Krasniqi në “luftë” me SHIK-un

0
703

(E plotësuar) Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Jakup Krasniqi, ka “hapur luftë” në shumë fronte brenda partisë së tij, dhe atë kryesisht me anëtarë të ish- Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK).

Kështu thonë analistët politikë, sipas të cilëve përçarjet nga pakënaqësitë e ndryshme brendapërbrenda partisë së kryeministrit Hashim Thaçi së fundi nuk po mund të menaxhohen dhe të mbahen fshehtë nga opinioni.

Në dy seancat e fundit të Kuvendit të Kosovës, kryeparlamentari Krasniqi është përplasur me deputetët e partisë së tij. Derisa ka folur kundër privatizimit, ai ka thënë se ky proces nuk mund të kalojë nëpër duart e atyre personave që kanë ardhur në Kuvend të Kosovës në saje të votave të vjedhura, ndërsa ka theksuar se legjislatura dhe ekzekutivi përbëhen nga personat e tillë.

Një ditë më vonë ai është përplasur me shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, veprim ky që ka nxitur deputetët e kësaj partie që të largohen nga salla e Kuvendit dhe të shkaktojnë mungesë të kuorumit.

Beteja e SHIK-ut me Krasniqin

“Kjo që po shohim ashiqare është një betejë e njerëzve të SHIK-ut në PDK dhe atyre që nuk janë në SHIK. Në veçanti kjo është një betejë në mes të njerëzve të Hashim Thaçit dhe atyre që pasojnë Jakup Krasniqin dhe Fatmir Limajn”, thotë analisti Nexhmedin Spahiu.

Ai thekson se të paktën nga paraqitjet e fundit në opinion, kryeparlamentari Krasniqi është duke u paraqitur parimor. “Përderisa ai po distancohet nga gjërat e këqija, nga vjedhjet e votave, nga hajnitë me privatizimet, kjo do me thënë se në një mënyrë ky fakt flet pozitivisht për të”, thekson ai.

Edhe analisti Ylli Hoxha mendon ngjashëm. Ai thotë se brendapërbrenda Grupit Parlamentar të PDK-së ekzistojnë pjesëtarë të SHIK-ut, me të cilët së fundi është përplasur publikisht kryeparlamentari Krasniqi.

“Absolutisht Grupi Parlamentar i PDK-së është duke u ndikuar prej SHIK-ut për t’iu kundërvënë Krasniqit. Ju shikoni se si ky grup është mbushur me spiunë të vetëdeklaruar. Kosovës i ka munguar procesi i domosdoshëm i lustracionit”, thotë ai, duke shtuar se fati i keq i vendit është se në heshtje është pranuar shndërrimi i një strukture jolegale të inteligjencës në një gjysmëstrukturë politike, pasojat e të cilit po manifestohen në Kuvendin e Kosovës.

Hoxha shprehet i sigurt se në përplasjet në mes të kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka “gisht” kryeministri Thaçi.

Ky është një konflikt në mes të kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit të Kosovës. Adem Grabovci është njëri prej elementëve të PDK-së që veprojnë sipas direktivave të kryeministrit. Si të gjithë ish-pjesëtarët e SHIK-ut, ai i nënshtrohet diktatit të kryeministrit”, thekson ai.

Përplasjet në PDK, të orkestruara nga Thaçi

Ndërsa analisti tjetër, Avni Zogiani, thotë se përplasjet në mes të anëtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës janë të orkestruara nga shefi i kësaj partie, Hashim Thaçi, me qëllim që të zhvendoset vëmendja nga dëmet që do t’i shkaktohen vendit nga procesi i bisedimeve me Serbinë.

“Ka qenë e qartë qysh prej fillimit që Jakup Krasniqi nuk i ka pasur punët mirë me anëtarë të PDK-së”, thotë ai, duke shtuar se në shumicën e rasteve tensionet brenda PDK-së dhe grupit parlamentar të kësaj partie janë shmangur me intervenime të ndryshme ndërkombëtare, gjë e cila nuk ka ndodhur së fundi.

“Kemi mungesën e maces dhe minjtë kanë filluar të hedhin valle. Deri tash strukturat e reja të PDK-së kanë qenë të përkrahura dhe mbrojtura nga ish-ambasadori Dell dhe tash ai nuk është më këtu. Kjo është e reja në këtë situatë. Figurat e PDK-së të cilat nuk kanë pasur asnjë lidhje me këtë parti kanë arritur të përfitojnë pozicion tepër të fortë kundruall figurave që kanë qenë gjatë luftës figura kryesore, siç është Jakup Krasniqit e Fatmir Limaj”, thotë ai.

Të nevojshme zgjedhjet e jashtëzakonshme

Analisti Ylli Hoxha thotë se situata e re e krijuar në Kuvendin e Kosovës dëshmon se vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje të jashtëzakonshme, ndërsa institucionet të përbëhen nga persona që kanë legjitimitet të plotë.

“Braktisja e Kuvendit nga shumica do të thotë deligjitimim i atij organi që do të thotë nevojë për zgjedhje tjetër të qeverisjes së vendit, që do të thotë ose nevojë për zgjedhje të menjëhershme, ose ndonjë formë e qeverisjes e cila përgatitet për zgjedhje të reja, por në asnjë mënyrë nuk tolerohet vazhdimi i qeverisjes nga dikush i cili është përgjegjës për vjedhje votash, për krim të organizuar dhe për deligjitimim të institucioneve”, thotë Hoxha.

E nga ana tjetër, publicisti Shkëlzen Gashi thotë se brendapërbrenda partisë së kryeministrit funksionojnë shumë grupe të interesave, të cilat, siç thotë ai, kaherë janë të hasmuara me njëra-tjetrën, por kohën e fundit janë duke u përplasur publikisht në mes vete.

“Për ta ditur përplasjen e grupeve në mes vete duhet ta njohësh mirë funksionimin e mafies, si funksionon krimi i organizuar apo strukturat kriminale. Unë nuk i njoh mirë këto, prandaj, për këto është mirë që të konsultohen jo personat që e studiojnë politikën, por ata që e studiojnë mafien dhe krimin e organizuar”, thekson Gashi.

Sipas tij, ka gjasa që në të ardhmen shumë lehtë Partia Demokratike e Kosovës të ndahet në dysh, gjë që do të ndikonte që ky subjekt politik ta ketë fatin që e ka pasur dikur Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila pas ndarjes është dobësuar dhe është zhvendosur nga partia më e madhe në partinë e dytë në vend.

Ndryshe nga kjo, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, gjatë një bisede për “Zërin” nuk ka dashur të flasë nëse në situatën e krijuar së fundi ka “gisht” SHIK-u, ndërsa ka mohuar se këto ditë ka presion brenda partisë. Ai ka theksuar se gëzon mbështetje të madhe nga shumë deputetë, të cilët, siç ka thënë ai, për shkak të një page që marrin nuk e mbështesin atë publikisht.

Mustafa: PDK-ja po unifikohet

Nënkryetari i PDK-së, Rrustem Mustafa, beson se përplasjet në mes të Jakup Krasniqit dhe Adem Grabovcit së shpejti do të harrohen, ndërsa partia do të funksionojë normalisht.

“Kjo (përplasjet në Kuvend) është pasqyrë që PDK-ja po shkon drejt një unifikimi të thellë. Të gjitha përplasjet kanë qenë të çastit, nuk kanë qenë të organizuara apo të menduara mirë, ato kanë dalë si kanë dalë, por së shpejti do ta shihni se ato do të kalojnë sikurse nuk kanë ndodhur fare”, ka thënë ai.

I pyetur për mundësinë e ndarjes së PDK-së, përkatësisht daljes së Krasniqit nga ky subjekt politik, ai ka thënë se “në PDK ka hyrje dhe dalje, por jo ndarje të partisë”.

 

Nga Jeton Llapashtica

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu