Krasniqi kundër Task Forcës për migrimin ilegal, janë të stilit jugosllav

0
713

Kupa

Ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, tash deputet i Nismës për Kosovën, në një shkrim autorial është marrë me idenë e krijimit të një Task Force për ndalimin e migrimit ilegal.

Ai në fillim të shkrimit i bën disa pyetje: A nuk është pyetja e parë që duhet shtruar, lidhur me ç’po flitet e ç’po dëgjohet: ç’është kjo? Dhe, rrjedhimisht, edhe pyetje të tjera: kush duhet ta udhëheqë këtë Forcë? Cili duhet të jetë roli i Ministrit të Integrimeve? A duhet të jetë shefi i kësaj Force, Ministri për Integrimin e Kosovës në BE? Madje-madje, cila është praktika e Task Forcës në Kosovë?

“Një gjë është e qartë, pa e zbërthyer në esencë domethënien origjinare të termit ushtarak “task force”. Si dërgatë ushtarake, si forca të posaçme edhe policore. Epo, duhet thënë, mjerisht, se Task Forcat e “demokracisë” janë tejet të përafërta me “komisionet” e socializmit, kur krijoheshin sikur gjoja do ta zgjidhnin një problem a dukuri të shfaqur, pa mundësi minimizimi, derisa nuk “zbulohet” nga institucionet, të cilat edhe kanë detyrim kushtetues, por nga i madh e i vogël”, shkruan Krasniqi.

Sipas tij, kur në të ashtuquajturin “socializmin vetadministrues jugosllav” formoheshin komisionet ad hoc, nënkuptonte gjithçka tjetër, pos jo zgjidhje të problemit! Edhe më keq madje.

“Neglizhohej, ndodhte shtyrja e sanimit, dhe, e gjithë kjo në mënyrë që të krijohej përshtypja se po bëhet diçka! Ndërsa në demokracinë tonë të shumëpritur, por të brishtë, tepër të brishtë, Task Forcë do të thotë, siç ishte rasti i Task Forcës së Prokurorisë, kur kryetari i saj burgoset, të mos shqyrtohet më asnjë lëndë për ç’gjë është apo ishte formuar ajo (sic!). Task Forca e propozuar është si ato anekdotat me mesazh të qartë për “hi syve”, apo shprehja proverbiale: “Kur nuk ke ç’bën, luaje derën”. A do të jetë një “task force” edhe Gjykata Speciale e miratuar në parim nga Kabineti, Thaçi – Mustafa?!”, shkruan tutje Krasniqi.

Për fund, nuk mund të anashkalohet fakti se Presidentja e Vendit, Zonja Atifete Jahjaga, që katapultohet në krye të vendit nga Policia (pas një katapultimi tjetër dështak), krijoi Këshillin Kombëtar të Antikorrupsionit. Mban mend dikush se përveç ca mbledhjeve, prezantimit para medieve më tepër të “gunës sesa punës”, ndonjë rezultat apo sukses për të qenë të këtij Këshilli? A thua, përse duhej të formohej ky “këshill” apo “komision”, kur kemi institucionet përkatëse kushtetuese, të cilat duhet të merren me krimin dhe korrupsionin? Një fjalë thotë: “Shumë mami e mbysin fëmiun”, a po ndodh kjo edhe me shtetin tonë të ri?

Republika e Kosovës, nuk ka nevojë për asnjë Task Forcë apo Këshill, qofshin ato të emërtuara edhe si “kombëtare”. Kosova ka nevojë për një Ekzekutiv të përgjegjshëm, i cili menaxhohet nga një njeri që ka dhënë dëshmi se di e do të menaxhojë me pasurinë publike e kombëtare, që formon një ekip njerëzish që vërtet do ta nxjerrin vendin nga ky mjerim social e keqqeverisje e vendit. Natyrisht, e tëra mbi bazë të një Platforme, një Programi mirë të planifikuar.
Duhet të thuhet shkurt e shqip: ky koalicion e ka shtuar skajshmërisht dëshpërimin e qytetarëve, shkruan në fund Krasniqi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu