si mund të bashkë funksiononi brenda PDK-së?

Krasniqi: Unë e kam thënë atë se në rend të parë njeriu e ka vështirë të ndjehet mirë, jo për faktin tim, por unë kam familje, kam rreth të gjerë njerëzish, dhe natyrisht kur dëgjohet dhe përsëritet disa herë në TV. Por, unë ndihem mirë që nuk jam pjesë e saj. E kam thënë për vete, edhe po të përcillet çdo hap i jetës sime nuk kam se çfarë të fsheh, jam ky që jam dhe nuk dua të jem tjetër. Sigurisht që ajo lë pasoja në raporte ndërnjerëzore. Unë me shokët që kam bërë të mira për këtë vend nuk kisha mundur t’i them ato fjalë, janë jashtë moralit tim, jashtë edukatës sime. Ajo le të mbetet në nderin e secilit, ndoshta tekefundit në momente të tilla njeriu e tregon tamam qenien e vet çfarë vlere ka, çfarë kulture ka, çfarë edukate ka, dhe si i sheh shokët. Unë shokët i shoh me përparësi, nuk i këqyri me pengesë.

Zëri: A jeni duke planifikuar të dilni nga PDK-ja?

Krasniqi: Jam duke i përcjell mirë zgjedhjet në PDK, jam duke biseduar më njerëz që mendojnë si unë dhe nuk janë pak. Sigurisht që do t’i analizojmë dhe do të mendojmë për vete nuk do të marr vendim. Varet shumë se si do të zhvillohet kjo pjesë e proceseve që ka mbetur. Dhe sigurisht nëse vijmë në përfundim se nuk ka mbetur hapësire që të zhvillojmë punë dhe të avancojmë demokracinë brenda PDK-së duhet të mendojmë edhe për një hap pak më radikal, të cilën ende nuk e kemi formësuar. Në parti tjetër nuk mendoj të kaloj, për faktin se e njoh skemën politike në Kosovë, dhe ky autoritarizëm ekziston në të gjitha subjektet politike në Kosovë.

Zëri: Çfarë raportesh keni tash për tash me kryeministrin Hashim Thaçi?

Krasniqi: Jam duke komunikuar në vija zyrtare. Vija private të komunikimit nuk kemi vendosur.

 

Nga Arbana Xharra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu