Krimet serbe ndaj shqiptarëve

0
990

Partia opozitare maqedonase VMRO-Popullore, e drejtuar nga ish-kryeministri Lupço Georgievski, ka ftuar qeverinë e Shkupit që të zbardhë krimet serbe ndaj shqiptarëve të kryera gjatë vitit 1913 dhe të angazhohet më tepër për të gjetur varrezat masive të shqiptarëve që u vranë një shekull më parë.

Në reagimin e saj me shkrim, kjo parti ka përshëndetur ndërtimin e Qendrës memoriale në Zajaz të Kërçovës, kushtuar shqiptarëve të vrarë më 1913 nga ana e ushtrisë serbe dhe pyet se si është e mundur që një krim i tillë me përmasa gjenocidi është fshehur me vite nga qytetarët e Maqedonisë.

“Jemi të tmerruar nga dëshmitë e një krimi të këtillë, në të cilin jetën e kanë humbur luftëtarë që kanë mbrojtur familjet e tyre, civilë dhe madje edhe fëmijë të pafajshëm”, thuhet në reagimin e partisë VMRO-Popullore.

Ditë më parë, gjatë një dokumentari të “Top-Channel” për qytetin e Kërçovës, edhe historianët shqiptarë kanë folur mbi këto krime të rënda të ushtrisë serbe.

Halim Purellku, historian, komentoi: “Si rezultat i këtyre masakrave, këtu pati një numër të madh të vrarëve në forma të ndryshme, kryesisht me bajoneta, sepse serbet nuk deshën të harxhojnë as plumba. Në bazë të disa të dhënave vetëm në rrethin e Kërçovës u dogjën rreth 20 fshatra, prej të cilëve u zhdukën 5 fshatra totalisht nga ushtria serbe. Është e vështirë të arrihet deri tek të dhënat e sakta për numrin e të masakruarve, por në bazë të të dhënave të njohurive të mia ky numër sillet nga 713 veta deri në 952 veta vetëm në rrethin e Kërçovës”.

”Pas masakrave fillon edhe shpërngulja në emër të asaj se ju jeni turq dhe duhet të shkoni në Turqi dhe ata që kanë mbetur gjallë kanë filluar ikjen, sidomos popullata e qytetit ka ikur shumë dhe është sjellë këtu popullatë serbe”, shtoi historiani Ilmi Veliu.

Ndërkohë, partia maqedonase VMRO-Popullore i ka bërë thirrje qeveritarëve maqedonas të mos festojë bashkë me serbet përvjetorët, ku ata krenohen me këto krime që kanë kryer ndaj shqiptarëve të Maqedonisë 100 vite më parë.

topchannel

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu