Krasniqi: Të merremi me krimet e Komunizmit Jugosllav

0
848

Një nismë e marrë gjatë mandatit të kaluar për dënimin e krimeve të komunizmit në Kosovë, e cila kishte ngecur, duket se i ka mbetur merak kryetarit të Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi. Ai ka thënë të martën se para se Kuvendi të merret me krimet e pasluftës në Kosovë, me hetimet e SHIK-ut, apo dikujt tjetër, duhet të merret me krimet e komunizmit, ashtu siç obligon edhe një rezolutë e Parlamentit Evropian.

Këto komente, Krasniqi bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, i pyetur nëse do të ketë ndonjë efekt ngritja e çështjes së SHIK-ut dhe krimeve të kryera pas luftës në Kosovë.

Ai ka thënë se përgjegjësia e Kuvendit është përfaqësimi i interesave të qytetarëve, nxjerrja e ligjeve dhe monitorimi i institucionet që i zgjedh, ndërsa nëse do duhej të merrej me krimet, pikë së pari, sipas tij, do duhej të merrej me krimet e komunizmit.

“Realisht do të ishte më se e domosdoshme dhe paraprakisht ne të merremi dhe kemi obligim në një formë edhe nga një rezolutë e Parlamentit Evropian, për t’i dënuar krimet e komunizmit në Kosovë, ose të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë në Kosovë. Nuk e kemi bërë atë gjë. Do të thotë në Kosovë kemi aq shumë probleme të natyrës edhe politike, e ndoshta shumë të natyrës ekonomike dhe të sundimit të ligjit dhe sikur nuk po gjejmë forcë për t’u marrë me problemet që na i ka sjellë dhe grumbulluar koha”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkohë, sa i përket nismës së deputetit të AAK-së, Burim Ramadani për formimin e një komisioni hetimor për të hetuar veprimtarinë e ish-Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), Krasniqi ka thënë se nëse Ramadani arrin t’i bëjë 40 nënshkrime të deputetëve, atëherë me Kushtetutë Kuvendi është i obliguar ta formojmë komisionin.

Deputeti Ramadani në këtë nismë, duket se nuk e ka mbështetjen as të partisë më të madhe opozitare, LDK.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se ende nuk është analizuar mirë kërkesa e Ramadanit, por ai ka thënë se mbi të gjitha, janë organet e drejtësisë ato që duhet të merren, me të gjitha pretendimet.

“Asnjë komision nuk mund ta zëvendësojë rolin e organeve hetuese. Këtë duhet pasur të qartë se asnjë komision parlamentar apo çfarëdo natyre qoftë, nuk mund ta zëvendësojë rolin, obligimin kushtetues që kanë organet e hetuesisë dhe kjo është shumë e qartë. Nuk do të thotë kjo se përgjigja ime do të thotë përgjigje negative, por për momentin ky është qëndrimi i LDK-së”, ka thënë Beqiri.

Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e sotme ka caktuar dy seanca për këtë javë. Të enjten do të jetë në rend dite interpelanca e kryeministrit Hashim Thaçi, për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e kërkuar nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe disa raporte të agjencive të ndryshme, ndërkaq të premten Kuvendi do të ketë debat lidhur me gjendjen e sigurisë dhe sundimit të ligjit, të kërkuar nga deputeti i PDK-së, Nait Hasani, i mbështetur nga një grup deputetësh.

Po ashtu, gjatë kësaj seance, Kuvendi do të ketë në rend dite edhe ratifikimin e disa marrëveshjeve të Qeverisë së Kosovës me institucione të ndryshme ndërkombëtare. Kryeparlamentari Krasniqi nuk e përjashton mundësinë që duke pasur parasysh volumin e madh të çështjeve, seanca të vazhdojë edhe javën e ardhshme./kosovapress/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu